Çavusoglu për “Der Spiegel”: Turqia shpreson në normalizimin e marrëdhënieve me Gjermaninë

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, ka bërë thirrje për hapa të ndërsjellë për të normalizuar marrëdhëniet Ankara-Berlin, pas muajsh tensionesh mes dy aleatëve të NATO-s...

Çavusoglu për “Der Spiegel”: Turqia shpreson në normalizimin e marrëdhënieve me Gjermaninë

Në një intervistë për të përjavshmen gjermane “Der Spiegel”, Mevlut Çavusoglu foli plot shpresë për një kthim në normalitet të marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Gjermanisë, pasi Berlini ka lënë pas tashmë zgjedhjet legjislative federale të 24 shtatorit, të cilat u dominuan nga një debat i nxehtë rreth Turqisë dhe kërkesës së Ankarasë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Unë vetë nuk shoh një arsye për të pasur probleme midis Gjermanisë dhe Turqisë”, tha Çavusoglu duke theksuar se ai ishte i gatshëm të bënte përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve.

“Personalisht i kam thënë tashmë mikut tim Sigmar Gabriel para zgjedhjeve: Le të shikojmë përpara. Nëse bën një hap drejt nesh, ne do të hedhim dy hapa drejt jush”, u shpreh ai.

Marrëdhëniet mes dy vendeve pësuan një lëkundje të madhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 24 shtatorit, pasi politikanët gjermanë sulmuan ashpër Presidentin Recep Tayyip Erdogan duke kërkuar nga Kancelarja Angela Merkel një ton më të ashpër ndaj Turqisë dhe apeluar për t’u dhënë fund bisedimeve të Ankarasë për anëtarësimin në BE.

“Qëndrimi i Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian është i njëjtë, nuk ka ndryshuar prej vitesh. Por është BE-ja ajo, që do të vendosë për vazhdimin e negociatave. Sidoqoftë, ne do të ndjekim rrugën tonë”, vlerësoi ministri turk.

I pyetur rreth marrëveshjes Turqi-BE për refugjatët, Çavusoglu tha se Ankaraja ka qenë shumë tolerante ndaj evropianëve, pasi emigracioni është një çështje, që duhet të përballohet së bashku.

“Por Brukseli nuk duhet të shtyjë apo testojë kufijtë e tolerancës së Ankarasë. Më besoni: Edhe durimi e ka një fund”, siguroi ai.

Çavusoglu tha më pas se Turqia nuk ka synuar kurrë një konfrontim apo përplasje me Gjermaninë, por vetëm ka reaguar ndaj rritjes së retorikës antiturke dhe Erdoganofobe në këtë vend, që është shtëpi e mbi 3 milionë emigrantëve turq.

“Presidenti Erdogan u është përgjigjur vetëm sulmeve nga Gjermania. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me qeverinë federale gjermane në një mënyrë të besueshme”, vijoi kreu i diplomacisë turke.

Shefja e Berlinit zyrtar ka qenë nën presion të madh nga rivalët e saj për të ngritur tonin ndaj Turqisë, veçanërisht për shkak të arrestimeve të rreth 10 shtetasve gjermanë, përfshirë një gazetar dhe një aktivist për të drejtat e njeriut, për mbështetje të organizatave terroriste.

Ndërsa qeveria e saj e koalicionit të majtë konservator mori masa ekonomike përpara zgjedhjeve për të rritur presionin politik mbi Ankaranë, Merkel kundërshtoi thirrjet për të shtrënguar masat duke tërhequr vëmendjen mbi rëndësinë e ruajtjes së dialogut me Turqinë.

Kur u pyet në lidhje me gazetarin gjerman, Deniz Yucel, ministri Çavusoglu vuri në pah se personi në fjalë nuk ishte i akredituar si gazetar në Turqi që prej vitit 2015.

“Andaj mos bëni përpjekje të kota për të më shpjeguar se ai është arrestuar për aktivitetin gazetaresk. Akuzat mbi Yucel janë të rënda dhe tërësore”, u përgjigj ai.

Çavusoglu përjashtoi më tej ndikimin politik të qeverisë turke mbi gjyqësorin në lidhje me rastet, që përfshijnë qytetarët gjermanë.

“Gjyqësori turk është i pavarur. Nuk më takon mua të dënoj apo të liroj të dyshuarit, janë gjyqtarët tanë ata që vendosin”, theksoi ministri.

Marrëdhëniet e Ankarasë me Berlinin janë tensionuar që nga përpjekja e dështuar për grusht shteti në Turqi vitin e kaluar, pasi liderët turq e kritikuan Gjermaninë për dështim në shpalosjen e një solidariteti të fortë me qeverinë turke kundër tentativës puçiste.

Politikanët turq gjithashtu e kanë kritikuar Gjermaninë për një sy qorr karshi grupeve të jashtëligjshme dhe organizatave terroriste armiqësore ndaj Turqisë, sidomos PKK-së dhe organizatës terroriste gylensite (FETO).

FETO dhe udhëheqësi i saj në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan grushtin ushtarak të mposhtur vitin e kaluar, i cili martirizoi 250 qytetarë turq dhe la rreth 2.200 të plagosur.

Në fund, Çavusoglu u pyet nëse ushtria turke do të luftonte në veri të Irakut.

“Shpresojmë që kjo të mos jetë e nevojshme. Por ne rezervojmë të drejtën për t’u vetëmbrojtur nëse paraqitet ndaj nesh një kërcënim terrorist nga pjesa veriore e Irakut”, nënvizoi kryediplomati turk.



Lajme të ngjashme