“Lamborghini” prezanton SUV-in e tij të parë, quhet “Urus”

Prodhuesi italian i automjeteve sportive, “Lamborghini”, prezantoi disa ditë më parë SUV-in e tij duke u pozicionuar ashtu si homologët e tij të luksit në këtë sektor, ku kishte tentuar të hynte vetëm një herë në fund të viteve 1980...

“Lamborghini” prezanton SUV-in e tij të parë, quhet “Urus”

Prodhuesi italian i automjeteve sportive, “Lamborghini”, prezantoi disa ditë më parë SUV-in e tij duke u pozicionuar ashtu si homologët e tij të luksit në këtë sektor, ku kishte tentuar të hynte vetëm një herë në fund të viteve 1980.

Ky model urban 4×4 i quajtur “Urus”, që pretendon të jetë një “super SUV”, u prezantua gjatë një spektakli të madh në uzinën historike në Sant’Agata Bolognese, pranë Bolonjës.

“Ndërtimi i këtij SUV-i, që do të shitet 171.500 euro pa taksat në Evropë, ishte një sfidë në të gjitha nivelet”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i Lamborghinit, Stefano Domenicali, duke theksuar se falë këtij modeli kompania pritet të dyfishojë volumin e prodhimit në vitin 2019.

“Lamborghini” kishte shitur 3.457 super vetura vitin e kaluar.

“Urus ka një arkitekturë gjashtëkëndore, mundëson lëvizjen në të gjitha terrenet. Në rrugë, në pistë, në akull, por edhe në dunat e rërës, falë amortizimeve të tij dhe lartësisë së ndryshueshme”, shpjegon Maurizio Reggiani, drejtor i Departamentit të Kërkimit dhe Zhvillimit.

“I pajisur me goma Pirelli të prodhuara enkas për këtë model dhe me një motor V8 biturbo, ai mund të arrijë shpejtësinë 100 km/orë në 3,6 sekonda, si dhe arrin një shpejtësi maksimale prej 305 km/orë, duke u bërë SUV-i më i shpejtë në treg”, thekson ai.

“Lamborghini” ka investuar disa qindra-milionë euro në Sant’Agata Bolognese për prodhimin e këtij SUV-i duke dyfishuar kapacitetin e prodhimit të uzinës dhe duke punësuar rreth 500 persona shtesë.

“Lamborghini është marka e fundit sportive që hyn në këtë sektor, që ka ngjallur një kërkesë të madhe tek më të pasurit”, shpjegon Carlo Alberto Carnevale Maffe, profesor i strategjisë në Universitetin Bocconi në Milano, duke kujtuar se “Porche” me modelin e saj “Cayenne” në vitin 2002 ishte i pari që theu këtë tabu ndërsa “Alfa Romeo” hyri këtë vit.

“Shitjet e SUV-ëve dhe fuoristradave janë rritur me 233 për qind në pak vite duke arritur në 26,47 milionë njësi në vitin 2016 dhe pritet të vazhdojë të rritet me 30 për qind deri në vitin 2020”, sipas institutit “IHS Markit”. /ATSH


Fjalët Kyçe: fuoristradë , SUV , Urus , Lamborghini

Lajme të ngjashme