Koment - Harta e re rrugore e ekonomisë turke

Vlerësimi i Prof. Dr. Erdal Tanas Karagol në lidhje me programin afatmesëm të ekonomisë për periudhën 2018-2020 të publikuar nga qeveria turke.

Koment - Harta e re rrugore e ekonomisë turke

Harta e re rrugore e ekonomisë turke

Është publikuar edhe programi afatmesëm për periudhën trevjeçare 2018-2020, e cila përfshinë hartën rrugore dhe objektivat e përcaktuara për këtë periudhë. Në emër të arritjes në rritje të qëndrueshme ekonomike, rritjes së punësimit dhe shpërndarjen e balancuar të të ardhurave janë përcaktuar edhe 5 politika themelore.

Të gjitha këto u publikuan me qëllim të stabilitetit makroekonomik, rritjes së kapitalit njerëzor dhe cilësisë së punës, përhapjes së prodhimit me vlerë të shtuar të lartë, përmirësimit të atmosferës së punës dhe investimeve dhe rritjes së cilësisë në sektorin publik.

Ndërkaq nën pikat kryesore të këtyre politikave në planë të parë dalin objektivat si vendosja e politikës monetare e fokusuar në stabilitetin e çmimeve, rritja e kapaciteteve të kërkim-zhvillimit dhe të risive, zhvillimi i teknologjive të informacioneve dhe të komunikacionit.

Në kuadër të këtij programi objektivi i përcaktuar i rritjes ekonomike të Turqisë për vitin 2017 fillimisht ishte 5,5%. Në qoftë se shikojmë në rritjet e publikuara për dy çereket e para të vitit që janë 5,2 dhe 5,1% atëherë shohim se nuk është vështirë që të arrihet në këto objektiva të përcaktuara të rritjes ekonomike. Performanca e suksesshme e rritjes që tregoi ekonomia turke në gjysmën e parë të vitit 2017 është mjaftë shpresëdhënëse nga aspekti i arritjes në objektivin e rritjes së vazhdueshme dhe të ekuilibruar.

Ndërkohë që ishte parashikuar që eksporti, i cili paraqet njërin prej burimeve më të rëndësishme të rritjes, deri në fund të vitit 2017 të realizohet në vlerë 156,5 miliardë dollarë, pritet që kjo shifër deri në vitin 2020 të arrijë në afërsisht 195 miliardë dollarë. Duke u nisur nga këto shifra parashikohet që kontributi i eksportit si njëri prej burimeve kryesore të rritjes ekonomike do të vazhdoj të rritjet çdo herë e më shumë edhe gjatë periudhës 2018-2020.

Në këtë kontekst me rritjen e eksportit posaçërisht të produkteve me vlerë të lartë të shtuar edhe rritja ekonomike do të jetë më e qëndrueshme. Nuk duhet harruar që ekonomitë, të cilat e marrin forcën nga eksporti, kanë një pozitë më të shëndoshë në konkurrencën ndërkombëtare.

Natyrisht që kur bëhet fjalë për rritjen ekonomike aq sa janë të rëndësishme stabiliteti dhe vazhdueshmëria, po aq e rëndësishme është edhe gjithëpërfshirja. Rruga që rritja ekonomike të ndjehet tek të gjitha shtresat e shoqërisë kalon nga gjithëpërfshirja. Aktualisht në Turqi janë duke u hedhur hapat e rëndësishme në çështjet si ndihmat sociale, mobilizimi për punësi dhe stimulimi me të cilat synohet arritja në rritje ekonomike që kontribuon në rritjen e punësimit.

Nëse duhet të prekim në shifrat e papunësisë të përcaktuara si objektiv në kuadër të këtij programi atëherë shohim se niveli i papunësisë gjatë vitit 2017 do të mbetet në 10,8%. Pritet që në vitit 2019 ky nivel të ulet në numra njëshifrore dhe në vitin 2020 të ulet në 9,6%. Rruga për uljen e nivelit të papunësisë që është njëra prej problemeve më të rëndësishme për ekonomitë e shumicës së vendeve të zhvilluara dhe të atyre në zhvillim si dhe për ekonominë turke kalon nga politikat e rritjes së vazhdueshme.

Njëra prej hapave të rëndësishme të hedhura në këtë drejtim në Turqi është edhe mobilizimi për punësim. Edhe Strategjia Kombëtare e Punësimit për periudhën 2017-2019 e publikuar para disa muajve mund të vlerësohet si një dokument i rëndësishëm në këtë kontekst. Vënia në pah të strategjive të rëndësishme në objektivat e caktuara në këtë dokument, tregojnë se sa të rëndësishme janë çështjet si marrëdhëniet arsim-punësim, grupet e pafavorizuara dhe pjesëmarrja e grave në fuqinë e punës.

Një tregues tjetër i makroekonomisë të cilës i është kushtuar rëndësi në program është inflacioni. Ndërkohë që objektivi i inflacionit për vitin 2017 ishte përcaktuar në nivel 9,5% shohim se në fund të këtij programi ky nivel është ulur në 5%. Pritet që faktorët që do të ndikojnë në mbajtjen në nivel të ulët të inflacionit gjatë këtij procesi në njërën anë të jenë zhvillimet në tregun e brendshëm dhe në anën tjetër faktorët e jashtëm.

Së fundmi një çështje tjetër që tërheq vëmendjen në kuadër të këtij programi është rritja e të ardhurave për kokë në vitin 2020. Sipas parashikimeve të bëra të ardhurat për kokë në Turqi deri në vitin 2020 do të jenë 13 mijë dollarë. Kjo rritje është tregues se Turqia do të zë vend në mesin e ekonomive me të ardhura të larta. Prandaj, pritet që viti 2020 të jetë një vit kur do të arrihet në rritje të qëndrueshme në ekonominë turke, në nivel të ulët të inflacionit dhe të papunësisë dhe të jetë një vit kur Turqia do të radhitet në mesin e ekonomive me të ardhura të larta.

Autor: Prof. Dr. Erdal Tanas KARAGOL  



Lajme të ngjashme