Sllovenia kampione e Evropës në Basketboll

Sllovenia mposhti në mënyrë dramatike përfaqësuesen e Serbisë, duke fituar titullin e parë kontinental, në kampionatin evropian të basketbollit për meshkuj.

slovenya sirbistan.jpg
basketbol-slovenya.jpg

Skuadra e Igor Kokoskov ishte qartësisht skuadra më e mirë e finales, megjithatë Sllovenia pati nevojë për atë shpërthim të çasteve të fundit të ndeshjes për të zmbrapsur edhe kthimin befasues të Serbisë. Finalja e madhe e edicionit të 40 të këtij aktiviteti u zhvillua në Pallatin e Sportit “Sinan Erdem” të Stambollit, përpara 12.095 spektatorëve dhe pas koshit të parë të ekipit serb skuadra e Sllovenisë kryesoi me rezultatin 7-4. Ekipi i Sasha Djordjevic reagoi menjëherë dhe për rrjedhojë falë yllit Bogdan Bogdanovic Serbia udhëhoqi 18-13, rezultat që përbën njëherësh edhe avantazhin më të madh të përfaqësueses serbe në këtë finale. Goditjen e parë Sllovenia e lëshoi në mesin e pjesës së parë, kur ekipi i drejtuar nga 45-vjecari nga Vojvodina ktheu me një break 7-0 disavantazhin 18-22, për të kryesuar 25-22. Një meritë të jashtëzakonshme në këtë sukses pati lojtari i Miami Heat Goran Dragic, pasi kapiteni në pjesën e parë dhuroi një shoë të papërsëritshëm, që kulmoi me plot 26 pikë 3 rebound e 4 asist. Për statistikë Serbia fitoi 10′ e parë 22-20, gjithsesi në periodën e dytë Sllovenia realizoi plot 36 pikë, duke shkuar në inrterval me epërsinë 56-47. Ekipi i Kokoskov ishte vazhdimisht në avantazhin e 11 pikëve, sidoqoftë epërsinë më të madhe Sllovenia e regjistroi në rezultatin 61-49.

Pas pushimit të marrë nga Aleksandar Djordjevic Serbia reagoi shkëlqyeshëm, megjithatë shumë influencoi natyrisht edhe dëmtimi i 18-vjecarit të Realit të Madridit Luka Doncic, që la parketin përpara kohe duke vënë në dyshim fitoren. Në përfundim të fraksionit të tretë sllovenët kryesonin 71-67, gjithsesi kapiteni Dragic u duk nervoz, nisi të gabojë dhe sigurisht që ndjeu lodhjen dhe intensitetin e lartë të ndeshjes, cka ndikoi edhe në përmbysjen e rezultatit. Ndeshjes iu rikthye ekuilibri dhe që pas barazimit 25-25, u përsërit barazpesha në shifrat 80-80 dhe 82-82. 65″ para fundit ankthi u shtua dhe diferenca ishte vetëm 4 pikë, sidoqoftë ekipin e mori për dore Klemen Prepelic bashkë me amerikanin Anthony Randolph dhe falë një break-u 10-0 ekipi i Kokoskov krijoi edhe shkëputjen përfundimtare, duke fituar krejt takimin me rezultatin 93-85, shkruan supersport.

Arkitekti i këtij triumfi ishte natyrisht Goran Dragic që e mbylli ndeshjen me 35 pikë, 7 rebound e 3 asist, ndërkaq Prepelic dhe Randolph kontribuan respektivisht me 21 dhe 11 pikë. Në krahun tjetër Bogdanovic e përfundoi sfidën me 22 pikë e 5 asist, ndërsa Milan Macvan ndihmoi skuadrën me 18 pikë e 5 rebound. Kështu Sllovenia bëhet përfaqësuesja e 14 që shënohet në librin e artë të këtij kompeticioni, ndërsa Serbia provon humbjen e dytë në finalen e këtij aktiviteti, pas disfatës së vitit 2009 me Spanjën. Sllovenia e mbylli Euro Basket-in e 2017 duke fituar 9 nga 9 ndeshjet në dispozicion, ndërsa kapiteni Goran Dragic ashtu siç pritej u shpall edhe MVP i këtij eventi, ndërsa finalen e vogël e fitoi Spanja që më herët mundi ekzaktësisht me po të njëjtin rezultat, pra 93-85 në duelin për vendin e tretë dhe të katërt Rusinë e Sergei Bazarevich.



Lajme të ngjashme