Kalendari historik, 11 shkurt

Disa nga ngjarjet, njerëzit dhe datat më me ndikim në historinë turke dhe atë botërore që kanë shënuar ditën e sotme, 11 shkurt.

Kalendari historik, 11 shkurt

Çfarë ka ndodhur më 11 shkurt?

11 shkurt 1650 – Vdes Rëne Dekarti (Rene Descartes) matematikani, shkencëtari dhe filozofi francez. Dekarti, që ishte njëri prej emrave më të rëndësishme të filozofisë perëndimore, me mësimet në filozofi dhe matematikë të marra nga sekti Jezuit në rininë e tij, hodhi themelet e sistemit të mendimit. Në fund të udhëtimeve të tij 16-vjeçare ai u vendos në Holandë, e cila atë kohë kishte lirinë më të gjerë të shprehjes. Në vitin 1637 ai publikoi veprën “Ligjëratat mbi metodën”, ndërsa në vitin 1641 veprën e titulluar “Meditimet”. Ndërtimin e filozofisë së tij mbi dyshimin dhe mendimin ai e përmblodhi me fjalët: “Unë mendoj, prandaj ekzistoj”. Vdiq në Stokholm, ku ndodhej me ftesë të Mbretëreshës së Suedisë Christina, nga sëmundja e mushkërive për shkak të kushteve të vështira të dimrit.           

11 shkurt 1809 – Shpikësi britanik, Robert Fulton mori patentën për anijen me avull. Fulton, i cili në rininë e tij ishte i pasionuar pas vizatimit, por që më vonë e la dhe u kthye në inxhinieri, pasi mori patenta për disa shpikje si: makina për prerjen e mermerit dhe makina për thurje të litarit, në vitin 1797 shkoi në Paris. Ai këtu punoi mbi anijen me avull, të cilën e kishte projektuar shumë vite më parë dhe në vitin 1803 e lëshoi anijen e parë në det. Por, kjo anije nuk tërhoqi interesimin e qeverisë franceze. Disa vite më vonë ai shkoi në Amerikë dhe këtu i testoi punimet e tij. Anija e Fultonit ishte anija e parë e cila lundronte pa vela dhe rrema dhe ajo tërhoqi interesimin e qeverisë amerikane. Ndërkaq në vitin 1815 Fulton me kërkesë të qeverisë amerikane ndërtoi edhe luftanijen e parë me avull.

11 shkurt 1965 – Gazeta “Yeni Adana” mori Çmimin Botëror për Arritjet e Shtypit. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, nga e cila Perandoria Osmane doli si pala humbëse, më 25 dhjetor 1918 filloi edhe ndarja e territoreve të Perandorisë sipas marrëveshjeve të arritura. Qyteti i Adanës dhe rrethinat e tij që ndodhen në jug të Turqisë, u pushtua nga francezët. 5 ditë pas këtij pushtimi filloi botimi i gazetës “Adana Gazetesi”, e cila ndezi zjarrin për mbrojtje të territoreve të atdheut. Natyrisht që kjo gazetë shkaktoi edhe reagimin e francezëve dhe pas tre botimeve ajo mbyllet. Pronarët e gazetës, Ahmet Remzi Beu dhe oficeri rezervist, Mehmet Avni Dogan, të cilët nuk kishin ndërmend të pajtoheshin me pushtimin, 5 ditë më vonë filluan sërish të botojnë gazetën, por kësaj radhe me emrin “Yeni Adana Gazetesi”. Ndaj tyre shpallet fletarrestimi dhe u mbyllet shtypshkronja. Por, ata e marrin shtypshkronjën me vete dhe transferohen në qytete tjera, prej ku vazhdojnë me botimin e gazetës. “Yeni Adana Gazetesi” informonte për zhvillimet në Anadoll popullin, i cili zhvillonte Luftën Çlirimtare. Kjo gazetë në vitin 1965 merr Çmimin Botëror për Arritjet e Shtypit, që ndahet nga Fondacioni i Pronarëve të Gazetave në Amerikë për gazetat që botohen jashtë Amerikës dhe Kanadasë. Me marrjen e këtij çmimi kjo gazetë hyri në histori si gazeta e parë dhe e vetme turke që e fitoi këtë çmim.

11 shkurt 2006 – Në Gobekli Tepe të Sanliurfa-s arkeologët gjermanë gjetën shenjat që i përshkruan si sistemi më i vjetër i lajmeve i njerëzimit që janë në formën primitive të shkrimit të sotëm. Hulumtimet në Gobekli Tepe, që ndodhet në afërsi të fshatit Orencik të Sanliurfa-s e që është tempulli më i lashtë në botë, po vazhdojnë ende në mënyrë intensive.   



Lajme të ngjashme