Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 36-të)

Pasqyrimi në shtypin turk të luftës shqiptaro-italiane (vazhdon).

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 36-të)

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 36-të)

           Në shkrimet e mëparshme është shpjeguar se si Shqipëria ishte përballur në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme me pushtime edhe gjatës së Luftës së Parë Botërore, edhe pas mbarimit të saj, pavarësisht se ajo nuk kishte luftuar kundër Shteteve të Antantës, dhe shqiptarëve u ishte dashur të luftonin sërish për të rifituar pavarësinë. Në këtë periudhë Shqipëria detyrohet fillimisht të luftojë kundër Italisë, pastaj kundër Greqisë dhe Serbisë, dhe kjo situatë në Shqipëri ndiqet nga afër edhe nga shtypi turk i kohës. Nuk ka dyshim se ajo që ka ndikuar në interesimin e shtypit turk me Shqipërinë është fati i përbashkët që turqit me shqiptarët kanë pasur për pesë shekuj, por arsyeja kryesore që na del përpara në lajmet në lidhje me Shqipërinë është fakti që Greqia me Italinë në këtë periudhë  janë pushtues edhe në Anadoll. Para se të kalojmë në lajmet lidhur me përpjekjen e Shqipërisë kundër Italisë do të ishte e dobishme t’u hedhim një sy edhe lajmeve të tjera që kanë zënë vend në shtypin turk të kohës në lidhje me pavarësinë e Shqipërisë.

          Lajmet në lidhje me Kongresin e Lushnjës, i cili zë një vend të rëndësishëm në Përpjekjen e Shqipërisë për Pavarësi, botohen në gazetat “Vakit” dhe “Hakimiyeti Milliye”. Gazeta“Hakimiyeti Milliye” e datës 20 dhjetor 1920 shkruan se në Kongresin e Lushnjës, i mbledhur në datat 28-31 janar 1920, është marrë vendimi për të luftuar nëse do të jetë e nevojshme për sigurimin e pavarësisë dhe lirisë, si dhe përcaktimin e kufijve të Shqipërisë. Sipas lajmit të gazetës për të realizuar këto vendime krijohet edhe një Këshill i Naltë (i Lartë), i përbërë nga 4 vetë dhe pa kaluar ende disa muaj nga marrja e këtyre vendimeve shqiptarët kalojnë në kundërmësymje dhe arrijnë që ti ndalojnë serbët, që kishin sulmuar Shkodrën[1].

           Kurse gazeta “Vakit” e datës 3 maj 1920 u përcjell lexuesve se Parlamenti Shqiptar i mbledhur në Tiranë kishte hartuar një program kombëtar dhe në vend të qeverisë së Durrësit ishte krijuar një qeveri e re e drejtuar nga Sulejman Fehmi Delvina[2]. Ndërsa gazeta “Vakit” e datës 21 nëntor 1920duke u mbështetur në lajmet e marra nga intelektualët shqiptarë në Stamboll u përcjell lexuesve se në vend të Sulejman Fehmi Delvinës, i emëruar kryeministër nga Kongresi i Lushnjës, ishte caktuar Iljas Bej Vrioni[3].

          Vendin më të gjerë në shtypin turk brenda komiteteve dhe shoqërive të krijuara për të mbështetur pavarësinë e Shqipërisë e zënë lajmet në lidhje me Shoqërinë Ndihmëtare Shqiptare (Arnavut Teavün Cemiyeti) të themeluar në Turqi. Një informacion në lidhje me këtë shoqëri gazeta “Yeni Gün” (Dita e Re) e jep në shkrimin me titull “Fati i Shqipërisë”, botuar në numrin e datës 28 shkurt 1920[4].Gazeta “Peyamı Sabah” e datës 5 nëntor 1921 në faqen e dytë të saj shkruan se Shoqëria Ndihmëtare Shqiptare në datën 4 nëntor 1921 ka organizuar nën drejtimin e Halil Pashës grumbullimin në Stamboll të më shumë se tre mijë shqiptarëve[5]. Pra në këtë mënyrë shtypi turk u përcjell lexuesve zhvillimet në lidhje me pavarësinë e Shqipërisë. Pas këtij rikujtimi të shkurtër tani le të shikojmë se si është pasqyruar në shtypin turk të kohës lufta e Shqipërisë me Italinë.

          Pavarësisht se në traktatet e fshehta që u bënë gjatë Luftës së Parë Botërore një pjesë e tokave të Anadollit dhe Shqipërisë u ishin premtuar Italisë, pas luftës një pjesë e rëndësishme e këtyre vendeve iu dhanë Greqisë. Një disfatë e tillë në politikën e jashtme solli në Itali fuqizimin e opozitës socialiste dhe të opozitarizmit kundër ushtarëve dhe armatimeve që qeveria italiane kishte dërguar në Shqipëri[6]. Kjo kundërvënie jep rezultat dhe me fuqizimin e opozitës në Itali edhe vet Ministri i Mbrojtjes detyrohet të pranojë që kushtet në të cilat ndodhet vendi e pengojnë dërgimin e trupave ushtarake në Shqipëri[7]. Këtë çështje gazeta turke “Alemdar Gazetesi”, në numrin e datës 30 qershor 1920ua përcjell kështu lexuesve të saj: “në përgjigje të kërkesës së socialistëve për interpelancë qeveria italiane deklaroi se Italia ka hequr dorë nga protektorati i saj në Shqipëri, por ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën Roma do të vazhdojë të mbrojë pikëpamjet e saj mbi të ardhmen e Shqipërisë”[8].

           Gazeta“Vakit Gazetesi” në faqen e parë të numrit të datës 3 maj 1920 boton një shkrim nën titullin “Situata në Shqipëri”, ku thotë se Italia ka vendosur ta njohë Shqipërinë si një qeveri të pavarur dhe në datën 11 mars 1920 fqinji i saj (Shqipëria) bashkë me qytetin e Shkodrës kanë hyrë nën qeverisjen kombëtare[9]. Gazeta “Hakimiyeti Milliye” e datës 9 maj 1920 në lajmin me titull “Në Shqipëri” shkruan se në Tiranë është krijuar qeveria e re e përkrahur edhe nga Serbia, i gjithë Epiri i Veriut i ka mbetur Shqipërisë, forcat e armatosura shqiptare të përbëra nga 500 vetë kanë kapur nga italianët armë, municione dhe mitraloza, forcat e armatosura shqiptare kanë shkruar nëpër fshatra dhe kanë kërkuar njohjen e qeverisë e re të Shqipërisë dhe si rezultat i boshatisjes së atyre krahinave nga italianët, forcat e armatosura shqiptare i janë afruar kufirit grek[10].

          Ndërkohë që në Tiranë vazhdonin bisedimet e armëpushimit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, si rezultat kjo i përpjekjes që populli shqiptar kishte bërë kundër Italisë, gazeta “Peyamı Sabah” në faqen e parë të numrit të datës 3 korrik 1920 shkruan se gjatë diskutimeve në parlament për buxhetin 6-mujor Italia kishte marrë vendim për të mos e braktisur Vlorën deri sa të ishte e sigurt që Vlora nuk do të pushtohej nga ndonjë shtet tjetër[11]. Pas gjithë këtyre zhvillimeve në 2 gusht të vitit 1920 ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë nënshkruhet një protokoll dhe Italia vendos të tërhiqet nga Shqipëria[12].

         Gazeta“Vakit Gazetesi” e datës 20 gusht 1920 i njofton lexuesit mbi njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga Italia,dhe në Vlorë e në të gjithë kufijtë e tjerë të vendit është vendosur një qetësi e plotë[13]. Gazeta “Yeni Gün Gazetesi” e datës 24 gusht 1920 shkruan se në këtë proces shqiptarët kanë nisur të demonstrojnë një qëndresë të papritur kundër ushtrive italiane që kishin pushtuar vendin e tyre dhe në përpjekjet me këto ushtri shqiptarët kishin kapur rob shumë ushtarë italianë duke i detyruar ata që të tërhiqen[14]. Ndërkaq gazeta “Vakit Gazetesi”, e datës29 nëntor 1920 shkruan se qeveria italiane e ka firmosur Protokollin e Vlorës dhe pranon dhe respekton[15].plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e Shqipërisë të datës 6 gusht 1920[16].

            Si përfundim për arsye se pas fillimit të Luftës Nacionalçlirimtare Turke Italia me Greqinë kishin qenë pushtues të përbashkët edhe në Anadoll, edhe në Shqipëri shtypi turk fillon dhe i kushton një vëmendje më të madhe Përpjekjes së  Shqipërisë për Pavarësi. Kjo vëmendje rritet edhe më shumë në relacionin Shqipëri-Greqi. Kështu që mund ta lëmë për javën e ardhshme pasqyrimin në shtypin turk të kohës luftën për pavarësi që Shqipëria ka bërë kundër fqinjit të saj, Greqisë. (vazhdon)

U përgatit nga:Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ 

Burimet dhe literatura kryesore:

Gazeta "Alemdar", 30 qershor 1920.

Gazeta "Hakimiyeti Milliye", 20 dhjetor 1920, 9 maj 1920.

KOLLU, Atilla, “Türkiye-Balkan İlişkileri 1919-1939”, Hacettepe Üniversitesi Atatürk İlke ve İnkılâp Tarihi Enstitüsü, Yayımlanmamış Doktora Tezi, Ankara, 1996.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

Gazeta“Peyamı Sabah”, 3 korrik 1920, 5 nëntor 1920.

Gazeta“Vakit”, 3 maj 1920, 21 nëntor 1920, 20 gusht 1920, 29 nëntor 1920, 28 shkurt 1920.

Gazeta“Yeni Gün”, 24 gusht 1920.

 


[1]Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 20 dhjetor 1920, fq.1.

[2]Gazeta “Vakit”, 3 maj 1920, fq.1.

[3]Gazeta “Vakit”, 21 nëntor 1920, fq.1.

[4]Gazeta “Yeni Gün”, 28 shkurt 1920, fq.1.

[5]Gazeta “Peyamı Sabah”, 5 nëntor 1920, fq.1

[6]Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011,fq.89.

[7]Atilla Kollu, “Türkiye-Balkan İlişkileri 1919-1939”, Hacettepe Üniversitesi Atatürk İlke ve İnkılâp Tarihi Enstitüsü, Yayımlanmamış Doktora Tezi, Ankara, 1996, fq. 200. Kollu, “Türkiye-Balkan İlişkileri 1919-1939”, fq. 200ve Özcan, po aty, fq.91.

[8]Gazeta “Alemdar”, 30 qershor 1920, fq.1.

[9]Gazeta “Vakit”, 3 maj 1920, fq.1. Özcan, po aty, fq.90.

[10]Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 9 maj 1920, fq.3.

[11]Gazeta “Peyamı Sabah”, 3 korrik 1920, fq.1. Özcan, po aty,fq.91.

[12]Özcan, po aty, fq.91.

[13]Gazeta “Vakit”, 20 gusht 1920, fq.3. Özcan, po aty, fq.91.

[14]Gazeta “Yeni Gün”, 24 gusht 1920, fq.1.

[15]Gazeta“Vakit”, 29 nëntor 1920, fq.2.

[16]Data e protokollit është 2 gusht 1920.



Lajme të ngjashme