Koment - Të ndërtosh lidhje me Afrikën në një botë shumëpolëshe

Afrika meriton të trajtohet si një partner i barabartë në skenën botërore, që kërkon paqe, drejtësi dhe stabilitet dhe jo forma të reja shfrytëzimi.

Koment - Të ndërtosh lidhje me Afrikën në një botë shumëpolëshe

Afrika është një kontinent i madh, ku asnjë model i vetëm partneriteti nuk mund të bëjë drejtësi ndaj diversitetit të tij social, ekonomik dhe gjeografik. Angazhimi i Afrikës kërkon një qasje shumëfazëshe në një botë shumëpolare. Duke vepruar sipas këtij parimi gjatë dekadës së fundit Turqia vazhdon përpjekjet e saj për të ndërtuar lidhje me Afrikën.

Shtetet afrikane vazhdojnë të luftojnë me trashëgiminë e kolonializmit, luftërat civile, terrorizmin, korrupsionin, mungesën e infrastrukturës, çështjet zhvillimore dhe mjedisore dhe me një sërë sfidash të tjera. Por ne të njëjtën kohë ata zotërojnë një potencial të madh me burimet e pasura natyrore, popullsinë në moshë të re dhe dinamike dhe një qëndrim të hapur ndaj botës. Qëkur filloi të ndjekë politikën e "Hapjes ndaj Afrikës" në vitin 2005, Turqia u ka kushtuar vëmendje këtyre dinamikave dhe i ka parë rezultatet e saj në terren.

Shembulli më tipik i kësaj janë marrëdhëniet që ka ndërtuar Turqia me Somalinë. Modeli i zhvillimit turk që zbatohet në Somali i ka vlejtur dhe ka dhënë kontribut të rëndësishëm në përpjekjet e këtij vendi për të frenuar dhunën dhe për të vendosur deri diku rendin, ndërtuar përfaqësim politik dhe prosperitet.

Edhe pse vazhdon ende përpjekjet për t’u bërë ballë terrorizmit, varfërisë dhe mungesës së një qeverie të fortë qendrore, Somalia sot është në një gjendje shumë herë më të mirë krahasuar me atë të pesë viteve më parë. Qeveria turke dhe institucionet e shoqërisë civile kanë investuar shumë në Somali për t'i bërë somalezët të qëndrojnë mbi këmbët e tyre, e jo për të krijuar forma të reja të varësisë dhe shfrytëzimit.

Gjatë dekadës së fundit, Turqia rriti nga 12 në 39 numrin e ambasadave në Afrikë (në vitin 2018 kjo shifër do të rritet në 41) dhe pesëfishoi-gjashtëfishoi vëllimin tregtar gjatë të njëjtës periudhë me Afrikën. Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) brenda viteve të fundit vizitoi 24 vende afrikane dhe janë mbajtur dy samite Turqi-Afrikë.

Nëse e shikojmë çështjen nga fronti ekonomik, shumë vende afrikane, megjithëse kanë burime të pasura natyrore, luftojnë me varfërinë dhe zhvillimin e pakët. Një analizë e fundit e Bankës Botërore në lidhje me kontinentin bën këtë konstatim: "Perspektiva për rajonin mbetet sfiduese, me rritjen ekonomike të mbetur edhe më poshtë se mesatarja para krizës. Ritmi i moderuar i rritjes do të përkthehet në fitime të ngadalta në të ardhurat për frymë në 2016/17, dhe nuk do të jetë i mjaftueshëm për të nxitur prosperitetin e përbashkët ose për të përshpejtuar reduktimin e varfërisë ". Por i njëjti raport gjithashtu vë në dukje edhe këtë: "Në Afrikën Sub-Sahariane parashikohet një ngritje të qëndrueshme në aktivitet. Me rritjen graduale që do të ndodhë në çmimet e mallrave dhe kërkesën e brendshme do të kemi rënie të inflacionit dhe relaksim të politikave monetare, si rezultat i të cilave në vitin 2018 rritja ekonomike të rritet në nivelin e 3,2%, kurse në vitin 2019 do të ngrihet në nivelin e 3,5%."

Nuk ka asnjë arsye përse vitet e ardhshme të mos jenë më të mira për ekonomitë afrikane. Ndërsa qendra e gravitetit të ekonomisë globale po lëviz drejt botës jo-perëndimore, për vendet afrikane mund të shfaqen mundësi të reja për të diversifikuar ekonomitë e tyre. Tregtia dhe investimet globale mund të punojnë në favor të shteteve afrikane, nëse prioritetet kombëtare përcaktohen drejtë dhe zbatohen me disiplinë dhe vendosmëri.

Në një sfond të tillë Presidenti Erdoan vizitoi këtë javë tre vendet afrikane, Sudanin, Çadin dhe Tunizinë. Vizita e parë në nivel presidencial nga Turqia në këto vende, u përqendrua në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe politike dhe ekonomike. Gjatë këtyre vizitave u nënshkruan edhe dhjetëra marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme.

Në Sudan ceremonia e pritjes ishte me të vërtetë madhështore me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve që festonin vizitën dhe uronin për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Përveç Hartumit, Presidenti Erdoan gjithashtu vizitoi Port Sudanin dhe ishullin historik Suakin (Sawakin), i cili për shekuj është përdorur si port për pelegrinët (haxhilerët myslimanë) në Afrikë. Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) ka restauruar dy xhami dhe një port në këtë ishull dhe po planifikon që të vërë në jetë shumë projekte të tjera në të ardhmen këtu. Krahas projekteve të tjera të mëdha, Turqia synon të ndërmarrë një iniciativë të madhe bujqësore në Sudan.

Një skenë e ngjashme u përjetua edhe gjatë vizitës në Çad, ku rreth 150 biznesmenë turq u takuan me homologët e tyre nga Çadi për të eksploruar mundësitë investuese. Çadi është një nga vendet më të varfra në botë dhe ka nevojë për ndihmë konstruktive dhe të qëndrueshme në nivele të ndryshme.

Në takimet zyrtare që u zhvilluan në Tunizi, me të cilën Turqia ka marrëdhënie rrënjësore historike dhe kulturore, krahas marrëdhënieve ekonomike dypalëshe u trajtuan edhe zhvillimet politike rajonale, duke përfshirë çështjen e Jerusalemit dhe Katari me marrëdhëniet e tij me shtetet e tjera të Gjirit. Turqia dhe Tunizia ripohuan partneritetin e tyre në këto dhe çështjet e tjera rajonale. Turqia ka qëndruar vazhdimisht pranë Tunizisë që nga fillimi i “Revolucionit Jasemin”, qoftë duke i siguruar kredi këtij vendi, qoftë duke trajnuar e pajisur personelin e sigurisë.

Duhet theksuar se vendet afrikane luajtën një rol jashtëzakonisht pozitiv në votimin e fundit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi Jerusalemin duke hedhur poshtë vendimin e njëanshëm të ShBA për ta shpallur Jerusalemin kryeqytet të Izraelit. Në fakt, kjo nuk është për t'u habitur, sepse kombet afrikane janë më të përshtatshme për të kuptuar më së miri vuajtjet e popullit palestinez, pasi ata vetë kanë qenë viktima të kolonializmit, okupimit, aparteidit dhe ndëshkimit kolektiv për shekuj me radhë. Ndër të tjera, perspektiva e përgjithshme afrikane mbi çështjen palestineze tregon se vendet afrikane i ndjekin çështjet rajonale dhe globale me një ndjenjë të qartë të drejtësisë dhe ndërgjegjes përtej interesave afatshkurtra politike dhe ekonomike.

Afrika ka shumë nuanca dhe shtresa, sa që është e vështirë të kuptohet që në pamje të parë. Ajo meriton të trajtohet si një partner i barabartë në skenën botërore. Ajo ka nevojë për paqe, drejtësi dhe stabilitet dhe jo për forma të reja të shfrytëzimit. E ndërsa bota po e zbulon përsëri Afrikën, edhe Afrika hapet me botën. Kjo duhet të rezultojë në një marrëdhënie të bazuar në interes të ndërsjellë, besim dhe partneritet. Kjo është mënyra për t'u lidhur me Afrikën në një botë shumëpolëshe.

Autor:Ibrahim Kalin - Zëdhënës dhe nënsekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ



Lajme të ngjashme