S-400 sistem i mbrojtjes me "efikasitet të lartë"

S-400 përkufizohet si një sistem i dizajnuar për "mbrojtje me efikasitet të lartë" të shënjestrave të rëndësishme politike, ekonomike dhe ushtarake.

S-400.jpg
turkiye-rusya-s-400.jpg
ABD'den S-400 füze savunma sistemi açıklaması.jpg
rusya, s-400 füze sistemi.jpg

Sistemet mbrojtëse ajrore S-400, të cilat Turqia ka planifikuar t'i blejë nga Rusia, tërheqin vëmendjen me aftësinë për "mbrojtje me efikasitet të lartë".

Sipas të dhënave të përpiluara nga AA, sistemi S-400, që u zhvillua pas prodhimit të raketave S-300 gjatë periudhës së Bashkimit Sovjetik, bën pjesë në inventarin e armëve të Rusisë që nga viti 2007.

S-400 përkufizohet si një sistem i dizajnuar për "mbrojtje me efikasitet të lartë" të shënjestrave të rëndësishme politike, ekonomike dhe ushtarake.

Sistemi cilësohet si një nga dy sistemet më të mira në botë të mbrojtjes ajrore, ndërsa është projektuar për asgjësimin e avionëve ushtarakë, avionëve për detektimin e radarëve dhe avionëve të kontrollit, avionëve mbikëqyrës, avionëve strategjikë dhe taktikë, raketave balistike operacionale-taktike, raketave balistike me rreze të mesme veprimi, shqënjestrave hipersonike dhe mjeteve të tjera të zhvilluara për sulme ajrore.

Një batalion i sistemit S-400 përbëhet të paktën nga një qendër operacionale të komandës, tetë lançues dhe 32 raketa.

Sistemi S-400 mund të përdorë njëkohësisht raketa të rrezeve të shkurtra, të mesme dhe të gjatë të veprimit, kurse ka aftësi të detektojë shënjestrën në 600 kilometra largësi dhe të dërgojë raketë me shpejtësi prej 4.8 kilometrash në sekondë. Sistemi reagon ndaj shënjestrës në më pak se dhjetë sekonda.

Ai mund të qëllojë shënjestrën në largësi 400 kilometra me raketë të modelit 40N6, në 250 kilometra me raketën 48N6, në 120 kilometra me raketën 9M96E2 dhe në 40 kilometra me raketën 9M96E.

Në mesin e shënjestrave të sistemit bëjnë pjesë avionët e pakapshëm nga radarët B-2 dhe F-117, avionët për bombardim strategjik B-1, F-111 dhe B-52H, avionët elektronikë luftarakë EF-111A dhe EA-6, avioni mbikëqyrës TR-1, avionët me radar për paralajmërim të hershëm (AWACS) E-3A dhe E-2C, avionët luftarakë F-15, F-16, F-35 dhe F-22, raketat Tomahawk dhe raketat balistike.

Sipas shtypit rus, në Rusi gjenden gjithsej pesë regjimente të sistemit S-400, edhe atë në rajonin e Moskës, rajonin Jugor Ushtarak, dhe në flotat e Paqësorit dhe Baltikut. Në çdo regjiment gjenden nga tetë sisteme lançuese dhe nga dy batalione. Parashihet që deri në vitin 2020, Rusia të rrisë në 56 numrin e batalioneve të sistemit S-400.

Deri më tani, përveç Turqisë, Rusia ka arritur marrëveshje vetëm me Kinën për shitjen e sistemit mbrojtës ajror S-400. Zyrtarët rusë të mbrojtjes kishin theksuar në muajin shkurt se prodhimi për Kinën ka filluar, porse dorëzimi i parë nuk do të realizohet para vitit 2018.

Shtetet si India dhe Irani më parë kanë realizuar bisedime me Rusinë për blerjen e sistemit S-400. Vladimir Kojin, kryekëshilltari i presidentit rus Vladimir Putin për bashkëpunim ushtarako-teknik, është shprehur se shumë shtete kanë hyrë në radhë për të blerë sistemin dhe se në mesin e këtyre shteteve ka vende anëtare të Marrëveshjes për Siguri Kolektive, shtete të Azisë Juglindore dhe shtete të Lindjes së Mesme. (AA)



Lajme të ngjashme