Koment – Epoka e terrorizmit dhe e hipokrizisë

Bota po injoron vdekjen tragjike të një mësueseje të re të muzikës, znjsh. Yalçin, që u bë një tjetër viktimë e terroristëve të PKK-së, duke na kujtuar përsëri se jetojmë në një epokë terrorizmi dhe hipokrizie me standarde të dyfishta...

Koment – Epoka e terrorizmit dhe e hipokrizisë

Koment – Epoka e terrorizmit dhe e hipokrizisë

(Fotografia – Njerëzit mbushën rrugët në ceremoninë e varrimit të mësueses 22-vjeçare të muzikës, Senay Aybuke Yalçin, që u vra nga një sulm terrorist i PKK-së në qytetin juglindor Batman të Turqisë, ku ajo ishte emëruar në një shkollë publike në tetor të vitit të kaluar.)

 

Më datë 9 qershor, një grup terroristësh të PKK-së në qytezën Kozluk të provincës lindore Batman të Turqisë ngarkuan me eksplozivë një automjet të vjedhur, qëlluan me armë drejt makinës së Kryetarit të Bashkisë, Veysi Isik dhe shpërthyen autobombën në afërsi të një pikë kontrolli të xhandarmërisë. Kryebashkiaku Isik i mbijetoi sulmit, por plumbat e gjuajtur nga terroristët goditën edhe një makinë tjetër aty afër duke i marrë jetën mësueses 22-vjeçare të muzikës, Senay Aybuke Yalçin. Në të njëjtin sulm ra dëshmor gjithashtu rreshteri Soner Fazlioglu.

Sulmi i fundit terrorist i PKK-së gati sa nuk u mbulua fare nga mediat ndërkombëtare. Me përjashtim të gazetës “Daily Sabah” dhe një pjese të vogël të burimeve informative në gjuhën angleze në Turqi, bota injoroi vdekjen tragjike të një vajze të re, sepse ajo nuk përputhej me rrëfenjën perëndimore rreth PKK-së apo franshizës së saj siriane, Njësitë e Mbrojtjes Popullore (YPG). As nuk pamë ndonjë deklaratë dënimi apo shprehje simpatie nga ata, që nuk humbasin asnjë shans për të shfajësuar PKK-në dhe për të predikuar drejt Turqisë mbi virtytet e dialogut dhe negociatave në luftën kundër terrorizmit; këshillë të cilën ata nuk do t'ua jepnin kurrë qeverive perëndimore për të luftuar terrorizmin e organizatave si DAESH-i apo Al-Kaida. Kjo na rikujton edhe një tjetër herë se ne jetojmë në një epokë të terrorizmit dhe të hipokrizisë plot me standarde të dyfishta, të cilat vështirë se i kemi parë ndonjëherë tjetër në historinë e kohëve të fundit.

PKK-ja ka një histori të gjatë me shënjestrimin e mësuesve, politikanëve civilë dhe jo-luftëtarëve të tjerë. Që nga viti 1984 e këtej, kjo organizatë ka marrë përgjegjësinë për vdekjen e më shumë se 150 mësuesve të shkollave. Sulmet e tyre kundër mësuesve kanë qenë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të minuar autoritetin e shtetit, për t’u mohuar kryesisht fëmijëve kurdë mundësitë arsimore dhe për të dekurajuar mësuesit e tjerë nga marrja e vendeve të punës në qytetet lindore dhe juglindore të Turqisë. Disa nga sulmet më traumatike të PKK-së, në fakt, kanë synuar mësuesit dhe edukatorët. Në shtator të vitit 1994, në ditën e parë të shkollës, terroristët e PKK-së rrëmbyen 6 mësues të shkollave publike nga shtëpitë e tyre në qytetin Tunceli për t'i ekzekutuar ata në sheshin e qytetit, ku detyruan edhe banorët e zonës që të shikonin ekzekutimin. Një muaj më vonë, 4 mësues të tjerë u vranë nga terroristët e PKK-së në qytezën Tekman të provincës Erzurum. Padyshim që këto lajme u pasqyruan në një farë mënyre në media. Por ato nuk arritën kurrë nivelin e një historie tronditëse, e cila ngulitet në mendjet e njerëzve, sepse kështu do të rrëzonin narrativën hipokrite të terroristëve të mirë, humanistë, dhe liridashës të PKK-së, që luftojnë kundër DAESH-it.

Organizata terroriste PKK ka kryer një numër të madh sulmesh kundër forcave të paarmatosura të sigurisë, të cilët konsiderohen jo-luftëtarë sipas ligjit ndërkombëtar. Përveç këtyre sulmeve, në maj të vitit 1993, terroristët e PKK-së vranë me gjakftohtësi dhe pa pikë mëshire 33 ushtarë të paarmatosur në autostradën Bingol-Elazig, në zonën lindore të Turqisë. Në një sulm me autobombë në vitin 2016 kundër kazermave ushtarake në Kayseri, 13 ushtarë u vranë dhe 36 të tjerë i mbijetuan sulmin me lëndime të ndryshme, mes të cilëve edhe disa të gjymtuar. Burimet propagandistike të PKK-së, të cilat bëjnë transmetime dhe publikime nga vende evropiane si Gjermania dhe Austria, e lavdëruan këtë sulm. Kur ne e ngremë këtë çështje me zyrtarët evropianë, ata fshihen pas lirisë së shprehjes. Që kur mund të abuzohet liria e medias për të përhapur propagandën terroriste? A do të lejojnë qeveritë perëndimore që të përlëvdohet terrorizmi me ndonjë pretekst?

Absolutisht jo. Për më tepër, ato do të shtrëngonin masat e sigurisë për të mbrojtur qytetarët e tyre siç kanë bërë, me të drejtë, pas çdo sulmi terrorist në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është e drejta e tyre dhe askush nuk duhet t'i fajësojë ata. Por pse ballafaqohemi me këto standarde të dyfishta dhe hipokrizi kur bëhet fjalë për luftën e Turqisë kundër terrorizmit?

Në shumë mënyra, ky është qëndrimi tipik “Bon pour l'Orient” (Mirë për Lindjen). Eurocentrizmi është ende shumë i gjallë në arteriet e sistemit aktual botëror. Në këtë mendësi, terrorizmi është një problem global shumë i keq dhe urgjent kur dëmton interesat perëndimore, si dhe një çështje më e vogël kur ai tregon fytyrën e tij të shëmtuar diku tjetër. Mirëpo kjo është një qasje vetasgjësuese, pra, që “i bën gropën vetes”. Ne jetojmë në një epokë ndërvarësie në rritje dhe askush nuk është i sigurt në këtë botë të pasigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt. Historia bashkëkohore e terrorizmit duhet të na kishte ngulitur të paktën këtë mësim.

Gjatë viteve të fundit, mediat perëndimore i paraqitën terroristët e PKK/YPG-së si role model (shembuj për t’u ndjekur – shën. i përkth.). Në muajin tetor të 2014-s, ndërsa përplasjet mes DAESH-it dhe YPG-së vazhdonin në Kobani, revista franceze “Marie Claire” u kritikua për publikimin e fotografive të dy ushtarëve fëmijë, 12 dhe 14 vjeç, që luftonin në radhët e YPG-së. Duke pranuar moshat e “ushtarëve”, redaktorët e revistës i përshkruan dy miturakët si figura me ndikim. Por fushata e koordinuar për të justifikuar e zbardhur krimet e PKK-së dhe për t'i dhënë terroristëve një imazh të ri vazhdon pa u reshtur ende sot e kësaj dite. Në një artikull të publikuar gjatë marsit 2017, gazeta amerikane “The New York Times” iu shmang referimit ndaj PKK-së duke folur për dy fushata terroriste në Turqi: “Një e udhëhequr nga kurdët laikë, tjetra nga ekstremistët e DAESH-it”. Në një rast tjetër, PKK-ja është portretizuar si një mbrojtëse e barazisë gjinore, sepse udhëheqësit e lartë të organizatës ishin të gatshëm të dërgonin burra dhe gra për të vrarë njerëz të pafajshëm.

Mënyra e mbulimit të vdekjes së znjsh. Yalçin nga mediat ose mungesa e një transmetimi realist në lidhje me këtë ngjarje tragjike, është alarmante, për të mos thënë më shumë. Vetëm pse bota nuk dëshiron të shohë që terroristët e PKK-së vrasin, dhunojnë dhe shtypin këdo që u del përpara, nuk i bën viktimat më pak të vërteta ose krimet më pak të rënda. Si të mos mjaftonin gjithë këto mynxyra të PKK-së, ajo është e njëjta organizatë që kontrollon pjesë të mëdha në zonat veriore të Sirisë dhe kryen, sipas “Amnesty International” dhe institucioneve të tjera të ngjashme me të, krime lufte kundër qytetarëve jo-kurdë dhe anëtarëve të grupeve rivale kurde duke i detyruar ata që të largohen nga tokat e tyre, duke i burgosur ata arbitrarisht apo dhe më keq. Sigurisht që disa nga këto fakte janë pasqyruar në një farë mënyre në mediat perëndimore. Por nuk u bënë kurrë një narrativë gjithëpërfshirëse dhe një histori, e cila ngulitet dhe përsëritet miliona herë në organe mediatike dhe qarqe politike të panumërta.

Ndërkohë, mësuesit/mësueset e rinj/reja si Senay Aybuke Yalçin, që vuri një buzëqeshje të madhe në llogarinë e saj në “Facebook” për të festuar emërimin e saj në një shkollë publike në Batman tetorin e kaluar, vazhdojnë të rrezikojnë jetën e tyre vetëm e vetëm për t’u dhënë mijëra fëmijëve të disavantazhuar një mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur. Mbrojtja e amanetit të tyre, vazhdimi i veprës së tyre dhe mbajtja gjallë e kujtimit të tyre është një përgjegjësi morale kundër hipokrizisë së diskursit antiterrorizëm.

 

Autor: Ibrahim Kalin - Zëdhënës dhe nënsekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme