Turqia kritikon Danimarkën për lirimin e të dyshuarit të sulmit terrorist të natës së Vitit të Ri

Turqia kritikoi ashpër të mërkurën vendimin e Danimarkës për refuzimin e ekstradimit të një bashkëpunëtori të dyshuar në lidhje me sulmin e klubit të natës gjatë ndërrimit të viteve në Stamboll dhe për lirimin e tij pa akuza...

Turqia kritikon Danimarkën për lirimin e të dyshuarit të sulmit terrorist të natës së Vitit të Ri

“Vendimi i Danimarkës për të refuzuar me pretendime të pabaza kërkesën e Turqisë për ekstradimin e këtij individi, që dyshohet se është anëtar i DAESH-it dhe i lidhur drejtpërdrejt me sulmin terrorist, ku u vranë 39 njerëz të kombësive të ndryshme, është një goditje për përpjekjet ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme turke të mërkurën vonë.

Të martën, policia daneze njoftoi se Ibrahimjon Asparov, 42 vjeç, u lirua nga paraburgimi, ku mbahej që nga muaji korrik.

Policia daneze theksoi gjithashtu se i dyshuari me origjinë uzbeke ishte mbajtur për shkak të një kërkese ekstradimi nga Turqia, por kërkesa u refuzua dhe personi në fjalë nuk u përball me asnjë akuzë në Danimarkë.

MPJ turke vuri në pah se vendimi për të hedhur poshtë kërkesën e Turqisë për ekstradimin e Asparovit dhe për lirimin e tij ishte një “shkelje e rezolutave të Kombeve të Bashkuara për luftën kundër DAESH-it, me në krye atë numër 2178 (viti 2014) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

“Në kuadër të masave kundër luftëtarëve të huaj terroristë dhe në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Republika e Turqisë ka deportuar deri më tani 5.217 të huaj të dyshuar për lidhje me zonat e konfliktit. Si rezultat i operacioneve të vazhdueshme, janë ndaluar 8.447 individë të lidhur me DAESH-in, Al-Nusran dhe Al-Kaidan, përfshi këtu 3.831 të huaj, si dhe janë arrestuar 2.946 individë të lidhur me DAESH-in, Al-Nusran dhe Al-Kaidan. Kështu të gjitha palët duhet të veprojnë me të njëjtën vendosmëri”, nënvizohet në komunikatën e MPJ turke.

Ibrahimjon Asparov u arrestua më 29 qershor, në Jutlandin Juglindor, me kërkesën e Turqisë dhe me ndihmën e inteligjencës daneze. Ai u lirua më vonë, por u mor përsëri në paraburgim më datë 20 korrik.

Asparovi akuzohet për furnizim me armë dhe municione të Abdulgadir Masharipovit, autor i sulmit terrorist në klubin e natës dhe anëtar i DAESH-it.

Të paktën 39 veta, mes tyre edhe një oficer policie, u vranë kur një sulmues hapi zjarr gjatë mbrëmjes së Vitit të Ri në një klub nate në lagjen Ortakoy të Stambollit. Më datë 16 janar, Masharipovi u arrestua nga policia së bashku me 4 të dyshuar të tjerë, një burrë me origjinë kirgize dhe 3 gra, në distriktin Esenyurt të Stambollit.



Lajme të ngjashme