Bozdag: Përfaqësuesit turq e amerikanë takohen së shpejti për zgjidhjen e krizës së vizave

Zv.kryeministri dhe Zëdhënësi i Qeverisë, Bekir Bozda (Bekir Bozdağ) njoftoi se përfaqësuesit e Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) do të takohen për të biseduar mbi pezullimin reciprok të procedurave për lëshimin e vizave.

Bozdag: Përfaqësuesit turq e amerikanë takohen së shpejti për zgjidhjen e krizës së vizave

“Ndërmjet dy vendeve është marrë vendimi që përfaqësuesit të takohen dhe të punojnë mbi këtë çështje dhe në bazë të këtij vendimi takimi i parë do të realizohet në ditët në vijim, ku do të punohet dhe sipas përfundimeve të arritura do të merren edhe masat pasuese”, sqaroi zëdhënësi i qeverisë turke.

Në lidhje me arrestimin e Metin Topuz-it, punonjës i Konsullatës së Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Stamboll në kuadër të një hetimi kundër organizatës terroriste FETO, zv.kryeminsitri Bozda bëri këtë vlerësim:

“Ai është ndaluar në datën 25 shtator dhe më 4 tetor është arrestuar (është marrë masa e sigurisë arrest në burg). Kurse në datën 8 tetor del vendimi i vizave (për pezullimin e vizave për shtetasit turq). Ambasada amerikane ka dijeni për 25 shtatorin, po ashtu edhe për 4 tetorin. Për sa i përket të dytës (ngjarjes së 4 tetorit, kur është arrestuar), sipas legjislacionit tonë prokurori dhe forcat e rendit nuk mund të marrin dëshminë e një shtetasi të çfarëdoshëm pa praninë e avokatit. Kështu që edhe dëshmia që ka dhënë në polici është marrë në praninë e avokatit, edhe deklarata që ka bërë në prokurori është bërë me praninë e avokatit. Gjithashtu është marrë në praninë e avokatit edhe dëshmia që ka dhënë në Gjykatën Penale të Shkallës së Parë”.

Metin Topuz, punonjësi i Konsullatës së Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Stamboll, ishte arrestuar në kuadër të një hetimi kundër organizatës terroriste FETO për “tentativë për eliminimin e rendit kushtetues”, “spiunazh” dhe “eliminimin e Qeverisë së Republikës së Turqisë”.

Pas këtij zhvillimi kishte reaguar Departamenti amerikan i Shtetit. Ndërsa Ministria turke e Punëve të Jashtme ishte përgjigjur me një komunikatë me shkrim, ku thuhej: “Personi në fjalë, i ndaluar më datë 25 shtator 2017 dhe i arrestuar më pas për veprat penale të lidhura me terrorizmin, jo vetëm që nuk është staf i regjistruar në listën zyrtare të Konsullatës së Përgjithshme amerikane, por nuk gëzon as ndonjë imunitet diplomatik apo konsullor.”

Pas këtyre zhvillimeve, ShBA-ja njoftoi pezullimin e shërbimeve të vizave jomigratore në të gjitha misionet e saj diplomatike në Turqi. Pa kaluar shumë orë nga kjo deklaratë e Ambasadës amerikane në Ankara, edhe Ambasada e Turqisë në Uashington njoftoi pezullimin e shërbimeve të vizave për qytetarët amerikanë në të gjitha misionet turke në ShBA.

 


Lajme të ngjashme