Australi – Usain Bolt gati të debutojë si futbollist me “Central Coast Mariners”

Pas një jave përgatitjesh në Australi me “Central Coast Mariners”, rekordmeni i botës në garën e 100 dhe 200 metrave, Usain Bolt, pritet të debutojë ditën e premte në një ndeshje miqësore që ekipi i tij i futbollit do të luajë ndaj një skuadre amatore...

Australi – Usain Bolt gati të debutojë si futbollist me “Central Coast Mariners”

Pas një jave përgatitjesh në Australi me skuadrën e Central Coast Mariners, rekordmeni i botës në garën e 100 dhe 200 metrave, Usain Bolt, pritet të debutojë ditën e premte në një ndeshje miqësore që ekipi i tij i futbollit do të luajë ndaj një skuadre amatore.

Fituesi i 8 medaljeve të arta olimpike është përgatitur mirë gjatë kësaj periudhe dhe pritet të luajë si mesfushor i krahut të majtë në këtë miqësore.

“Jam pak nervoz dhe i tillë do të jem edhe në këtë ndeshje miqësore. Nuk është si të luaj në një takim bamirësie, ky është një test i rëndësishëm për mua, pasi synoj të nis një karrierë si futbollist profesionist. E di që mund të bëj mjaft gabime, që nuk do të jetë ndeshja ime e përkryer, por do të jap maksimumin që të ndihem krenar”, deklaroi Usain Bolt.

Duke folur për përgatitjet që ka kryer gjatë ditëve të fundit, sprinteri xhamajkan, që gushtin e kaluar u largua nga atletika, shtoi: “Jam stërvitur si mesfushor i krahut të majtë, pozicioni që i përshtatet më së shumti karakteristikave të mia. Nuk pres që gjatë lojës të vrapoj lart e poshtë gjatë gjithë kohës, kjo është lojë grupi dhe jemi praktikuar mirë që t’i përshtatem lojës së skuadrës”, tha Bolt.



Lajme të ngjashme