Turqia, vend i preferuar për kirurgjinë estetike

Specialisti i kirurgjisë plastike, rekonstruktive dhe estetike, Op. Dr. Gynxhel Ëztyrk, thotë se qytetarë nga vende të Evropës dhe Lindjes së Mesme parapëlqejnë Turqinë në fushën e kirurgjisë estetike.

sağlık turizmi
sağlık.jpg
gen saç.jpg
sağlık turizmi-gg
sağlık

Në një prononcim për agjencinë turke të lajmeve AA, Specialisti i kirurgjisë plastike, rekonstruktive dhe estetike, Op. Dr. Gynxhel Ëztyrk (Güncel Öztürk), thekson se kirurgjia estetike në Turqi ka pozitë të avancuar në renditjen botërore. "Në renditjen botërore jemi në dhjetëshen e parë. Mjekët tanë bëjnë punë shumë të suksesshme në kirurgjinë estetike. Kjo gjë sjell kontribut në turizmin shëndetësor dhe rrjedhimisht, në ekonominë e vendit", shprehet Ëztyrk.

Ëztyrk thotë se në nivel botëror në turizmin shëndetësor ekziston një treg në vlerë prej afër 100 miliardë dollarësh, ndërsa duke folur për arsyet themelore mbi preferencat ndaj Turqisë për sa i përket kirurgjisë estetike, Ëztyrk thotë:

"Fakti që çmimet janë më të ulëta në krahasim me shtetet e tjera bën që Turqia të jetë atraktive. Domethënë, çmimet, mos-pritja në radhë, fakti që udhëtimi ndërkombëtar është bërë më i lehtë dhe më ekonomik dhe shërbimet shëndetësore me teknologji dhe standarde të larta mund të them se janë avantazhet e Turqisë".

Ndërkaq, duke i radhitur operacionet më të shpeshta në fushën e kirurgjisë estetike, Ëztyrk thekson se "Krahas operacioneve të rinoplastisë, gjoksit, liposuksionit dhe estetikës së kapakëve të syrit, në masë të madhe bëhet edhe mbjellja e flokëve". 

Ai shton se në këtë mënyrë, shumë pacientë vijnë për operacione estetike nga shtetet e Evropës, si Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda, Danimarka dhe Britania.

"Për Turqinë ka interesim të madh për mbjellje të flokëve

Ëztyrk më tej shprehet se ka shumë persona që vijnë në Turqi për të mbjellë flokët.

"Çmimet në Turqi janë më të ulëta krahasuar me shtetet e tjera. Mbjellja e flokëve në Evropë bëhet me një çmim rreth dhjetë mijë eurosh, kurse në SHBA kjo shifër arrin deri në 30 mijë dollarë. Ndërkaq, këto shifra janë shumë të volitshme në Turqi. Çmimet e volitshme bëjnë që Turqia të jetë vend atraktiv. Turqia ka përparësi në këtë fushë. Pacientët vijnë jo vetëm nga shtetet e Evropës, por edhe nga shtetet arabe, veçanërisht nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Iraku, Egjipti dhe Libani", thekson Ëztyrk.

Siç vë në dukje ai, gjatë operacioneve për mbjelljen e flokëve më së shumti përdoren metodat FUE Gold, DHI (Direct Hair Implant) dhe IceGraft.

"Ne më së shumti përdorim metodën DHI. Përmes kësaj metode, pacienti mund t'i kthehet jetës sociale më shpejtë. Pas disa ditësh ai mund të udhëtojë me avion, ndërkohë që edhe rezultatet janë më të mira. Natyrisht, rëndësi ka edhe trajnimi i personit që zbaton këtë metodë, talenti i tij dhe suksesi", shprehet Ëztyrk.

"Turqia në pesëshen e parë në fushën rinoplastikës"


Ëztyrk tregon se pas mbjelljes së flokëve, rinoplastika është në krye të operacioneve që tërheqin interesimin më të madh. Ai thotë se Turqia kryeson në fushën e rinoplastikës.

"Mendoj se ndodhemi në pesëshen e parë. Edhe operacionet e estetikës së gjoksit, abdominoplastikës dhe kapakut të syrit renditen lartë. Më pas vijnë operacionet e fytyrës, qafës dhe veshëve. Kirurgjia estetike, krahas trajtimeve të tjera mjekësore siç është kanceri, po ashtu intensifikon hyrjen e valutës së huaj në vend", tha Ëztyrk.

"Spitalet në Turqi në nivele më të avancuara sesa ato në Evropë dhe SHBA"

Në fund, duke iu drejtuar atyre që dëshirojnë të bëjnë operacione estetike në Turqi, Ëztyrk thotë: "Mund të them se Turqia ka shënuar përparim fillimisht në fushën e shëndetësisë. Edhe mjekët tanë janë mjaft të trajnuar, të suksesshëm dhe të talentuar. Turqia kryeson me spitalet, e veçanërisht me spitalet e grupit A. Ato ndodhen në nivele më të larta sesa spitalet në shumë vende të Evropës dhe ato në ShBA. Edhe sektori i hotelerisë dhe transportit ka avancuar në masë të madhe. Për këtë arsye, ju mund të ‘zbukuroheni’ në Turqi. Nëse doni që bukurisë t'i shtoni edhe më tepër bukuri, atëherë ju presim në Turqi".

Ndryshe, Op. Dr. Gynxhel Ëztyrk, i cili punon në fushën e kirurgjisë estetike prej rreth dhjetë vitesh, në të njëjtën kohë merr pjesë edhe në ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare me pikturat dhe skulpturat e tij.

"Arti i pikturës dhe skulpturës janë pjesë e profesionit tim, sepse nocionet e estetikës dhe plastikës janë nocione artistike. Këto janë integruar në profesionin tim. Kjo gjë, nga ana tjetër, më ngjall emocione. Profesioni dhe aktivitetet e mia artistike plotësojnë njëra-tjetrën dhe janë në harmoni", thotë Ëztyrk.



Lajme të ngjashme