Koment – Sfida gjeopolitike dhe zgjedhjet e parakohshme

Analizë nga Can ACUN, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), në Ankara...

Koment – Sfida gjeopolitike dhe zgjedhjet e parakohshme

Koment – Sfida gjeopolitike dhe zgjedhjet e parakohshme

*Can ACUN

Zhvillimet e fundit në Irak dhe Siri do të shtojnë edhe më shumë rëndësinë dhe përgjegjësitë e Turqisë. Hyrja në një proces kaq kritik me peshën e zgjedhjeve do të jetë i rrezikshëm për Turqinë. Në vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 qershor përveç dinamikave të brendshme kanë ndikuar edhe zhvillimet përgjatë kufirit dhe në mbarë rajonin. Turqia nuk do të mund të humbasë kohë me fushata zgjedhore, ndërkohë që po vizatohen hartat e reja në rajon. Dobësia edhe më e vogël politike, ushtarake dhe ekonomike e Turqisë, do ti japë raste të veçanta historike Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe forcave që dëshirojnë të bëjnë ndryshime demografike në terren. Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme është një veprim kundër këtij rreziku.

Turqia duhet të ndjek një politikë të jashtme intensive në kufirin e saj jugor për sa kohë që ekuacionet politike në Irak dhe Siri nuk stabilizohen. Nëse pozita gjeografike është fati, atëherë Turqia nuk ka mundësi që të formojë qeveri të reja pas një periudhe 6-mujore ashtu sikurse vendet perëndimore. Në rajonin e Lindjes së Mesme, ku destabiliteti politik ka kosto të lartë, është thelbësore që të ndiqet një politikë proaktive dhe efikase. Pritet që Turqia, me kalimin në sistemin e demokracisë presidenciale më 24 qershor, të ndjek politika më aktive në rajon. Nëse marrim parasysh se Turqia gjatë kësaj periudhe të shkurtë 2-mujore do të merret me fushata zgjedhore, kjo do të mund të shkaktojë ndryshimin e ekuacioneve të rajonit. Mirëpo duke pritur që gjatë viteve të ardhshme të formohet e ardhmja e Irakut, e posaçërisht e Sirisë, Turqia me zgjedhjet e parakohshme do të mund të pengojë vizatimin e hartave të reja në rajon me fakt të kryer. Duke u nisur nga planet afatgjata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj organizatës terroriste YPG, fraksionit të PKK-së në Siri, objektivave të Rusisë dhe Iranit për të përforcuar pozitën e regjimit të Esadit dhe qasjes së Izraelit ndaj rajonit, është e nevojshme që Turqia të hedh hapa të nevojshme për mbrojtjen e interesave të saj kombëtare. Ndërkohë që Rusia, Irani dhe Turqia me anë të procesit të Astanës bëjnë përpjekje për ti dhënë fund konflikteve dhe për përgatitjen e terrenit për zgjidhje politike krizës në Siri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me anë të organizatës terroriste YPG ka perspektiva të ndryshme. 65 mijë terroristë të YPG-së, të cilët Pentagoni planifikon ti trajnojë dhe pagat e të cilëve janë paguar personalisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fund të vitit 2017, paraqesin kërcënim serioz për tërësinë territoriale të Sirisë dhe për sigurinë kombëtare të Turqisë.

 

Eliminimi në masë të madhe të DAESH-it dhe organizatave tjera terroriste, me përjashtim të YPG-së në Siri, bëri që aktorët ndërkombëtar të hedhin hapa për të vendosur se si do të vendoset rregulli pas luftës. Pas këtij procesi, që sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë disa vjet, do të përcaktohet edhe fati i Sirisë dhe rajonit. Është thelbësore që Turqia, e cila ndanë një vijë të gjatë kufitare me Sirinë, të ndërhyjë personalisht në këtë proces. Me vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, Turqia gjatë këtij procesi të rëndësishëm nuk do të merret me fushata zgjedhore, por do të ndjekë politika të jashtme më efikase.

Ndërkaq prania e PKK-së në rajonin e Irakut vazhdon dhe kjo paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Turqisë. Aktualisht Turqia është duke ndërmarrë operacione ushtarake kundër PKK-së brenda territoreve të Irakut. Mirëpo, për shkak të zgjedhjeve në Irak, këto operacione po zhvillohen në mënyrë të kufizuar. Turqia synon që pas zgjedhjeve së bashku me qeverinë qendrore të Irakut ti japë fund pranisë së PKK-së në këtë vend. Mali Kandil në njërën anë dhe mali Sinxhar në anën tjetër janë duke u përdorur si baza nga ana e organizatës separatiste terroriste PKK. Vendimi i Turqisë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme do të bëjë që ajo të jetë në një pozitë më të fortë në rast të ndonjë operacioni të mundshëm ushtarak ndaj PKK-së në Irak.

Në përgjithësi, procesi i kalimit nga sistemi i demokracisë parlamentare, në sistemin e demokracisë presidenciale, dobësonte dhe ngadalësonte burokracinë dhe qeverinë e Turqisë. Përfundimi i shpejtë i procesit të tranzicionit do të mundësojë që Turqia të ndjek politika më efikase, më të shpejta dhe më stabile. Me përfundimin e tranzicionit të sistemit politik, Turqia do të forcohet posaçërisht nga aspekti i politikës së jashtme.

*Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara.     



Lajme të ngjashme