Simsek në Uashington: Kriza e vizave Turqi-SHBA ka gjasa të zgjidhet së shpejti

“Nuk shoh ndonjë çështje të pazgjidhshme, por në të vërtetë kjo e gjitha kërkon një mirëkuptim, një dialog dhe një komunikim më të mirë”, tha zv/kryeministri turk, Mehmet Simsek...

Simsek në Uashington: Kriza e vizave Turqi-SHBA ka gjasa të zgjidhet së shpejti

Zëvendëskryeministri turk, Mehmet Simsek, deklaroi të mërkurën se kriza e vizave ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është “e përkohshme”, “e ekzagjeruar” dhe “ka të ngjarë të zgjidhet së shpejti”.

“Kjo është një mosmarrëveshje e padëshiruar, e përkohshme dhe nuk ka ndërhyrje politike. Shpresojmë që kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt”, tha Mehmet Simsek në panelin e Fondacionit Turk të Trashëgimisë, mbajtur në Dhomën Amerikane të Tregtisë në Uashington, ku po qëndron për të marrë pjesë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB).

Pasi e përshkroi ndalimin e punonjësve të misioneve të SHBA-së si një “hetim rutinë”, zv/kryeministri Simsek potencoi se siguria e diplomatëve dhe punonjësve amerikanë është “përparësi kryesore” e Turqisë.

“Turqia është një shtet sovran dhe krenar. Sigurisht që vendimit të SHBA-së për vizat do t’i jepej e njëjta përgjigje dhe kështu u bë”, shtoi ai.

Ambasada amerikane në Ankara njoftoi të dielën se pezullimin e lëshimit të vizave jomigratore për shtetasit turq pas arrestimit të Metin Topuz, një punonjës me shtetësi turke në Konsullatën e Përgjithshme të SHBA-së në Stamboll.

Si kundërpërgjigje, Ambasada turke në Uashington pezulloi gjithashtu shërbimeve e vizave jomigratore për qytetarët amerikanë në të gjitha misionet turke në SHBA.

Topuz dyshohet të jetë i lidhur me organizatën terroriste gyleniste (FETO), akuzuar nga Ankaraja për orkestrimin e tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi më 15 korrik 2016.

“Dua të jem shumë i qartë. Ne s’duam që kjo mosmarrëveshje të zgjasë më shumë se një sekondë”, tha zv/kryeministri Simsek duke rikujtuar se Turqia dhe SHBA-ja janë aleatë prej më shumë se gjysmëshekulli dhe partneriteti është mjaft i fortë për të tilla kriza.

Ai tërhoqi vëmendjen se qeveria turke është e përkushtuar të thellojë marrëdhëniet dhe të hapë dialogun nëse ka ndonjë shqetësim rreth bashkëpunimit në çështjet gjyqësore.

“Turqia nuk po bën arrestime arbitrare. Nuk ka pengje politike. Të jeni të bindur që sistemi gjyqësor turk funksionon. Teksa shkojmë përpara, shpresojmë që të gjitha këto mosmarrëveshje, të gjitha këto divergjenca mund të zgjidhen. Nuk shoh ndonjë çështje të pazgjidhshme, por në të vërtetë kjo e gjitha kërkon një mirëkuptim, një dialog dhe një komunikim më të mirë. Kjo është ajo çfarë miqtë presin nga njëri-tjetri”, nënvizoi zv/kryeministri turk.

Më tej, Simsek ftoi investitorët dhe kompanitë me bazë në SHBA që të investojnë në Turqi duke siguruar se ekonomia e vendit të tij, pavarësisht sfidave të shumta si tentativa e dështuar për grusht shteti dhe sulmet terroriste, është duke u zhvilluar dhe do të vazhdojë të përmirësojë planin e saj të investimeve.

“Turqia ka bërë përpara shumë gjatë 15 viteve të fundit, por historia nuk s’ka përfunduar ende. Asgjë nuk do ta ndryshojë këtë. Mbi 80 milionë turq kanë një dëshirë të fortë për të avancuar më tej dhe ne do t’ia arrijmë. Megjithatë kjo nënkupton një rrugë të gjatë për të përshkuar në aspektin e rritjes, shitjeve dhe mundësive”, tha ai.

Ekonomikisht – vijoi Simsek – ne s’mund të injorojmë njëri-tjetrin, pasi ne kemi nevojë për njëri-tjetrin.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga motorët kryesorë të ekonomisë globale. SHBA-ja është ekonomia më e madhe, por Turqia ka jetësuar shumë reforma ekonomike duke u bërë po ashtu ekonomia e 13-të më e madhe në botë dhe e 5-ta më e madhe në Evropë, me një prodhim të brendshëm bruto (PBB) prej 2,1 trilionë dollarësh”, theksoi zv/kryeministri turk.

Ai gjithashtu falënderoi kompanitë amerikane, të cilat operojnë në Turqi.

“Ne e mirëpresim biznesin amerikan dhe e çmojmë shumë praninë e gati 1.700 bizneseve në Turqi”, përfundoi zv/kryeministri Mehmet Simsek.



Lajme të ngjashme