Koment – Nazizmi në Parlamentin Evropian

Siç mund të kuptohet lehtësisht edhe nga rezultatet e zgjedhjeve legjislative gjermane të 24 shtatorit 2017, nazistët do të jenë të pranishëm në Parlamentin Evropian nga ato territore, ku nazizmi lindi dhe u përhap në të gjithë Evropën...

Koment – Nazizmi në Parlamentin Evropian

Koment – Nazizmi në Parlamentin Evropian

Rezultatet e zgjedhjeve legjislative në Gjermani u pritën anembanë botës si një zhvillim i zakonshëm. Mirëpo realisht, pas Holandës, Francës dhe Belgjikës, partia raciste ka hyrë edhe në Parlamentin Federal gjerman (Bungestag) duke bërë që ky grup të dërgojë përfaqësues në Parlamentin Evropian. Me fjalë të tjera, nazistët do të jenë të pranishëm në Parlamentin Evropian mu nga ato territore, ku nazizmi lindi dhe u përhap në të gjithë Evropën.

Në të vërtetë, e tërë bota duhet të ulet e ta mendojë këtë gjatë e gjerë për të gjetur rrugëdalje nga vorbulla, e cila po na pushton e rrëmben. Megjithatë – për një arsye ende të panjohur (!) – intelektualët perëndimorë në veçanti preferojnë të heshtin në lidhje me çështjen në fjalë. Vetëm se kuçedra naziste do të trokasë një ditë edhe në derën tuaj, pa marrë parasysh nëse ju heshtni apo trumbetoni. Me largimin e Evropës nga idealet dhe vlerat e qytetërimit të saj, nazizmi dhe racizmi filluan të gjejnë mjedis jetese dhe hapësirë frymëmarrjeje.

Vlerat, që i dhanë shkëlqim Perëndimit, ishin dy: Demokracia dhe interpretimi i të drejtave të njeriut. Sidoqoftë, pas Luftës së Ftohtë, bota perëndimore i përdori shumë harbutërisht këto dy vlera, mbi të cilat kishte ngritur të gjithë qytetërimin e saj.

Por mjetet e komunikimit masiv (masmedia) u përhapën me shpejtësi duke u dhënë dy njerëzve në skaje të ndryshme të planetin tonë shansin për t’iu qasur njëkohësisht informacioneve dhe lajmeve në lidhje me jetën e përditshme. Kështu, sa më shumë u ushqyen me dije popujt lindorë, aq më shumë liri kërkuan si individ, shoqëri dhe shtet.

Kërkesat në fjalë të Lindjes zbuluan dualizmin e Perëndimit dhe fytyrën kontradiktore të tij për sa i takon demokracisë. Në Lindje, individët mund t’i shprehin shtetit përkatës çdolloj kërkese të tyren për liri dhe të bëjnë përpjekje për këtë. Madje këto kërkesa duhet edhe t’i jetësojnë. Por, kur liria individuale në fjalë u gjallërua në nivel shoqëror dhe shtetëror, mu aty Perëndimi bëri kthesë 180 gradë befasisht.

Sipas perëndimorëve, kufiri i kërkesave të lindorëve për liri dhe për më shumë konsum mbaron aty ku nisin interesat e Perëndimit.

Fjala vjen, le të krahasojmë dy punëtorë, që bëjnë të njëjtën punë në fabrika të ndryshme të një prodhuesi automobilistik evropian në Gjermani dhe Indi. Kompanitë automobilistike evropiane përpiqen me sa munden edhe për të mbrojtur të drejtat sindikale të punëtorëve. Me sa shihet deri këtu, prioriteti kryesor i kapitalit perëndimor s’është fitimi, por niveli i mirëqenies dhe i jetesës së punëtorëve. Mirëpo në praktikë ndryshon shumë.

Për shembull, çmimi i modelit të prodhuar në Gjermani nga “X” kompani automobilistike evropiane është në të gjithë botën njësoj me të njëjtin model të prodhuar në Indi, Pakistan, Korenë e Jugut apo në Turqi nga po ajo kompani. Por dallimi ndërmjet rrogave të punëtorëve, që prodhojnë atë model, është një humnerë e skëterrshme. Punëtori në Gjermani mund të çojë mish në shtëpi çdo ditë të Perëndisë dhe të ushqehet sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO). Kurse rroga mujore e punëtorit në Indi është më e vogël edhe sesa paga javore e kolegut gjerman. Përgjigja, që merrni kur këtë situatë ia shprehni kapitalit, është nënshtruese dhe margjinalizuese.

Në të njëjtën mënyrë, perëndimorët nuk mirëpresin as kërkesën e shteteve për reciprocitet në marrëdhëniet e tyre të jashtme apo për t’i vendosur ato në të njëjtin nivel. Thuajse duan të vazhdojnë zakonet e tyre koloniale; përherë me një botëkuptim komandues, nënshtrues, fodull dhe arrogant.

Bie fjala, ju jeni lideri i një vendi lindor. Jeni zgjedhur duke marrë votën e më shumë se gjysmës së popullit tuaj, me zgjedhje transparente dhe të ndershme. Ama jeni personi më i keq në botë kur filloni të mbroni interesat e vendit tuaj kundër Perëndimit dhe të thoni se jeni të barabartë me ata.

Edhe pse parlamenti, shtypi, gjyqësori, universitetet, sistemi juaj i komunikimit funksionon lirshëm dhe pa censurë, papritmas ju quajnë diktator. Sa më shumë që ju mbështeteni në votime nga populli juaj i etur për pavarësi, aq më tepër diktator jeni në këndvështrimin perëndimor. Juve ju quajnë të pandershëm kur fitoni 52 për qind të votave dhe merrni drejtimin e shtetit. Kurse një lider politik evropian, që merr vetëm 31 për qind të votave dhe drejton qeverinë e vendit përkatës, është triumfues i demokracisë.

Siç e përmenda edhe pak më lart, duke qenë se tashmë janë shembur të gjitha barrierat për qasjen e informacionit në masa, çobani i lopëve në Turqi dhe politikani gjerman në Hamburg mund të përvetësojnë të njëjtin informacion njëkohësisht. Dhe, me të drejtë, çobani i lopëve të Turqi thotë se këtu ka diçka që nuk shkon. Këtë ia pyet perëndimorit, që e pandeh aleat dhe partner të tijin. Ndërsa perëndimori vazhdon me atë qëndrimin e tij nënshtrues dhe përçmues. Sa më shumë që shtohen pyetjet dhe kërkesat për liri nga Lindja, aq më tepër politikanët nga Perëndimi përqafojnë retorizmin nacionalist brenda vendeve të tyre.

Forcat politike të masës në Perëndim po ndjekin të njëjtin kurs me partitë e vogla raciste vetëm e vetëm për të kënaqur ambiciet e tyre për populizëm dhe pushtet politik. Këto parti të masës, të cilat janë duke përqafuar një diskurs gjithnjë e më larg demokracisë dhe të drejtave të njeriut duke shkuar hera-herës deri te krimi i urrejtjes, ngritën sërish nga varri nazizmin e shovinizmin duke mundësuar edhe krijimin e lëvizjes islamofobe dhe ksenofobe Pegida.

Një gjuhë raciste, margjinalizuese dhe shoviniste nuk po përdorin vetëm partitë masive, por gjithashtu forcat politike të majta dhe socialdemokrate, të cilat gjoja mbrojnë të drejtat universale të njeriut. Madje këtë diskurs racist, që nuk është gjë tjetër veçse krim urrejtjeje, e bëjnë nëpërmjet socializmit, socialdemokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Gjatë çerekshekullit të fundit, pothuajse të gjithë politikanët perëndimorë kanë bërë të njëjtin gabim duke mundësuar rritjen e topit të dëborës për ta transformuar atë në ortekun e sotëm.

Shikoni Holandën! Edhe pse ka kaluar gati një vit që nga zgjedhjet parlamentare, qeveria në këtë vend nuk është formuar ende për shkak të partisë raciste dhe fashiste. E njëjta situatë me atë në Holandë vihet re edhe në Belgjikë. Kurse Austria duket sikur të jetë në garë me Gjermaninë për sa i takon retorizmit nazist. Shpresat i kanë varur te gjuha raciste madje dhe politikanët në Francë, vend që njihet si djepi i përpjekjes dhe garës demokratike.

Gabimet e pandërprera ndër vite u kanë hapur deputetëve racistë dhe nazistë deri në fund derën e Parlamentit Evropian. Partitë e masës, të cilat duan të përfitojnë nga racizmi i shkaktuar prej krizës ekonomiko-politike në Evropë, do të përqafojnë edhe më fort këtë retorizëm të errët.

Fatkeqësisht, krimi i racizmit dhe i nazizmit janë kandidatë për t’u bërë diskursi kryesor i Evropës në periudhën e re. Ndërsa ajo, që ngjall më tepër keqardhje, është se tashmë në Parlamentin Evropian, i cili në themelimin e tij deklaronte se nuk do të devijonte kurrë nga parimet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, do të shprehet si “ide” edhe krimi i urrejtjes krahas diskursit nazist e racist. Uroj dhe shpresoj që intelektualët evropianë të jenë në dijeni të këtij rreziku dhe të veprojnë me vetëdije.

 

Autor: Erdal Simsek - Lektor i historisë në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme