Shtypi botëror 03.08.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar këtë javë nga media botërore në lidhje me Turqinë (28 korrik – 3 gusht):

Shtypi botëror 03.08.2018

Portali informativ gjeorgjian,“Interpressnews”: Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të humbasin një mik të sinqertë si Turqia”.

Agjencia gjermane e lajmeve,“DPA”: Turqia është duke planifikuar një samit katërpalësh për Sirinë, në të cilin do të marrë pjesë edhe Gjermania.

Agjencia britanike e lajmeve,“Reuters”: Zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, ka deklaruar se janë ende në kohë “për të shpëtuar marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Agjencia iraniane e lajmeve,“IRNA”: Nëpërmjet komunikatës përfundimtare të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Ankaraja zyrtare e ka cilësuar si të papranueshme gjuhën kërcënuese të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndaj Turqisë.

Agjencia franceze e lajmeve,“AFP”: Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka potencuar se Turqia nuk do të gjunjëzohet përballë kërcënimeve të SHBA-së për çështjen gjyqësore ndaj priftit amerikan, Andrew Brunson, duke e akuzuar Uashingtonin se po ndjek “një ideologji evangjeliste dhe sioniste”. “Është e pamundur që ne të pranojmë këtë qëndrim kërcënues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë kreu i shtetit turk.

Organi mediatik spanjoll,“Europa Press”: Turqia ka dënuar fuqishëm vendimin e SHBA-së për të aplikuar sanksione ndaj dy ministrave turq. “E ftojmë administratën amerikane që të tërheqë këtë vendim të gabuar. Përkundrazi do të ketë një përgjigje adekuate ndaj kësaj sjelljeje agresive”, ka paralajmëruar Ankaraja zyrtare duke nënvizuar se me këto masa ndëshkuese, Uashingtoni po ndërhyn “paturpësisht” në vendimet e sistemit gjyqësor turk.

Agjencia amerikane e lajmeve, “AP”: Ministri turk i Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu, ndaj të cilit SHBA-ja ka vendosur sanksione, është tallur me këtë vendim të Uashingtonit duke thënë se malli i tij i vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është Fetullah Guleni, kreu i organizatës terroriste gyleniste (FETO), përgjegjëse për tentativën puçiste të 2016-s. “Atë s’do ta lëmë atje. Do ta marrim”, ka shkruar ministri Soylu në “Twitter”.

Agjencia britanike e lajmeve,“Reuters”: Ministri i Thesarit dhe Financave të Turqisë, Berat Albayrak, ka deklaruar se sanksionet që SHBA-ja ka vendosur kundër Turqisë në lidhje me gjykimin e një prifti amerikan, i cili akuzohet për mbështetje të terrorizmit, janë të papranueshme dhe do të kenë një efekt të kufizuar në ekonominë turke.

Agjencia iraniane e lajmeve,“Mehr”: Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Javad Zarif, ka reaguar ndaj sanksioneve të SHBA-së për dy ministra të Republikës së Turqisë nëpërmjet një mesazhi të postuar në rrjetin social “Twitter”.

Portali informativ gjeorgjian,“Interpressnews”: Presidenti Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të mbështesë rikthimin e dënimit kapital në vend. Në një prononcim për mediat gjatë një ceremonie mortore, Erdogani ka bërë me dije se është i gatshëm të dekretojë ligjin për dënimin me vdekje nëse ai kalon nga Parlamenti.

Agjencia iraniane e lajmeve,“IRNA”: Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, ka rikonfirmuar se “anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një objektiv strategjik i Turqisë pavarësisht të gjitha pengesave”.

Uebfaqja e transmetuesit rus,“Sputnik”: Raporti i fundit i Institutit të Statistikave të Turqisë (TUIK) ka vënë në pah se të ardhurat e turizmit në periudhën prill-qershor 2018 janë rritur me 30,1% në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar duke arritur në 7 miliardë e 44 milionë e 591 dollarë.

Kanali informativ amerikan, “CNN”: Çiklisti Onur Balkan i ekipit turk, “Torku Şekerspor”, është renditur i pari në etapën 9. të Xhiros së Liqenit Çinghai në Kinë.



Lajme të ngjashme