Shtypi botëror 12.10.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar këtë javë nga mediat botërore.

Shtypi botëror 12.10.2018

Radio “Zëri i Rusisë”: Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) ka reaguar edhe një herë ndaj vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që vazhdojnë taktikën e sorollatjes në procesin e anëtarësimit të plotë të Turqisë në Union. “Nëse do të na merrni, na jepni sinjale, nëse nuk do të na pranoni, atëherë na e thoni. Dhe kështu nuk na lodhni as ne, e as veten tuaj. Ju shkoni në rrugën tuaj dhe ne në tonën”,- ka thënë Erdoan sipas “Zërit të Rusisë”.

Agjencia franceze e lajmeve “AFP”: Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) i ka bërë edhe një herë presion Riadit për të zbuluar pamjet e xhiruara nga kamerat dhe që provojë që gazetari i zhdukur saudit, Jamal Khashoggi ka dalë me të vërtetë nga Konsullata e Përgjithshme e Arabisë Saudite në Stamboll. Turqia “nuk mund të heshtë”, ka paralajmëruar Erdoan sipas lajmit të AFP-së.

Agjencia gjermane e lajmeve “DPA”: Turqia dhe Arabia Saudite do ta hetojnë së bashku rastin e Jamal Khashoggi, i cili është zhdukur në Stamboll. Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kallën (İbrahim Kalın) tha se “rasti do të zbardhet në të gjitha drejtimet nga një grup i përbashkët pune që do të krijohet për këtë çështje”.

Gazeta gjermane “Allgemiene Zeitung”: Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ne vitet 2018 dhe 2019 Turqia do të rritet me afërsisht 4%, kurse për Gjermaninë norma e parashikuar e rritjes ekonomike është 1,9% dhe për Francën pritet të jetë 1,6%.

Agjencia angleze e lajmeve “Reuters”: Ministria e Mbrojtjes së Turqisë ka bërë të ditur se në provincën Idlib të Sirisë është krijuar zona e çarmatimit, sipas marrëveshjes së arritur muajin e kaluar në Soçi mes liderëve rus e turk, si dhe grupet në terren kanë tërhequr armatimin e rëndë nga kjo provincë.

Agjencia zyrtare e lajmeve të Iranit, “IRNA”: Në qytetin Maku, që ndodhet afër kufirit turk, Irani po ndërton një zonë industriale për bashkëprodhim me Turqinë.

Agjencia tjetër iraniane e lajmeve “ISNA”: Sekretari i Këshillit të Përbashkët të Tregtisë Iran-Turqi, Seit Xhelal Ibrahimi ka thënë se ndërmjet dy vendeve mund të krijohet një bankë e përbashkët për të rritur vëllimin tregtar dhe lehtësuar procedurat.

Agjencia amerikane e lajmeve “Associated Press” (AP): Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) ka thënë se vendi i tij do të rihapë konsullatat në Basra dhe Mosul dhe se do të bëjë përpjekje për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me fqinjët.

Agjencia azere “Trend”: Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në deklaratën që ka bërë në lidhje me pastorin amerikan, Andrew Brunson, i cili mbahet në arrest shtëpie, të ketë thënë se “ShBA-ja duhet të respektojë drejtësinë turke”.

Gazeta “Halk” e Azerbajxhanit: Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Binali Jëlldërëm (Yıldırım), ka thënë se “nëse Armenia dëshiron stabilitet, ajo duhet të përmirësojë marrëdhëniet me vendet fqinje”.

Agjencia kineze e lajmeve “Xinhua”: Në 10 tetor Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) u bëri thirrje vendeve të Afrikës për të përdorur monedhën vendore (kombëtare) në tregtinë me Turqinë me qëllim për t’u mbrojtur ndaj risqeve që sjellin veprimet/transaksionet me dollar.

Portali grek “In.gr”: Presidenti i Republikës Turke të Qipros së Veriut, Mustafa Akënxhë (Akıncı) ka thënë se dëshiron të takohet me liderin grekoqipriot, Anastasiadis në një datë jo shumë të largët pas 15 tetorit (data kur Jane Hall Lute, përfaqësuesja e përkohshme e Sekretarit të Përgjithshëm, do të paraqesë raportin para Këshillit të Sigurimit të OKB-së). Në këtë takim Akënxhë do të bisedojë me homologun grekoqipriot për përcaktimin e datës për hapjen e barrikadave dhe për të ardhmen e ishullit, për të cilin kanë përgjegjësi të përbashkët.



Lajme të ngjashme