Koment – Depozitimi i dritës

Vetëm pak ditë më parë, shkencëtarët e Universitetit të Sidneit kanë arritur me sukses që të depozitojnë dritën në një çip kompjuterik, në përmasat e valëve zanore...

Koment – Depozitimi i dritës

Koment – Depozitimi i dritës

Luftërat me prokurë, rritja e dukshme e racizmit në Evropë, evoluimi i shpejtë i politikanëve gjermanë në nazizëm dhe luftërat e pafundme në Lindjen e Mesme po krijojnë efekte negative të vazhdueshme mbi shpresat e njerëzve për të ardhmen. Përveç atyre që përpiqen çmendurisht për ta kthyer planetin tonë në një top të zjarrtë, ka me siguri edhe njerëz që duan t’i ofrojnë jetës shpresë.

Pak ditë më parë, dëgjuam nga Australia lajmin më të mirë dhe më të bukur që prej çerekshekulli. Sipas këtij lajmi, shkencëtarët e Universitetit të Sidneit kanë arritur me sukses që të depozitojnë dritën në një çip kompjuterik, në përmasat e valëve zanore.

Ky ishte një lajm i pabesueshëm për një person si unë, që kam një pasion të veçantë për fizikën dhe jam shkolluar në këtë fushë. Fillova menjëherë hulumtimet. Kur mësova se bëhej fjalë për një lajm të vërtetë (jo fals) duke kërkuar mes revistave shkencore, u gëzova dhe kënaqa kaq shumë, saqë mbeta pa fjalë për disa çaste. Për mua, kjo ishte një ndjenjë po aq e mrekullueshme sa edhe ajo kur dashuria e jetës suaj pranon propozimin për martesë apo kur bëhesh baba. Lumturia e dhuruar nga ky lajm është gati e pamundur të përshkruhet jo vetëm për mua, por për të gjithë fizikanët dhe të pasionuarit e fizikës.

Sepse njerëzimi po bën përpjekje të jashtëzakonshme prej rreth një shekulli për të depozituar dritën. Shkencëtarët amerikanë në veçanti janë duke punuar fuqishëm pa ndërprerje që nga viti 1949 e këtej për të arritur depozitimin e dritës. Bota akademike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ajo që ka shpenzuar më shumë kohë, mund dhe para në këtë aspekt. Në Turqi, fatkeqësisht, kërkimet në këtë fushë ishin vetëm në nivelin e informacionit deri në fillim të viteve 2000. Kurse pas zgjedhjes së Recep Tayyip Erdoganit në krye të vendit, edhe Republika e Turqisë nisi të caktojë fonde dhe kohë serioze për hulumtimet në këtë drejtim.

Edhe pse i ka filluar me vonesë kërkimet në fjalë, Turqia ia ka dalë me sukses që të renditet mes vendeve të rëndësishme të botës me punën e saj në transformimin e energjisë diellore dhe shfrytëzimin e disa rrezeve në industrinë e mbrojtjes. Për shembull; distanca e përshkuar aktualisht nga Turqia në lidhje me rrezet laser është në nivel konkurrues me Pentagonin, edhe pse kërkimet në këtë fushë i ka nisur gati 50 vite pas vendeve të botës perëndimore.

Mirëpo si arriti bota deri në këtë revolucion të heshtur madhor?

Do të bëj shkurtimisht një retrospektivë të rrugëtimit historik drejt këtij zbulimi të jashtëzakonshëm duke i hedhur një shikim gjithashtu kontributit të tij për të ardhmen tonë.

Në numrin e majit 1949 të revistës “Popular Science” shpjegohej se inxhinierët e Institutit Teknologjik të Masaçusetsit (MIT) kishin ndërtuar një shtëpi me energji diellore.

Dhoma e ndenjjes së kësaj banese, gjerësisht e njohur si “Shtëpia e Diellit”, ishte e mbushur me depozita të kripës së Glauberit apo sulfatit të natriumit. Kjo lloj kripe shkrin në temperaturën 32oC duke e ruajtur energjinë në mënyrë më të frytshme, sesa uji. Sistemi i ndërtuar nga kimistja Maria Telkes dhe arkitektja Eleanor Raymond e orientonte energjinë diellore në depozitat e sulfatit të natriumit, ndërsa këto depozita ngrohnin ambientet e brendshme të shtëpisë kur moti ishte i ftohtë ose me re.

Megjithatë rezultatet nuk ishin ato të parashikuarat. Banorët e shtëpisë në fjalë nuk ngroheshin mjaftueshëm gjatë dimrit dhe depozitat e kripës së Glauberit rridhnin vazhdimisht. Kjo bënte që banorët e kësaj shtëpie të mos qëndronin atje më shumë se 2-3 vite.

Gjatë këtij procesi u realizuan edhe disa projekte të tjera. Kompania “Ice Energy” provoi një sistem efektiv të depozitimit të energjisë, i cili quhej “Ariu Polar” (Ice Bear) dhe konsistonte në ngrirjen e një depozite uji gjatë natës për të depozituar energjinë në një bllok akulli, që ditën shërbente si ftohës për sistemin e klimatizimit.

Kurse në bateritë modulare të kompanisë “Aquion Energy” u përdor një tretësirë jotoksike apo e pandezshme uji me kripë për të depozituar energjinë eolike (e erës) dhe diellore.

Njerizimi ia doli në këtë mënyrë që të depozitojë dritën si energji pa ndonjë problem dhe menjëherë pas kësaj arritjeje nisi punimet shkencore për depozitimin e dritës si dritë. Me zhvillimin e teknologjisë kompjuterike, gjigantët e sektorit caktuan dhe vazhdojnë ende të caktojnë fonde të pabesueshme për këto projekte. Megjithatë ky zbulim i suksesshëm iu bë kësmet disa shkencëtarëve të një universiteti me buxhet të kufizuar, në një cep të botës.

Dhe kështu njerëzimi arriti të depozitojë për herë të parë dritën si valë zanore në një çip kompjuterik.

Kjo arritje është një pikë kthese e rëndësishme sa edhe zbulimi i zjarrit, parasë dhe shpikjes së motorit apo makinës me avull. Për të shpjeguar më mirë peshën e këtij zbulimi mjaftojnë disa shembuj të thjeshtë: Tashmë në jetën tonë do të ketë kompjuterë, që operojnë me shpejtësinë e dritës, ndërkohë që me shpejtësinë e dritës do mund të bëhet gjithashtu transferimi i të dhënave. Dhe këta shembuj kanë të bëjnë vetëm me transferimin dhe ruajtjen e informacionit.

Realisht bëhet fjalë për një zbulim, i cili do të ndryshojë tërësisht jetën e njeriut. Do të mbyllet periudha e luftërave të filluara për të dominuar burimet dhe rezervat e energjisë. Nuk do të ketë gjenocide dhe vdekje masive. Sepse depozitimi i dritës nënkupton lehtësimin edhe më shumë të grumbullimit apo ruajtjes së energjisë. Kurse prodhimi i dritës duke u frymëzuar nga “përplasësi i madh” apo hulumtimet e Mendelit mund të ngrihet në rend të ditës si një fazë më e avancuar e depozitimit të dritës.

Edhe në shëndetësi do të ketë një revolucion të madh. Do të përshpejtohen ndjeshëm kërkimet dhe zbulimet në lidhje me qelizat staminale, si dhe proceset e prodhimit të indeve. Thënë ndryshe, biofabrikimi i indeve të gjalla do të reduktohet në disa orë apo minuta, nga javë të tëra kohë sot për sot. Pra, do të realizohet prodhimi i kockave dhe dhëmbëve duke eliminuar problemin e implanteve apo protezave të krahëve, këmbëve apo dhëmbëve të njerëzve. Depozitimi i dritës do mund të sjellë një përshpejtim shumë të madh të zhvillimeve në këtë fushë.

Zbulimi i jashtëzakonshëm në fjalë do t’i japë fund po ashtu një tjetër problemi shumë të rëndësishëm të planetit tonë, prodhimit dhe magazinimit të artikujve ushqimorë. Sepse depozitimi i dritës nënkupton gjithashtu ruajtjen e vitaminave të dritës. Nëse sjellim në kujtesë të vërtetën se vitaminat e diellit përdoren në kurimin e sëmundjeve me bazë radioaktive, atëherë do të kuptohet edhe më mirë se çfarë do të thotë ky zbulim.

Siç thoshte dikur edhe Neil Armstrong për Uljen në Hënë: “Ky është një hap i vogël për një njeri, por një hap vigan për njerëzimin.” Sot, depozitimi i dritës në një mikroçip është një prej sukseseve më të mëdha të racës njerëzore.

 

Autor: Erdal Simsek - Lektor i historisë në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme