Turqia dhe ShBA arrijnë në marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson zhvilloi një vizitë zyrtare në Turqi.

Turqia dhe ShBA arrijnë në marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve

Ministri i Jashtëm, Mevlut Çavusolgu bëri të ditur se me Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Turqi, kanë arritur në marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Pas takimit kokë më kokë të dy homologët organizuan një konferencë për shtyp.

Në deklaratën e bërë ministri Çavusoglu tha se “Kemi arritur në marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me ShBA-në”.

Duke vënë në dukje se marrëdhëniet me ShBA-në janë në një fazë kritike, ministri Çavusoglu tha se vizitën e Sekretarit Tillerson e vlerëson si shumë të rëndësishme dhe të dobishme.

“Gjatë takimit nuk vlerësuam vetëm marrëdhëniet dypalëshe, por edhe qasjet ndaj çështjeve rajonale. Të dyja palët kanë pritshmëritë e tyre. Vendosmëria, të cilën e treguam mbrëmë gjatë pritjes së Tillersonit nga ana e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, kemi hedhur hapa të rëndësishme në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve. Ne kemi shprehur qartë pritshmëritë tona në lidhje me çështjen e organizatës terroriste gyleniste (FETO) dhe për mbështetjen që ShBA-ja i jep YPG-së, fraksionit të organizatës separatiste terroriste PKK në Siri. Biseduam edhe në lidhje me ato çfarë mund të bëjmë që bisedat të mos mbeten vetëm në fjalë, por të vihen në veprim”, deklaroi Çavusoglu, ndërsa shtoi se shpresojnë që pas kësaj vizite të rivendoset besimi dhe marrëdhëniet sërish të vihen në binarë.

“Duam të besojmë që shqetësimet tona të sigurisë janë marrë seriozisht”, bëri të ditur ministri Çavusoglu, ndërsa shtoi se “Kemi rënë dakord që deri nga mesi i muajit të ardhshëm të formojmë një mekanizëm të ri që do ti shqyrtojë të gjitha problemet”.

Duke e bërë të ditur se ShBA-ja në vitin 2016 i premtoi Turqisë se YPG-ja do të tërhiqet në lindje të lumit Eufrat në Siri, por nuk e mbajti premtimin, shefi i diplomacisë turke tha se “Shumicën e banorëve të Menbixhit e përbëjnë arabët dhe YPG-ja duhet të dalë nga ky vend. Kjo është shumë e rëndësishme për vendosjen e rregullit”.

Edhe Sekretari amerikan, Rex Tillerson duke vënë në dukje se “Marrëdhëniet tona me Turqinë janë të vazhdueshme dhe strategjike”, tha se “Gjatë takimit me ministrin Çavusoglu kanë shprehur qartë shqetësimet e të dyja palëve dhe kanë biseduar për të ardhmen. Marrëdhëniet mes Turqisë dhe ShBA-së nuk janë të bazuara vetëm në interesa. Turqia është njëra prej vendeve të para të NATO-s me të cilën ne bashkëpunuam në shumë vende me në krye Afganistanin dhe Korenë”.

 

Sekretari mysafir shtoi se presin që konferenca e Gjenevës të sjellë rezultate për zgjidhjen e krizës në Siri, ndërsa theksoi se Turqia, gjatë 7 viteve të fundit sa zgjatë kjo krizë, ka pritur mbi 3 milionë refugjatë dhe paraqet një shembull për të gjithë.

“Objektivi ynë në Siri është plotësisht i njëjtë që ky rajon të spastrohet nga DAESH-i dhe të mundësojmë që refugjatët të kthehen në shtëpitë e tyre. Ne përkrahim një Siri të pavarur. Populli sirianë duhet të zgjedhin lirshëm liderin e tyre. Ne do ti koordinojmë punimet tona në këtë drejtim. Ndërkaq në lidhje me Menbixhin do të bisedojmë në grupin e ri të punës (mekanizmin e ri) që do të formohet dhe jo vetëm për Menbixhin, por çështja e veriut të Sirisë do të jetë njëra prej temave kryesore”, deklaroi Tillerson.

Ndërkaq në përgjigje të pyetjes se “A do të tërhiqen trupat amerikane nga Menbixhi?”, Tillerson tha se “dëshirojnë që rajoni të mbetet nën kontrollin e tyre”.

Sekretari Tillerson u pyet gjithashtu se “A do të marrë fund mbështetja e ShBA-së ndaj YPG-së?”, ndërsa ai pretendoi se “Buxheti në ShBA është ndarë vetëm për luftën kundër DAESH-it dhe nuk është ndarë ndonjë burim shtesë përveç kësaj”.

Në përgjigje të pyetjes se “A do të hidhet ndonjë hap specifik në lidhje me çështjen e FETO-s?”, sekretari amerikan tha se “Dje Presidenti Erdogan shprehu shqetësimet në lidhje me FETO-n. Ne do të vazhdojmë ti shqyrtojmë provat. Do të vazhdojnë edhe hetimet e pavarura. Jemi të gatshëm ti pranojmë edhe provat e reja. Ne jemi duke e shqyrtuar çdo gjë që na ofron Turqia”.



Lajme të ngjashme