Yerkhov: Marrëdhëniet Moskë-Ankara janë "premtuese"

Ambasadori i ri i Rusisë në Ankara, Aleksey Yerkhov në një takim me përfaqësuesit e disa mediave turke në Ambasadë tha se dialogu politik i vendit të tij me Turqinë po zhvillohet me shpejtësi dhe mes dy vendeve ekziston një koordinim shumë i ngushtë.

rusya-nın ankara büyükelçisi aleksey yerhov2.jpg
rusya-nın ankara büyükelçisi aleksey yerhov4.jpg
türkiye-rusya dışişleri.jpg
türkiye rusya s-400.jpg
Türkiye-rusya, ithalat-ihracat.jpg
Türkiye-Rusya ticaretinin önündeki engeller kalkıyor.jpg

Detyrën në Ankara Yerhov e filloi pas paraqitjes së letrave kredenciale Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) më 27 korrik. Marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale ai i vlerësoi për përfaqësuesit e disa mediave në Ankara.

Në lidhje me emërimin e tij në Turqi pas vdekjes së pararendësit të tij, Andrey Karlov si pasojë e një sulmi të armatosur në Ankara, Yerhova tha: “Kjo ngjarje u prit me një keqardhje shumë të madhe si në nivelin e ministrisë tonë të Punëve të Jashtme, ashtu edhe në mbarë vendin. Nga institucionet kompetente të Republikës së Turqisë dhe qytetarët turq erdhën ngushëllime. Ne e vlerësuam numrin e madh të këtyre mesazheve ngushëlluese. Po ashtu vlerësojmë edhe vendimet që kanë marrë autoritetet kompetente turke dhe masat që kanë marrë ato në emër të përjetësimit të kujtimit të ambasadorit të ndjerë. Ende po bëhet një punë serioze. Ka edhe disa plane për të ardhmen duke bashkëvepruar edhe me ambasadën, edhe me institucionet kompetente ruse”.

Yerhov vlerësoi edhe pikën e fundit të arritur në hetimin që vazhdon mbi vrasjen e ish-ambasadorit Karlov.

“E dimë që pala turke i vazhdon hetimet. E kemi shumë të qartë që institucionet që merren me hetimin e kësaj çështjeje në Rusi janë në kontakt të ngushtë me homologët e tyre turq. Jemi të bindur që me përfundimin e hetimit rezultatet do të bëhen publike, do të ndahen me publikun turk”, sqaroi Yerhov.

Në lidhje me situatën aktuale të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve ambasadori tha se gjendja është premtuese duke shtuar se ai që zhvillohet më shpejtë është dialogu politik.

Yerhov foli edhe për bisedimet që zhvillohen ndërmjet dy vendeve dhe hapat e përbashkët që hidhen në lidhje çështjet rajonale dhe globale.

Yerkhov tha se ka një koordinim "shumë të ngushtë" ndërmjet Moskës dhe Ankarasë në Siri, bazuar në "kontekstin e procesit të Astanës".

“Natyrisht që në krye të këtyre çështjeve qëndron Siria. Në kontekst ndërmjet dy vendeve ekziston një koordinim shumë i ngushtë. Një marrëdhënie shumë e mirë ekziston në kuadër të procesit të Astanës (bisedimet e Astanës për Sirinë). Qëllimi kryesor i procesit të bisedimeve në Astana është krijimi i një atmosfere jo-konfliktuale në disa rajone të Sirisë. Ecuria e mirë e punëve këtu në fakt është vetëm një prej arsyeve për ti bërë përpjekjet tona edhe më aktive në të ardhmen”, u tha Yerhov gazetarëve turq në një mbledhje mbajtur në Ambasadën ruse në Ankara.

"Ne e dimë se situata në Sirinë veriore tani është shumë e ndjeshme dhe është bërë e ndjeshme pas zhvillimeve të fundit. Ndjeshmëria e kësaj situate tregon se ne duhet të kemi bashkëpunim të ngushtë midis dy vendeve", tha Yerkhov.

“Siç jeni në dijeni në zonat ku janë ndërprerë luftimet mund ti çoni menjëherë ndihmat humanitare; lind shansi për të dërguar këtu lëndë ushqimore, pajisje mjekësore, ilaçe dhe ndihma të tjera që janë nevoja themelore për popullin. Objektivi është i bukur dhe ia vlen angazhimi me hapat e hedhur për realizimin e këtij objektivi”,- shtoi ambasadori rus.

Yerkhov tha se procesi i Astanës nuk bie ndesh me bisedimet në Gjenevë, duke shtuar: "Për këtë arsye institucionet dhe organizatat që mund të kontribuojnë pozitivisht në të dyja proceset duhet patjetër të marrin pjesë në të".

Një armëpushim në dhjetor në Siri i ndërmjetësuar nga Rusia, Turqia dhe Irani çoi deri në bisedimet e Astanës, të cilat po zhvillohen paralelisht me bisedimet e mbështetura nga OKB në Gjenevë, për të gjetur një zgjidhje politike për konfliktin gjashtëvjeçar në Siri.

Ambasadori i sapoemëruar, më parë drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave të Ministrisë së Jashtme ruse, zëvendëson Andrey Karlov, i cili u vra në një ekspozitë arti në Ankara më 19 dhjetor të vitit të kaluar.

Karlov ishte duke mbajtur një fjalim në hapjen e një galerie arti kur një person i armatosur e qëlloi atë disa herë.

Marrëdhëniet turko-ruse iu nënshtruan një sprove pas vrasjes së Karlovit. Megjithatë, udhëheqësi rus Vladimir Putin e përshkroi vrasjen si një "provokim" të dizajnuar për të minuar marrëdhëniet me Turqinë.

Yerkhov këmbënguli se dialogu politik midis Rusisë dhe Turqisë po rritet. "Jam duke folur për komunikimin mes kryesisë sonë të lartë. Bisedimet telefonike midis presidentit të Rusisë (Vladimir Putin) dhe presidentit të Turqisë (Rexhep Tajip Erdoan) kanë fituar një vrull të rëndësishëm kohët e fundit", shtoi ai.

Yerkhov gjithashtu ka shërbyer si konsull i përgjithshëm i Rusisë në Stamboll, midis viteve 2009 dhe 2015.

"Gjatë gjashtë viteve të shërbimit tim, natyrisht që kam pasur kohë të vështira dhe të bukura, por këto gjashtë vjet kanë qenë vitet më të lumtura të jetës sime", tha ai për përfaqësuesit e disa mediave turke.

Marrëdhëniet ekonomike po zhvillohen sërish

Yerkhov tha se vëllimi tregtar mes Moskës dhe Ankarasë kishte pësuar një rënie, por marrëdhëniet ekonomike në përgjithësi janë zhvilluar. "Ne mendojmë se ka ende potencial thelbësor në tregtinë midis dy vendeve që ende nuk është zbuluar", shtoi ai.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan e përsërit shpesh se dëshira e Turqisë është të rrisë vëllimin e tregtisë me Rusinë deri në 100 miliardë dollarë.

Pasi Turqia rrëzoi një avion ushtarak rus si pasojë e shkeljes së hapësirës së saj ajrore në nëntor të vitit 2015, Moska mori disa masa kundër Ankarasë, duke përfshirë ndalimin e importeve të produkteve bujqësore turke dhe dhënien fund të udhëtimit pa viza për qytetarët turq.

Në qershor, Moska hoqi kufizimet për disa prodhime bujqësore dhe kompanitë turke të përfshira në ndërtim, inxhinieri dhe turizëm.

Sistemi raketor rus S-400

Yerkhov refuzoi të komentojë lidhur me dërgimin e sistemit raketor kundërajror rus në Turqi, duke thënë: "Kjo është një pyetje që unë nuk dua të përgjigjem".

"Për shkak të ndjeshmërisë, ajo është duke u diskutuar në mënyrë të detajuar nga mediat turke dhe ruse. Në këtë çështje ekziston një zhurmë e madhe si në Uashington, ashtu edhe në Bruksel, por nëse shikoni në faqet ruse të internetit, do të gjeni shumë interpretime të ndryshme", tha ai.

Yerkhov tha se çdo fjalë e tij për këtë çështje mund të perceptohet si e vërtetë apo ndryshe, ose mund të abuzohet me to. "Oferta ime është të flasim për këtë çështje pas një kohe," shtoi ai.

Erdoani më parë ka thënë se negociatat mbi sistemin raketor janë "kryesisht" të përfunduara dhe se blerja e sistemit S-400 nuk është "shqetësuese".

Sistemi S-400 u prezantua në vitin 2007 dhe mund të mbajë tri lloje të raketave të afta për të shkatërruar objektiva tokësore dhe ajrore, duke përfshirë edhe raketat balistike dhe ato kryqëzore.

Ky sistem mund të ndjekë dhe të aktivizohet për 300 objektiva në të njëjtën kohë, ndërsa lartësia e tij e veprimit arrin deri në 27 kilometra.



Lajme të ngjashme