Kalin: Kriza e vizave, një çështje që zgjidhet për një ditë

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën (İbrahim Kalın) tha se Ankaraja është duke vlerësuar propozimin e palës amerikane për zgjidhjen e krizës së vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kalin: Kriza e vizave, një çështje që zgjidhet për një ditë

“Çështja e vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një çështje që mund të zgjidhet brenda një dite”, u tha të enjten gazetarëve zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën (İbrahim Kalın).

Duke iu referuar bisedës telefonike që ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuloğlu) kishte realizuar të mërkurën me Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, zëdhënësi i Presidencës tha:

“Në suazën e direktivave që ka dhënë edhe Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) kemi marrë propozimin e amerikanëve në lidhje me zgjidhjen e kësaj çështjeje. Propozimin në fjalë do ta vlerësojmë, do ta shikojmë në mënyrë të detajuar. Në fakt për ne tabloja nuk është aq shumë e ndërlikuar. Kemi një proces gjyqësor që vazhdon në Turqi. Pra vazhdon procesi i marrjes në pyetje, i hetimit në lidhje me këta persona (personelin e konsullatës amerikane). Lëreni gjyqësorin të japë vendimin e duhur në lidhje me çështjen”.

Duke rikujtuar edhe një herë që gjyqësori në Turqi punon në mënyrë të pavarur nga organet e tjera Kallën tha:

“Kemi një prokuror që ka dhënë këtë vendim (për arrestim). Kemi një hetim që është në proces. Duhet që edhe ata ta shikojnë çështjen në kuadër të sundimit të ligjit, të shtetit ligjor, të pavarësisë së gjyqësorit. Shpresojmë që në lidhje me këtë çështje edhe ata arrijnë ta shikojnë më qartë tablonë dhe ndërmarrin një qëndrim pozitiv e konstruktiv për zgjidhjen e këtij problemi në kuadër të normave juridike dhe diplomatike dhe larg qasjeve të tilla revanshiste”.

Turqia për momentin është vendi i vetëm anëtar i NATO-s që lufton njëherësh me tre organizata terroriste, shtoi zëdhënësi Kallën dhe e vijoi me këto fjalë prononcimin e tij për gazetarët:

“Nga njëra anë (Turqia) lufton me PKK-në, nga një tjetër me DAESH-in dhe nga ana tjetër lufton me organizatën terroriste FETO. Tani po të shikoni mbështetjen që kanë ofruar vendet aleate në NATO apo vendet tjera mike dhe aleate Turqisë, e cila një luftë të tillë e bën në tre fronte të ndryshme, tabloja në fakt është shumë e qartë. Ne shikojmë që nuk është dhënë një mbështetje në nivel të kënaqshëm, dhe si rrjedhim i kësaj përballemi me shumë ngjarje terrorizmi. Po sikur të ndodhte e kundërta e kësaj, pra një vend tjetër anëtar i NATO-s të luftonte njëherësh me tre organizata terroriste dhe vendet e tjera të jepnin një ndihmë shumë të kufizuar, të varfër, vallë si do të reagonin këto vende?”

 


Lajme të ngjashme