Kreu i trupit global të ndihmave humanitare lëvdon përpjekjet e Turqisë për refugjatët

Presidenti i ri i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), Francesco Rocca, lëvdoi të enjten aktivitetet e Turqisë në fushën e ndihmave humanitare...

Kreu i trupit global të ndihmave humanitare lëvdon përpjekjet e Turqisë për refugjatët

Presidenti i ri i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), Francesco Rocca, lëvdoi të enjten aktivitetet e Turqisë në fushën e ndihmave humanitare.

Në Antalia të Turqisë po zhvillohet takimi i Asamblesë së Përgjithshme të IFRC-së me pjesëmarrjen e mbi 700 delegatëve nga 189 vende të botës.

Me 98 vota nga 189 të mundshme, avokati dhe aktivisti italian, Francesco Rocca, u zgjodh të hënën president i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Tashmë në krye të IFRC-së për 4 vitet e ardhshme, Rocca vlerësoi objektivat e tij gjatë një interviste ekskluzive për Korporatën e Radios dhe Televizionit të Turqisë (TRT).

“Mijëra njerëz janë përfshirë në lëvizje emigracioni për shkak të luftërave dhe konflikteve të armatosura në shumë rajone të botës. Por bashkësia ndërkombëtare nuk ofron mbështetje të mjaftueshme për këta njerëz. Në përpjekje për të shkuar në Evropë nga anë të ndryshme të rruzullit tokësor, këta njerëz ndihen të braktisur, të vetmuar. Kjo është një tragjedi”, u shpreh ai.

Në vijim, Francesco Rocca foli me lëvdata për aktivitetet e Turqisë në fushën e ndihmave humanitare.

“Dua të falënderoj në veçanti Turqinë. Po bën një punë të mrekullueshme. Vendi juaj u ballafaqua me një fluks refugjatësh shumë të madh. Zgjidhja e problemeve të kaq shumë refugjatëve dhe azilkërkuesve brenda një kohe të shkurtër ishte diçka e paarritshme madje dhe nga vendet, të cilat mburren me ekonomitë e tyre të zhvilluara. Dhe ç’është e vërteta, ato pranuan një numër shumë të vogël refugjatësh”, vlerësoi presidenti i ri i IFRC-së.

Këtej e tutje – vijoi Rocca – strategjitë e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe do të bazohen në shembullin e aktiviteteve humanitare të Turqisë.

Ish-kreu i Kryqit të Kuq të Italisë theksoi gjithashtu se do të shtojnë presionin mbi Bashkimin Evropian dhe vendet donatore në lidhe me  mbështetjen e refugjatëve.

“Për ne (në IFRC), gjëja më e rëndësishme është dinjiteti i çdo qenieje njerëzore. Ky është apeli dhe Turqia po bën një punë të jashtëzakonshme”, tha Rocca.

Sa i takon synimit të tij kryesor, Francesco Rocca tha se dëshiron të rrisë numrin e vullnetarëve.

“Ëndrra do të ishte dyfishimi i numrit të vullnetarëve, që nënkupton se do të jemi në gjendje të përhapim më mirë mesazhet tona”, sqaroi ai.

Presidenti i IFRC-së vuri në pah gjithashtu se ka një “miqësi shumë të ngushtë dhe historike” midis Kryqit të Kuq të Italisë dhe Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë.



Lajme të ngjashme