Koment – Jetësohet Politika Kombëtare Energjetike dhe Minerare e Turqisë

Ky dokument strategjik do ta bëjë Turqinë një aktor më të fuqishëm në shkallë rajonale dhe globale, dhe do ta udhëheqë vendin drejt shfrytëzimit më efektiv dhe të frytshëm të burimeve të veta.

enerji.jpg
isveç, nükleer enerji santralleri.jpg
güneş enerjisi
ırak-Türkiye enerji işbirliği.jpg
günes-enerjisi.jpg
enerji_kongresi_logo.jpg

PODCAST – Turqia vë në jetë Politikën Kombëtare Energjetike dhe Minerare

Projektet e hartuara në kuadër të Politikës Kombëtare Energjetike dhe Minerare të Turqisë, e cila iu prezantua opinionit publik më datë 5 prill 2017, nën temën “Ekonomia dhe Siguria Kombëtare e Fuqishme”, po shtohen çdo ditë e më shumë. Siç dihet, investimet në energjinë e rinovueshme të Turqisë filluan me energjinë diellore dhe po vazhdojnë vrullshëm me tenderin e disa javëve më parë për ndërtimin e impiantit të energjisë eolike (energjia e erës). Krahas investimeve në fjalë, vlen të përmenden gjithashtu projektet në lidhje me burimet energjetike vendore si linjiti dhe llojet e tjera të qymyrgurit. Në këtë drejtim, po shihet qartë zgjerimi i vazhdueshëm i mekanizmave stimuluese për rritjen e përdorimit të qymyrit vendas, në vend të atij të importuar.

Politika Kombëtare Energjetike dhe Minerare, e cila ka marrë formë përreth boshtit të Sigurisë së Furnizimit me Energji, atij të Kombëtarizimit dhe aksit të Tregut të Parashikueshëm, është maksimalisht e rëndësishme në aspektin e shpalosjes së vizionit të ardhshëm të Turqisë për energjinë. Së bashku me projektet e kombëtarizimit dhe sigurisë së furnizimit, të cilat synojnë reduktimin e vartësisë së jashtme të Turqisë për energji, hapa me rëndësi të jashtëzakonshme po bëhen gjithashtu për të jetësuar modelin e një tregu të parashikueshëm, në mbështetje të objektivit për t’u bërë vend qendror në energjetikë.

Sa i përket sigurimit të furnizimit të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm me energji, aktivitetete, të cilat nisën sidomos me impiantet e depozitimit të gazit natyror, po vijojnë me sondazhet për hidrokarbure në Detin e Zi dhe Mesdhe. Me synimin për të reduktuar në minimum rreziqet në lidhje me sigurinë e furnizimit me energji, Turqia po bën lëvizje domethënëse edhe për zgjerimin e rrjetit të vendeve, nga ku importon energji. Në këtë pikë, shumë të rëndësishme janë gjithashtu tubacionet e naftës dhe gazit, të cilat planifikohen të kalojnë nga territoret turke.

Me projektet TANAP (Gazsjellësi Transanadollas), që parashikohet të jetë funksional andej nga gjysma e vitit 2018, si dhe Rryma Turke, në plan të përfundojë në 2020-n, Turqinë e pret një rol me peshë madhore jo vetëm për garantimin e sigurisë së furnizimit, por edhe në lidhje me pozicionin e saj në lojën globale të energjisë. Në mungesë të burimeve fosile të energjisë, Turqia aspiron ta mbyllë këtë vakum duke përdorur avantazhin e pozitës së saj gjeografike.

Për këtë, të gjitha institucionet dhe organizatat qeveritare me aktivitet në fushën e energjisë, me në krye Ministrinë e Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, po i mëshojnë fuqishëm projekteve infrastrukturore të nevojshme në sektorin e sipërcituar. Turqia duhet të shumëfishojë pa humbur kohë dhe vrull investimet energjetike edhe gjatë procesit në vijim, andaj Politika Kombëtare Energjetike dhe Minerare e Turqisë ka cilësinë e një harte apo udhërrëfyesi në aspektin e centrimit të objektivave të ardhshme në energji.

Teksa korniza e përgjithshme e energjetikës është duke u përcaktuar në këtë formë, autoritetet turke po qëndrojnë mbi çështje deri tani të vonuara edhe në fushën minerare, e cila mishëron kapitullin e dytë të politikës kombëtare në fjalë. Sektori minerar duhet të zhvillohet me shpejtësi për të vënë në shërbim të ekonomisë burimet me potencial madhor, që janë të shumta brenda vendit. Duke qenë kështu, përgatitja e hartave gjeofizike dhe gjeokimike, mbi të cilat këmbëngulet fuqishëm në Politikën Kombëtare Energjetike dhe Minerare të Turqisë, rezulton me rëndësi të jashtëzakonshme për evidentimin e burimeve minerare.

Investimet teknologjike dhe njerëzore në këto fusha duhet të bëhen në koordinim të plotë me zbulimin e të gjithë këtij potenciali. Falë politikave të parashikuara për t’u mbështetur nga investimet në fushën e kërkimit dhe zhvillimit, sektori energjetik dhe ai minerar do të kombëtarizohen dhe forcohen brenda një kohe të shkurtër.

Së fundmi, me protokollin e “Arsimit dhe Bashkëpunimit Profesional”, nënshkruar pak ditë më parë ndërmjet Ministrisë së Arsimit Kombëtar dhe Ministrisë së Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, synohet të mbushet edhe vakumi i personelit të kualifikuar në sektorin e energjisë dhe minierave. Protokolli në fjalë parashikon hapjen e 12 shkollave të mesme teknike në 11 qytete të Turqisë, në përpjekje për të formuar burime njerëzore të kualifikuara në fushën e teknologjive energjetike dhe minerare për të eliminuar një mangësi të rëndësishme. Kështu, ndërsa vlerëson potencialin e saj të burimeve në njërën anë, Turqia do të sigurojë përfitime ekonomike duke rritur punësimin në vend me personel të kualifikuar në anën tjetër.

Nuk duhet të harrohet se këto projekte, të cilat po jetësohen me shpejtësi në kuadër të Politikës Kombëtare Energjetike dhe Minerare, do të kenë efekte në shumë fusha të jetës në Turqi, nga ekonomia në mirëqenie dhe nga siguria në polikë. Në këtë aspekt, ky dokument strategjik, që po jetësohet për ta bërë Turqinë një aktor më të fuqishëm në shkallë rajonale dhe globale, do ta udhëheqë vendin drejt shfrytëzimit më efektiv dhe të frytshëm të burimeve të veta.

Autor: prof. dr. Erdal Tanas KARAGÖL

Shqipëroi: Hilmi VELAGOSHTI

 


Lajme të ngjashme