“Tigri Turk” tregon “muskujt” në Indonezi

“Kaplan MT”, një tank i kategorisë së peshës së mesme, i pari që është eksportuar nga industria turke e mbrojtjes, mori pjesë në ceremoninë zyrtare të paradës ushtarake në qytetin Cilegon të Indonezisë...

Kaplan MT.jpg
idef 2017 - Kaplan MT tankı 04
idef 2017 - Kaplan MT tankı 03
idef 2017 - Kaplan MT tankı 02
idef 2017 - Kaplan MT tankı 01

Tanku “Kaplan MT” (Tigri), projektuar dhe prodhuar në Turqi, po tregon “muskujt” në Indonezi.

“Kaplan MT”, një tank i kategorisë së peshës së mesme, i pari që është eksportuar nga industria turke e mbrojtjes, mori pjesë në ceremoninë zyrtare të paradës ushtarake në qytetin Cilegon, organizuar me rastin e 72-vjetorit të themelimit të Forcave të Armatosura Kombëtare të Indonezisë.

Prodhuar nga inxhinierët e kompanisë turke “FNSS” në bashkëpunim me partnerin e saj indonezian “PT Pindad”, në kategorinë e tij, tanku “Kaplan MT” ka një mbrojtje në nivelin më të lartë balistik edhe prej minave, ndërkohë që i mundëson një kundërpërgjigje të shpejtë, brenda një kohe të shkurtër dhe me një forcë zjarri të mjaftueshme, ndaj kërcënimeve në fushëbetejë.

“Jemi të lumtur që mbyllëm me sukses projektin e këtij tanku. Projekti në fjalë provon se ne jemi në gjendje të prodhojmë me përpjekjet, aftësitë dhe mundësitë tona mjete mbrojtëse të teknologjisë së lartë, pa qenë të varur nga vendet e huaja apo nga jashtë”, deklaroi për gazetarët presidenti i “PT Pindad”, Abraham Mose.

Ky tank – shtoi ai – është projektuar, zhvilluar dhe perfeksionuar për të plotësuar nevojat ushtrisë indoneziane për konceptin e tankut modern të kategorisë së mesme.

“KAPLAN MT” është i gatshëm të bëhet një lojtar i fuqishëm me aftësitë e precizionit maksimal të zjarrit direkt, me alternativat e shumta të municioneve, si dhe me lëvizshmëri të lartë taktiko-strategjike.

Tanku në fjalë ka të integruar një top “Cockerill” 105 mm me presion të lartë dhe një mbushës automatik të sofistikuar “CMI Cockerill 3105”. Falë këtij sistemi luftarak, “KAPLAN MT” arrin në një fuqi të lartë shkatërruese pavarësisht peshës së vogël.

Ndërsa pjesa e brendshme e mjetit luftarak, përveç ergonometrisë së ekuipazhit dhe kushteve taktike, është projektuar duke mbajtur parasysh me kujdes edhe kushtet, me të cilat mund të përballet gjatë luftimit, si drejtimi, shkrepja e armës dhe ngarkimi e nxjerrja e municionit.

Projektimi special i ndenjëses së drejtuesit siguron që ai të ketë një hapësirë të mjaftueshme pamore dhe të arrijë të gjitha pajisjet brenda kabinës. “KAPLAN MT” është i pajisur gjithashtu me sistemin e paralajmërimit me laser dhe atë drejtues luftarak, i cili siguron ndërgjegjësim taktik në komandimin e mjetit.

Kompania “PT Pindad”, që brenda këtij muaji do të bëjë publik prototipin, synon të prodhojë 20 tanke deri në fund të vitit 2018.



Lajme të ngjashme