Koment - Kriza e Gjirit dhe marrëdhëniet Turqi-Katar

Kriza e fundit e jetuar në Gjirin Persik afroi edhe më shumë pranë njëri-tjetrit Turqinë dhe Katarin, të cilat edhe ashtu kanë marrëdhëniet të mira mes tyre.

Koment - Kriza e Gjirit dhe marrëdhëniet Turqi-Katar

Katari, nga aspekti i numrit të popullsisë dhe territorit është një vend i vogël, mirëpo nga aspekti i ndikimit, diskursit dhe veprimit është një vendi i madh i Lindjes së Mesme. Me anë të marrëdhënieve të forta me botën perëndimore dhe median e fortë të tij, Katari është një aktor i rëndësishëm i Lindjes së Mesme. Së bashku me procesin e Pranverës Arabe, Katari si palë e krizave në Lindjen e Mesme mbajti një qëndrim të caktuar. Katari së bashku me Turqinë herë pas here u largua nga politikat e tij të jashtme të pozitës së ndërmjetësuesit dhe mbështeti kërkesat legjitime dhe të drejta të popujve të rajonit. Për dallim nga vendet tjera të Gjirit, Katari lëvizjet e moderuara politike si Nahda dhe Vëllezërit Myslimanë nuk i perceptoi si kërcënim për sigurinë e regjimit. Në këtë drejtim politik, Katari vendosi edhe marrëdhënie të mira me Turqinë, të cilën ai e merrte si shembull.

Katari dhe Turqia kanë bashkëpunime serioze edhe në fushën e ekonomisë. Vlera e investimeve të Katarit në Turqi arrin në shifrën e 20 miliardë dollarëve. Në dy muajt e fundit nëpërmjet Fondit të Aseteve në Turqi kanë hyrë 600 milionë dollarë të kapitalit të Katarit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, Turqia vitin e kaluar realizoi një eksport drejt Katarit në vlerë 439 milionë dollarë, ndërsa ka importuar mallra në vlerë 271 milionë dollarë. Ndërkaq vëllimi i përgjithshëm tregtar mes dy vendeve u realizua në nivelin e 710 milionë dollarëve.

Me fillimin e krizës në Katarit, para Turqisë ndodheshin dy mundësi: të qëndroj neutrale ose të marr pjesë në mënyrë aktive. Turqia zgjodhi të jetë aktive në këtë çështje dhe zgjodhi të jetë pranë Katarit. Diplomacia turke zhvilloi kontakte intensive në favor të Katarit. Turqia theu drejtpërdrejt rrethimin e Katarit duke i dërguar ndihma në ushqim dhe më e rëndësishmja është miratimi nga ana e Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë të marrëveshjes së arritur më herët me Katarin në lidhje me zhvillimin e pranisë ushtarake turke në Katar.

 

Turqia dhe Katari kanë një bashkëpunim serioz edhe në fushën ushtarake. Në kuadër të marrëveshjes ushtarake mes këtyre dy vendeve mes datave 17-29 tetor 2015 u zhvillua një stërvitje ushtarake fushore e quajtur “Nasr-2015”. Turqia është duke e rritur kapacitetin e bazës së saj ushtarake në të cilën aktualisht ndodhen 88 ushtarë. Marrëveshja për trajnim ushtarak e nënshkruar në vitin 2015 mes Turqisë dhe Katarit e cila u miratua para disa ditëve, si dhe publikimi se Turqia do të dërgoj mes 600  dhe 5 mijë trupa në Katar, ndryshoi edhe kursin e krizës.

Ndjekja e një politike të ekuilibruar dhe pajtuese nga ana e Turqisë ndërkohë që dha përkrahjen ndaj Katarit, i cili është aleati i saj, ka qenë një politikë e qëlluar. Presidenti Erdogan theksoi se prania e bazës ushtarake turke në Katar është në drejtim të sigurisë dhe stabilitetit të Gjirit. Madje edhe deklarata se Mbretit Selman i është propozuar formimin e një baze të ngjashme në Arabinë Saudite në kohë të njëjtë është një shembull tjetër i qasjes konstruktive të Turqisë. Në fazën e parë gjatë përkrahjes së Katarit, Turqia nuk hoqi dorë nga dërgimi i mesazheve të paqes dhe kështu dëshmoi se është “fuqia e zgjuar” (smart power) e rajonit.

Katari është një aktor i rëndësishëm edhe në fushën ndërkombëtare të financave. Me investimet ndërkombëtare të bëra viteve të fundit ky vend doli para vendeve investitorë të Gjirit siç janë Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Katari, i cili ka rezervën e tretë më të madhe të gazit natyrorë në botë dhe që është vendi i 13-të në botë për nga rezervat e naftës, shënoi zhvillim të madh ekonomik. Katari, i cili këtë zhvillim e mbështeti edhe me modernizimin e vendit, me anë të Fondacionit të Katarit format e modernizimit dhe globalizimit i gërsheton me kulturën e Katarit dhe kjo bën që ky vend radhitet në një vend tjetër në krahasim me vendet tjera të Gjirit. Në vend është e përhapur forma e moderuar e selefizmit si besim. Katari qëndron larg nga qasjet e rrepta dhe përjashtuese të selefizmit dhe kjo është një element tjetër që afron Katarin edhe më shumë me Turqinë, e cila është trashëgimtare e traditës islame.

Me anë të një marrëveshjeje të bërë me anglezët Perandoria turke kishte pranuar të tërhiqet nga Katari. Mirëpo tërheqja e plotë nga Katari u bë në vitin 1915. Tani turqit kthehen në Katar me anë të bashkëpunimeve të shumta pas 102 vitesh. Sot Turqia dhe Katari ndjekin një politikë të ekuilibruar në Lindjen e Mesme. Të dy vendet gjithashtu gjejnë aplikim në një bashkëpunim të pavarur dhe aktiv të politikës së jashtme. Bujaria, ndihma, iniciativa, ndërmjetësimi dhe investimet përbëjnë fushat e ndikimit të këtyre dy fuqive të rëndësishme të Lindjes së Mesme në nivel rajonal dhe global. Sot Katari dhe Turqia janë dy fuqi të rëndësishme në rajonin e Lindjes së Mesme. Prandaj nuk duan të mbeten jashtë formimit të një rendi të ri në rajonin e Lindjes së Mesme, ndërsa Turqia dhe Katari bashkojnë vlerat dhe parimet e tyre të përbashkëta në këtë drejtim.

Autor: Cemil Dogaç Ipek



Lajme të ngjashme