Shtypi botëror 13.09.2017

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar sot e mërkurë, 13 shtator 2017 nga mediat botërore.

Shtypi botëror 13.09.2017

PODCAST – Pasqyra e shtypit botëror (13.09.2017)

Agjencia iraniane e lajmeve “IRNA” – “Turqia do të marrë nga Rusia sistemin raketor S-400”

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se pas nënshkrimit të kontratës dhe përfundimit të procesit Turqia do të marrë nga Rusia sistemin e mbrojtjes kundërajrore me raketa S-400. Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve gjatë kthimit nga vizita në Kazakistan Presidenti Erdoan tha se për blerjen e raketave S-400 nga Rusia është paguar madje edhe kësti i parë. “Është arritur marrëveshja për blerjen dhe dorëzimin e raketave S-400 dhe është paguar edhe kësti i parë”, u ka thënë Erdoani gazetarëve. “Kurse procesi në vijim në këtë kontratë ka të bëjë me kredinë që do ti hapet Turqisë nga Rusia në lidhje me blerjen e sistemit raketor në fjalë. Edhe unë, edhe kryetari i Shtetit të Rusisë, Putin, jemi të vendosur për zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Erdoan cituar nga agjencia iraniane e lajmeve “IRNA”.

***

Agjencia azere “Trend” – “Deklaratë e befasishme e Turqisë për Bashkimin Evropian”

Ministri dhe Kryenegociatori i Turqisë me Bashkimin Evropian (BE), Ëmer Çelik (Ömer Çelik) në fjalën që mbajti në Londër, ku gjendej për kontakte, tha se ajo çfarë dëshirojnë më shumë grupet ekstremiste është këputja e marrëdhënieve të Bashkimit Evropian me Turqinë, e cila është një shtet mysliman, laik, demokratik dhe ligjor. “Në takimin që patëm me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës (KiE) shënuam progres. Me BE-në do të diskutojmë përreth një tavoline. Dhe rruga për t’ia arritur kësaj është aftësia negociuese e Bashkimit Evropian”, tha Çelik.

***

Portali turko-amerikan “Turkish Amerikan Web” – “THY organizon fluturime shtesë për në Miami”

Me qëllim për të realizuar pa probleme udhëtimet e planifikuara të pasagjerëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është prekur këto ditë nga uragani Irma, shoqëria ajrore turke THY (Turkish Airlines) njoftoi se duke filluar nga sot (e mërkurë) do të organizojë fluturime shtesë. Sipas një komunikate të zyrës së shtypit të kompanisë për shkak të stuhisë në fjalë sot është planifikuar një fluturim ekstra nga Miami për në Stamboll. “Fluturimi do të realizohet me kodin TK 6882 në orën 03:30 me orën lokale” (në Miami), thuhet në njoftimin në fjalë.

***

Agjencia ruse e lajmeve “Sputnik” – “Gazprom dhe Botaş do të formojnë konsorcium për të çuar gazsjellësin Rryma Turke në Evropë”

Njoftohet se kompania ruse Gazprom dhe ajo turke Botaş do të bëjnë konsorcium për ndërtimin e pjesës evropiane të gazsjellësit “Rryma Turke”. Në një komunikatë të Gazpromit thuhet se “Konsorciumi krijohet në kuadër të marrëveshjes ndërqeveritare që është nënshkruar më herët ndërmjet Rusisë dhe Turqisë për të realizuar ndërtimin e pjesës tokësore të tubacionit të dytë të gazsjellësit “Rrjedha Turke” që do të kalojë në territorin turk”. Sipas komunikatës, në mbledhjen e 21 shtatorit Këshilli Drejtues i Gazpromit do të vendosë për pjesëmarrjen apo jo të kompanisë në konsorciumin e emërtuar “TürkAkım Gaz Taşıma A.Ş.”



Lajme të ngjashme