Turqia reagon ndaj skandalit në stërvitjen e NATO-s, autoritetet e huaja kërkojnë falje

Zëdhënësi i Presidencës, Ambasadori Ibrahim Kallën (İbrahim Kalın) deklaroi se dënon fuqishëm skandalin e përjetuar në stërvitjen e NATO-s.

Turqia reagon ndaj skandalit në stërvitjen e NATO-s, autoritetet e huaja kërkojnë falje

Zëdhënësi i Presidencës, Ambasadori Ibrahim Kallën (İbrahim Kalın) deklaroi se dënon fuqishëm skandalin e përjetuar në stërvitjen e NATO-s.

Ibrahim Kalin në deklaratën e bërë në llogarinë e tij në median sociale, shkroi: “Dënojmë në mënyrën më të fuqishme këtë ngjarje. Kjo nuk mund të shpjegohet në asnjë mënyrë”.

Ai bëri të ditur gjithashtu se do të ndjekin nga afër kryerjen e procedurave të nevojshme në lidhje me ngjarjen.

Edhe Zëvendëskryeministri dhe zëdhënësi i qeverisë, Bekir Bozdaë (Bekir Bozdağ) bëri një deklaratë në lidhje me skandalin e trajnimit ushtarak në NATO.

“Ajo që bëri NATO është një skandal i madh. Deri më tani në botë dhe në NATO nuk ishte parë një turp i tillë. Ata që kanë bërë një poshtërsi të tillë duhet të dënohen” tha Bozdaë.

Ndërkaq Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është takuar me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, Gjeneral Hulusi Akar, ku "në mënyrë të qartë" i ka kërkuar falje gjeneralit Akar.

Në takimin e zhvilluar me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, mësohet se Stoltenberg "në mënyrë të qartë" i ka kërkuar falje gjeneralit Akar.

Pasi ka shprehur keqardhjen për shkak të ngjarjes së përjetuar, Stoltenberg i ka kërkuar Akar-it që faljen e tij t'ia përcjellë edhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan.

Ndërsa, Akar ka theksuar se nuk do të jetë e mjaftueshme vetëm largimi nga detyra i dy punonjësve fajtorë për ngjarjen në fjalë dhe ka shtuar se në ushtri ka një sistem të hierarkisë, ku duhet të ndëshkohen edhe eprorët e tyre përgjegjës.

Nga ana tjetër, Ministri i Mbrojtjes së Norvegjisë, Frank Bakke-Jensen kërkoi falje nga Turqia për skandalin gjatë stërvitjes Trident Javelin të NATO-s të zhvilluar në Norvegji.

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria norvegjeze e Mbrojtjes mbi ngjarjen Jensen është shprehur: "Një mesazh u publikua në sistemin e qarkut të mbyllur të përdorur gjatë stërvitjes së NATO-s në Qendrën e Përbashkët të Luftimit në Stavanger të Norvegjisë. Ky mesazh është shkruar nga një shtetas norvegjez i punësuar vetëm për periudhën stërvitore".

Duke theksuar se mesazhi i shkruar nga qytetari norvegjez nuk reflekton kategorikisht pikëpamjet dhe politikat norvegjeze, Jensen ka deklaruar se: "Kërkoj falje për përmbajtjen e mesazhit. Turqia është një aleat i rëndësishëm i NATO-s dhe ne e vlerësojmë partneritetin tonë të afërt".

Jensen ka theksuar se shtetasi norvegjez, i cili publikoi mesazhin, është larguar menjëherë nga stërvitja e NATO-s dhe se do të ndërmerren hapat e nevojshme duke kryer një hetim të detajuar mbi incidentin.

Nga ana tjetër Ministri turk i Çështjeve të Bashkimit Evropian (BE) dhe Kryenegociatori Omer Çelik që gjendet në Kanada për Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë Halifax (Halifax International Security Forum) u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Çelik i shprehu edhe një herë Stoltenbergut reagimin e Turqisë në lidhje me skandalin në stërvitjen e NATO-s.

Kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i ripërsëriti Çelikut hidhërimin në lidhje me këtë çështje.

Ky skandal zuri vend edhe në seancën e parë të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë Halifax.

Në fjalimin e mbajtur në seancën e parë të forumit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se ngjarjen e mësoi më vonë dhe ky ishte një gabim. Ai bëri të ditur se menjëherë pasi e mësoi këtë çështje personi përgjegjës u hoq menjëherë nga detyra.

Ai rikujtoi se menjëherë pas ngjarjes bëri një deklaratë me shkrim dhe i telefonoi Ministrit të Jashtëm Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavusoğlu) dhe zhvilloi një takim me Shefin turk të Shtatmadhorisë.  

 

Në fjalimin e tij, Stoltenberg nënvizoi se Turqia është një aleat kyç dhe luan një rol të rëndësishëm jo vetëm për NATO-n por edhe të gjitha vendet fqinje të rajonit.

Ai tha se kufiri (vija e kuqe) e Turqisë është e njëjtë edhe për NATO-n dhe theksoi se Turqia luan një rol të rëndësishëm në luftën kundër DAESH-it.

Ndërkaq në lidhje me skandalin në Norvegji filloi një hetim edhe nga Prokuroria e Republikës në Ankara.



Lajme të ngjashme