Erdogani i dërgon mesazhe shumë të forta Uashingtonit

Në një takim me prefektët mbajtur të enjten në Kompleksin Presidencial në Ankara Presidenti Erdoan dha mesazhe shumë të forta në adresë të Administratës së Uashingtonit në sfondin e marrëdhënieve të tensionuara me krizën e vizave që plasi më 8 tetor.

Erdogani i dërgon mesazhe shumë të forta Uashingtonit

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se një plan i pistë shumë-drejtimësh e shumë-aktorësh është duke u zbatuar për të ndaluar ndërtimin e Turqisë së madhe dhe të fuqishme.

"Brenda këtij plani ka provokime mbi bazë sektare dhe etnike; ka bashkëpunim me organizatat terroriste. Kurse si figurantë të kësaj loje gjakatare janë bandat gjakderdhëse si PKK, FETO, DHKP-C, DAESH”,- theksoi Erdoan në fjalën që mbajti të enjten në Mbledhjen e Prefektëve, organizuar në Kompleksin Presidencial. Në fjalën e tij Presidenti Erdoan u ndal edhe në krizën e vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i dha mesazhe shumë të forta administratës së Uashingtonit.

"Ai që e ka shkaktuar këtë ngjarje (pezullimin e vizave amerikane për shtetasit turq) është ambasadori i ShBA-së këtu (në Turqi). Është e papranueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të sakrifikojnë një partner strategjik si Turqia për një Ambasador mendjemadh. Ministrin e Punëve të Jashtme Mevlut Çavushollu e udhëzova që “tekstin që kanë dërguar ata (për pezullimin e vizave) t’ua ktheni me të njëjtën monedhë, njësoj, germë për germë”, sqaroi Erdoan.

"Në qoftë se gjithë atë Amerikë e drejton ambasadori i saj në Ankara, atëherë ti vijë turp (ShBA). Pasi në fakt, këtë po tregon edhe qëndrimi që po mbahet. Ata duhet ti kishin thënë këtë ambasadorit të tyre: “Ti nuk mund të sillesh kështu me aleatin tonë strategjik, nuk mund ta ofendosh atë në këtë mënyrë. Por ata nuk e bënë dot këtë”,- u shpreh Presidenti Erdoan.

"Me marrjen e vendimit për pezullimin e vizave Turqia ka vepruar në bazë të parimit të reciprocitetit përballë masave të padrejta dhe jo-proporcionale që u ndërmorën ndaj shtetasve të saj. Ne nuk jemi aspak pala që e kemi ekzagjeruar problemin duke e sjellë atë deri në këtë gjendje. Ne nuk jemi shtet tribal (fisnor), jemi Shteti i Republikës së Turqisë. Duhet ta pranoni këtë gjë. Ajo që presim nga bashkëfolësit tanë (amerikanë) është që ti rikthehen sa më shpejt gjykimit të shëndoshë e gjakftohtësisë dhe të heqin dorë nga ndërmarrja e masave që do të dëmtonin miqësinë dhe aleancën tonë”, vijoi Erdoan. 

"Po ashtu, edhe procesi ligjor në lidhje me një punonjës të misionit amerikan në Stamboll, i cili ka punuar si staf vendor në këtë konsullatë, por që është staf që nuk gëzon imunitet diplomatik dhe njëherësh shtetas i vendit tonë, është kryer gjithashtu në përputhje me konventat, marrëveshjet ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës. Fillimisht ai është ndaluar, pastaj është arrestuar. Që nga 4 tetori nuk ka kërkuar askush të takohet me të, as të afërmit dhe as ndonjë avokat. Ato që thuhen, janë gënjeshtra. Vetëm dje ka mbërritur në prokurori një kërkesë për t’u takuar me atë”, vlerësoi Erdoan procesin e ndjekjes penale që vazhdon për punonjësin e arrestuar të Konsullatës së Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Stamboll.

Erdoani gjithashtu vuri në dukje se nuk pasqyrojnë të vërtetën pretendimet se qëllimi korridorit terrorist, që po punohet për t’u ndërtuar përgjatë kufirit jugor të Turqisë, është kinse “luftimi i DAESH-it”. 

"Korridori terrorist është vetëm për të rrethuar Turqinë. Askush të mos përpiqet të na mashtrojë për këtë", shtoi ai.

“Përkundër faktit se Turqia nuk ka marrë një përgjigje pozitive lidhur me kërkesën e saj drejtuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të blerë armatim amerikan, ky vend (ShBA) vazhdon të furnizojë me armë organizatat terroriste”, tërhoqi vëmendjen Erdoan edhe e vazhdoi fjalimin e tij me fjalët:

"Organizatës terroriste armët po ia jep falas, pa i marrë as 5 qindarka. Përse (bëhet jo)? ‘Që ta rrethojmë Turqinë nga jugu. Nga veriu i Sirisë kanë hyrë 3 mijë e 500 mauna me armatim”.

“Ata që e kanë kthyer Sirinë në tregun më të madh të armëve në botë; ata që i kanë furnizuar vrasësit me duart e lyera me gjak me armët më moderne të kohës, patjetër që nuk i bëjnë të gjitha këto në emër të demokracisë. Këto nuk kanë të bëjnë aspak me demokracinë, nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me demokracinë ", tha Erdoan.

Presidenti Erdoan bëri të ditur se këtej e tutje policia turke nuk do të përdorë më armët e prodhuara nga firma e huaj “SIG Sauer”, Turqia ka prodhuar tani armët e veta,- përfundoi ai.

 


Lajme të ngjashme