Liga e Kombeve – Shqipëria mposht Izraelin 1-0, shënon Taulant Xhaka

Ndeshja e parë e kombëtare shqiptare të futbollit në Ligën e Kombeve përfundoi me fitoren e kuqezinjve me rezultatin e ngushtë 1-0...

Liga e Kombeve – Shqipëria mposht Izraelin 1-0, shënon Taulant Xhaka

Ndeshja e parë e kombëtare shqiptare të futbollit në Ligën e Kombeve përfundoi me fitoren e kuqezinjve me rezultatin e ngushtë 1-0.

Debutim me fitore në ndeshjet zyrtare për trajnerin italian, Christian Panucci, pas dy dështimeve në ndeshjet miqësore me Ukrainën dhe Kosovën.

Pjesa e dytë e ndeshjes Shqipëri-Izrael ishte më e mirë për përfaqësuesen ballkanase, që e nisi me sulme të njëpasnjëshme.

Në minutën e 50-t, Memushaj finalizoi aksionin me një gjuajtje tokasi që rrezikoi portën e Izraelit. Një tjetër aksion nisi nga mesfusha, ku në minutën e 53 godit Basha.

Por goli erdhi nga Taulant Xhaka në minutën e 55-të, me një goditje fantastike nga jashtë zonës së rreptësisë.

Kombëtarja shqiptare pati sërish disa mundësi shënimi gjatë minutave në vijim, ku më flagranti ishte ai i Elseid Hysajt që i vetëm me portierin gjuajti jashtë, ndërsa në krahun tjetër, Strakosha e kishte kyçur portën.

Vërshëllima e trefishtë e arbitrit hungarez, Victor Kasaai, “ndezi” festën kuqezi në “Elbasan Arena” dhe kudo, ndërsa solli edhe çlirimin e Christian Panuccit, që nuk e fshehu entuziazmin e këtij triumfi pas një periudhe disamujore të kaluar mes kritikave dhe rezultateve negative.

Takimi i radhës i Shqipërisë do të jetë mbrëmjen e 10 shtatorit në Glasgow ndaj Skocisë, po për Ligën e Kombeve, në një sfidë ku do të kërkohet suksesi i radhës për t’u konfirmuar në krye të grupit.



Lajme të ngjashme