Shtypi botëror 06.12.2017

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat botërore në lidhje me Turqinë...

Shtypi botëror 06.12.2017

Pasqyra e shtypit botëror (06.12.2017)

Britani e Madhe/“Reuters” – Erdogan: Turqia mund të shkëpusë marrëdhëniet me Izraelin për shkak të Jerusalemit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të martën se njohja zyrtarisht e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta çojë punën deri në shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike të Ankarasë me Tel-Avivin dhe se një lëvizje e tillë do të jetë “vijë e kuqe” për myslimanët. “Z. Trump, një vendim i tillë në cilësinë e mbështetjes për Izraelin, ndërkohë që plagët e shoqërisë palestineze gëlojnë ende gjak, përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Kjo situatë mund të shkojë deri në prishjen e marrëdhënieve diplomatike të Turqisë me Izraelin. Paralajmëroj SHBA-në që të mos ndërmarrë një hap të tillë, i cili do të thellojë edhe më tepër problemet në rajon”, u shpreh kreu i shtetit turk gjatë një fjalimi në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti).

***

Iran/“Mehr”Kalin: Transferimi i Ambasadës së SHBA-së në Jerusalem është shqetësues

Zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë, ambasadori Ibrahim Kalin, shprehu të martën shqetësimin e thellë të shtetit turk rreth gjasave mbi transferimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Jerusalem. “Lajmet se administrata amerikane do të njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe do të transferojë ambasadën në Jerusalem janë jashtëzakonisht shqetësuese. Kjo është tërësisht në kontradiktë me statusin fetar dhe historik të Jerusalemit, marrëveshjet ndërkombëtare dhe rezolutat e OKB-së. Një hap i tillë do të minojë procesin e paqes në Lindjen e Mesme, e cila edhe aktualisht është në një gjendje të brishtë, si dhe do të shkaktojë tensione e konflikte të reja në Lindjen e Mesme. Shpresojmë që SHBA-ja të mos bëjë një gabim të tillë fatal. Ruajtja e statusit të Jerusalemit dhe Haram Al-Sharif është me rëndësi jetike”, deklaroi Kalin përmes një postimi nga llogaria e tij në rrjetin social “Twitter”.

***

Federata Ruse/“Zëri i Rusisë”Çavusoglu në Bruksel për Takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s

Shefi i diplomacisë turke, Mevlut Çavusoglu, po qëndron në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës për të marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s. Në këtë suazë, ai do të bisedojë kokë më kokë me homologun e tij amerikan, Rex Tillerson, në lidhje me premtimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të mos i dërguar më armë YPG-së, fraksion sirian i organizatës separatiste terroriste PKK; si dhe për procesin e armatimit të YPG-së nga Pentagoni. Një tjetër takim i rëndësishëm i kryediplomatit turk në Bruksel do të jetë ai me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias.

***

SHBA/“Zëri i Amerikës”Konferencë për Turqinë në Uashington

Në kryeqytetin Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u mbajt konferenca e 8-të vjetore për Turqinë, organizuar nga një institut amerikan mendimi (think tank) i quajtur “Middle East Institute”. Zëvendësnënsekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jonathan Cohen, gjatë fjalës së tij në panelin e pasdites me temë “Turqia mes Rusisë dhe Perëndimit”, tërhoqi vëmendjen mbi thellësinë e përhershme të marrëdhënieve turko-amerikane duke theksuar se është mjaft e rëndësishme që të vazhdohet dialogu dhe diplomacia e ngjeshur ndërmjet dy vendeve. Ai vuri në pah se Turqia është vendi me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO. Cohen tha gjithashtu se ekzekutivi dhe populli turk meriton deri fund çdolloj lëvdate për bujarinë e treguar prej tyre duke hapur portat për refugjatët sirianë.



Lajme të ngjashme