Shtypi botëror 21.06.2017

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar sot e mërkurë, 21 qershor 2017 nga mediat botërore.

Shtypi botëror 21.06.2017

PODCAST - Shtypi botëror 21.06.2017

Radio “Zëri i Rusisë” – “Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn vjen në Turqi”

Nga Bashkimi Evropian (BE) në ditët në vijim do të realizohet një vizitë e rëndësishme në Turqi. Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn më 6 korrik do të vijë në Turqi. Më herët për marrëdhëniet BE-Turqi ishte përcaktuar një kalendar 12-mujor me 6 shtylla kryesore. Disa nga pikat më të rëndësishme të këtij kalendari janë: rinovimi i marrëveshjes së Bashkimit Doganor, liberalizimi i vizave dhe antiterrorizmi.

***

Agjencia iraniane e lajmeve “IRNA” – “Turqia ka arritur në fazën përfundimtare për blerjen e sistemit antiraketor rus S-400”

Po bëhen vlerësimet e fundit në lidhje me sistemin e mbrojtjes kundërajrore me raketa me rreze të gjatë veprimi S-400, që Turqia do të blejë nga Rusia. Së shpejti Turqia do të japë edhe vendimin e fundit politik. Edhe pse ka nevojë për sistemin e mbrojtjes antiraketore S-400, qëllimi kryesor i Turqisë është të prodhojë sistemin e vet raketor. Në lidhje me këtë çështje ajo ka filluar edhe programet përkatëse, të cilat përveç studimeve e kërkimeve në këtë drejtim, përfshijnë edhe zhvillimin e modeleve të reja. Disa kompani perëndimore janë në garë për të bashkëpunuar me Turqinë në lidhje me këtë çështje. Në panairin e aviacionit që zhvillohet në Paris të Francës po mbahen takime me disa firma të industrisë ushtarake.

***

Rrjeti mediatik gjerman “Deutsche Welle” (DW) – “Jëlldërëm: Puçistët të mos prishin marrëdhëniet ndërmjet Greqisë dhe Turqisë”

Kryeministri Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım) u takua me homologun grek, Alekis Cipras në kuadër të një vizite në Athinë. Në konferencën e përbashkët të shtypit Jëlldërëm foli për puçistët, pjesëtarë të organizatës terroriste FETO, të cilët pas tentativës për grusht shteti të 15 korrikut 2016 janë arratisur në Greqi dhe nuk i janë rikthyer Turqisë, pavarësisht kërkesës zyrtare të kësaj të fundit për ekstradim. “Ne dëshirojmë ekstradimin e atyre që kanë bërë hapur grusht shteti ndaj vendit tonë. “Kemi respekt për vendimin e drejtësisë, por duam që puçistët të mos dëmtojnë marrëdhëniet ndërmjet Greqisë dhe Turqisë”, tha shefi i qeverisë së Ankarasë në vlerësimin që bëri lidhur me vendimet e gjykatave greke për mos-ektradimin e puçistëve në Turqi.

***

“Zëri i Amerikës” (VOA): “Kthesa e fundit në bisedimet e Qipros”

Bisedime që do të mbahen më 28 qershor në Gjenevë për Qipron shikohen si mundësia e fundit e arritjes së konsensusit final. Republika Turke e Qipros së Veriut (RTQV) është e mendimit se një sistem garantues (i vendeve garantuese të marrëveshjes) që nuk i njeh atdheut mëmë, Turqisë, të drejtën e ndërhyrjes së njëanshme, nuk do të jetë një sistem garantues i pranueshëm. Në lidhje me këtë çështje qeveria turke e Qipros është mjaft e vendosur dhe këmbëngulëse. Pala turke thotë se asnjë politikë e Turqisë apo e drejtë e saj (si shtet garantues) nuk është një çështje që shkakton pasiguri tek pala grekoqipriote. Populli turk i Qipros nuk do të pranojë asnjë formulë tjetër përveç një partneriteti të bazuar në barazinë sovrane dhe politike të ishullit dhe që nuk përmban riskun e hyrjes së tyre (turqve) nën zgjedhën greke në ishull. Shkurtimisht bëhet fjalë për një marrëveshje, e cila garanton se ishulli i Qipros nuk do të kthehet kurrë në gjendjen e kaluar dhe nuk do të bëhet asnjë herë një ishull grek. “Nëse dikush është për një marrëveshje të tillë, atëherë jemi dakord edhe ne, përndryshe gjithsecili të shikojë punën e tij”, bën të ditur pala turke.



Lajme të ngjashme