Koment – Nyja e Idlibit, një tjetër sprovë për sistemin ndërkombëtar

Është koha që bashkësia ndërkombëtare të provojë sinqeritetin e saj duke ndihmuar Sirinë për të hapur një kapitull të ri; një hap i parë është mposhtja e kërcënimin për një gjakderdhje të mundshme në Idlib...

Koment – Nyja e Idlibit, një tjetër sprovë për sistemin ndërkombëtar

*Nga Ibrahim KALIN

(Në foto: Sirianët hipin me sendet e tyre në një kamion për të shkuar drejt zonave më të sigurta në provincën Idlib të Sirisë, pasi u kanë shpëtuar sulmeve të regjimit, 6 shtator)

Në vitin e saj të shtatë, lufta siriane vazhdon të prodhojë kaos, dramë njerëzore dhe trazira politike. Pa një zgjidhje të fuqishme dhe të qëndrueshme politike, luftimet e vazhdueshme politiko-ushtarake vetëm sa do t’i përkeqësojnë krizat e tanishme. Zhvillimet e fundit në Idlib dhe rrethinat e tij ka gjasa t’i përkeqësojnë gjërat dhe jo t’i përmirësojnë ato.

Lufta siriane nuk ka të bëjë më me Sirinë. Sigurisht që nuk po luftohet për të ndihmuar popullin sirian. Është skena e një lufte globale me prokurë ndërmjet fuqive globale dhe rajonale. Brutaliteti i saj vjen jo vetëm nga armët e përdorura, por edhe nga dëshira e pashtershme për të pasur më shumë fuqi dhe ndikim. Një zgjidhje e bazuar në arsye, virtyt dhe dhembshuri do të kishte qenë e mundur shumë kohë më parë sikur palët e interesit të demonstronin një qasje tjetër.

Pjesa dërrmuese e botës i ka kthyer shpinën popullit sirian. Ndërsa bëjnë sikur solidarizohen me vuajtjet e popullit sirian, aktorët kryesorë kanë bërë shumë pak ose aspak për të ndalur luftën. Ata bënë sehir teksa populli sirian u kap nga përbindëshit binjakë të luftës: Regjimi i pamëshirshëm i Esadit që ka vrarë mijëra njerëz nga populli i tij, si dhe terroristët e markave të ndryshme, përfshi këtu DAESH-in dhe PYD/YPG0-në e lidhur me PKK-në, gjithashtu përgjegjëse për vdekjet dhe shkatërrimin në territoret siriane.

Dy proceset, i Gjenevës dhe i Astanës, kanë prodhuar disa rezultate, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë në gjendje të ndalojnë masakrën në vazhdim. Amerikanët kanë përdorur DAESH-in si një pretekst për të justifikuar praninë e tyre në verilindje të Sirisë. Tani që kërcënimi i DAESH-it është eliminuar në masë të madhe, ata po kërkojnë mënyra për të legjitimuar angazhimin e tyre me PKK-në në Siri, duke bërë një shkelje sa të rëndë aq edhe flagrante të partneritetit strategjik dhe marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Thirrjet e Turqisë në SHBA për t’i dhënë fund kësaj marrëdhënieje të errët kanë rënë në vesh të shurdhër. Regjimi sirian dhe mbështetësit e tij, domethënë Irani dhe Rusia, kanë përdorur edhe përbindëshin DAESH që të justifikojnë politikat e tyre për të vizatuar një hartë të re në hapësirën e Levantit. Të gjithë ata kanë shkatërruar ose dobësuar grupet e moderuara të opozitës siriane si ushtarakisht ashtu edhe politikisht.

Idlibi ka mbetur si bastioni i fundit i forcave opozitare siriane. Çdo sulm në këtë provincë prej 3,5 milionë banorësh do të çojë në një katastrofë të madhe humanitare. Kjo do të shkaktojë një valë tjetër emigracioni në Turqi dhe prej aty në Evropë e gjetkë. Ajo s’do të sjellë asgjë tjetër përveç vdekjes dhe shkatërrimit. Kjo do të minojë të gjitha përpjekjet politike nën proceset e Gjenevës dhe Astanës. Do të jetë një fitore imorale për regjimin e Esadit. Do të tregojë edhe një tjetër herë se e vetmja mënyrë për të arritur atë që dëshironi në Siri është të përdorni forcën brutale dhe pa dallim. S’mund të jetë kjo mënyra për të zgjidhur konfliktin sirian.

Bota ka bërë përsëri shumë pak për të parandaluar nyjën aktuale përreth Idlibit. Deklaratat që shprehin paralajmërim, zemërim, shqetësim, etj., nuk arrijnë asgjë. Kërcënimi për sulme nëse regjimi i Esadit përdor armë kimike është i pakuptimtë për dy arsye. Para së gjithash, regjimi ka përdorur armë kimike në të kaluarën dhe asgjë nuk është bërë për të shkatërruar plotësisht kapacitetet e tij. Disa sulme, kryesisht për fotografi popullore, nuk vlejnë asgjë. Së dyti, kushti i përdorimit të armëve kimike është një tjetër mënyrë për të thënë se regjimi mund të vazhdojë vrasjet e tija me armë konvencionale. Kjo është ironia e paturpshme e luftës siriane: Regjimi ka vrarë më shumë njerëz me armë konvencionale edhe pse ka përdorur armë kimike. Dhe kërcënimi vazhdon ende të jetë më i madh me të dyja mënyrat. Shqetësimi kryesor i Evropës nuk është të ndalë luftën, pasi nuk kemi parë ndonjë propozim apo përpjekje madhore deri më tani, por të sigurohet që vendet evropiane të mos përballen me një valë tjetër emigracioni si në vitet 2015 dhe 2016. Ato përkrahin Turqinë dhe është e rëndësishme që ky solidaritet të thellohet. Por asnjë shtet, përfshi këtu edhe Turqinë, nuk mund të mbajë vetëm mbi supe barrën e rëndë të dhënies fund luftës ushtarake, të gjetjes së një zgjidhjeje politike dhe të kujdesit për refugjatët. Evropianët duhet të marrin përgjegjësi dhe ta zënë demin për brirësh.

Idlib është një “zonë çtensionimi” sipas marrëveshjes së Astanës. Si tri vende garantuese, Turqia, Rusia dhe Irani kanë vendosur posta ushtarake në këtë provincë. Turqia ka 12 prej tyre. Prania e ushtarëve turq atje është ndoshta e vetmja garanci për të parandaluar ndonjë sulm të madh, sepse avionët luftarakë rusë dhe forcat tokësore të regjimit nuk mund të përballojnë sulme ndërsa ushtarët turq janë atje; ne e dimë se ata nuk kujdesen për civilët dhe forcat opozitare legjitime, të moderuara. Çdo sulm ndaj Idlibit në emër të eliminimit të grupeve terroriste do të minonte procesin e Astanës.

Turqia ka bërë maksimumin dhe do të vazhdojë përpjekjet e saj të palodhura për të parandaluar një tjetër katastrofë humanitare në Siri. Mbështetja ndërkombëtare duhet të shkojë përtej deklaratave të shqetësimit ose “zemërimit”, siç “cicëron” Presidenti amerikan, Donald Trump. Ajo duhet të përkthehet në veprime konkrete si për një zgjidhje politike ashtu edhe për një plan për refugjatët. Idlibi është një bombë me sahat. Ne mund ta çaktivizojmë atë dhe të fillojmë një proces të ri në Siri nëse bashkësia ndërkombëtare e merr seriozisht luftën siriane dhe tregon se kujdeset për popullin sirian.

 

*Zëdhënës dhe nënsekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Burimi: "Daily Sabah", 08.09.2018 ('The Idlib quagmire is yet another test for the international system)

Shqipëroi: Hilmi VELAGOSHTI - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme