Shtypi botëror 27.09.2017

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar sot e mërkurë, 27 shtator 2017 nga mediat botërore.

Shtypi botëror 27.09.2017

PODCAST – Pasqyra e shtypit botëror (27.09.2017)

“Zëri i Amerikës” (VOA) – “Erdoan: Referendumi i jashtëligjshëm për pavarësi në administratën rajonale kurde të Irakut (KRG), lajmëtari i dhimbjeve të reja”

Vazhdojnë reagimet e Turqisë ndaj referendumit të jashtëligjshëm për pavarësi që u zhvillua më 25 shtator në administratën rajonale kurde të Irakut (KRG). Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në fjalën që mbajti në ceremoninë e organizuar të martën në Kompleksin Presidencial me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2017-2018, një pjesë të madhe të fjalimit ia kushtoi kritikave në adresë të KRG-së. Pavarësisht të gjitha paralajmërimeve të Turqisë, KRG-ja këmbënguli në mbajtjen e referendumit popullor, i cili injoroi Kushtetutën e Irakut, theksoi Presidenti turk dhe e vijoi kështu fjalimin: “Me përjashtim të Izraelit nuk ka asnjë vend dhe institucion ndërkombëtar që e mbështet këtë sipërmarrje. Rajoni ka një strukturë shumë të larmishme në aspektin e besimit dhe origjinës etnike, kështu që ndërmarrja e një nisme të tillë nga një grup i vetëm në një klimë të tillë nuk ka domethënie tjetër përveç të qenurit lajmëtari i konflikteve dhe dhimbjeve të reja”.  

***

Rrjeti mediatik gjerman “Deutsche Welle” (DW) – “Në rezultatin zgjedhor në Gjermani është arritur në pikën e paralajmëruar nga Erdoan”

Në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 24 shtator në Gjermani votuesi dha mesazhin se nuk është i kënaqur nga politikat e Angela Merkel për emigracionin dhe refugjatët. Dhe ashtu siç e kishte thënë shpesh edhe Erdoan kjo i bëri mirë Alternativës për Gjermaninë (AfD), një parti populiste e krahut të djathtë e njohur për qëndrimet e saj kundër islamit dhe emigranteve. Me rreth 100 deputetë AfD-ja arriti të jetë partia e tretë më e madhe politike në Parlamentin Federal. Për AfD-në këto ishin zgjedhjet e dyta ku ajo mori pjesë. Sipas analistëve qeveria gjermane do të bëjë më të mirën e mundshme për vazhdimin e të gjitha marrëveshjeve që do të sigurojnë reduktimin e numrit të refugjatëve me qëllim për të eliminuar kështu ndjenjën e përhapur në shoqërinë gjermane në formën e humbjes së sigurisë dhe statusit, humbje të kontrollit mbi kufijtë dhe migracionin, dhe kjo do ta detyrojë atë që të bashkëpunojë me Turqinë”.  

***

Agjencia dhe radioja ruse “Sputnik” –“Stambolli, 1 ndër 10 destinacionet më të preferuara në botë”

Stambolli është renditur në vend të 10-të në mesin e 30 qyteteve të para në botë që pritet të thithin më shumë vizitorë këtë vit, sipas Indeksit të kompanisë Mastercard, një shoqëri financiare ndërkombëtare me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për qytetet që do të jenë destinacionet më të preferuara të 2017-s. Sipas indeksit të Mastercard për Qytetet Destinacion Global 2017, Stambolli renditet i treti në mesin e qyteteve më të vizituar të Evropës. Vitin e kaluar Stambollin e vizituan 9,6 milionë turistë të huaj, kurse në 2017 parashikohet që qyteti të mirëpresë rreth 9,24 milionë vizitorë. Mastercard raportin e publikon çdo 9 vite dhe e përgatit duke marrë parasysh numrin e vizitorëve ndërkombëtarë, hyrje-daljet në kufi, shpenzimet që bëjnë vizitorët në qytetet destinacion dhe ndryshimet që ndodhin në numrin e udhëtarëve.

***

Televizioni ndërkombëtar amerikan CNN: “Dyndje turistësh në bjeshkët e Ordusë”

Bjeshkët Aybastı Perşembe në lartësinë 1 mijë e 500 metra mbi nivelin e detit në provincën Ordu po përballen me një fluks të madh të turistëve arabë. Kryetari i Bashkisë Aybastı, Izet Gyndoar (İzzet Gündoğar) tha se këtë vit në bjeshkë kanë ardhur shumë vizitorë. “Puna promovuese ka nisur të japë tashmë frutat e saj. Kemi një fluks të madh turistësh”,- tha kryebashkiaku. Vitin e kaluar Bjeshkët Perşembe u vizituan nga 500 mijë turistë vendas dhe të huaj. Synohet që në fund të vitit ky numër të arrijë deri në 700 mijë. Nevojat për akomodim në bjeshkë përballohen nëpërmjet hoteleve, turizmit të ruletave dhe kampeve me çadra. Një interes të veçantë turistët tregojnë ndaj vendeve historike dhe medreseve.



Lajme të ngjashme