Vizita e Erdoganit në Kazakistan

Erdogan, Astana 2017 | Kurse pas takimit kokë më kokë, duke folur në një konferencë shtypi me presidentin kazak, lideri turk tha se ka përfunduar puna përgatitore për samitin e ardhshëm të Astanës, i cili do të mbahet më 14 shtator, duke u shprehur plot shpresë që hapat e ndërmarra për vendosjen e paqes në Siri do të përfundojnë serish në Astanë.

Erdogan, Astana 2017

Të shtunën (09.09.2017) Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, realizoi një vizitë zyrtare në Kazakistan, ku të dielën do të mbahet edhe Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit Islam. Kreu i shtetit turk u prit me ceremoni zyrtare në Pallatin Presidencial “Akorda” të Astanës. Pas ceremonisë së pritjes, Presidenti Erdogan dhe homologu i tij kazak, Nursultan Nazarbayev, realizuan një takim kokë më kokë. Në një prononcim përpara takimit të sipërcituar, Erdogan tërhoqi vëmendjen mbi përpjekjet e tyre madhore për t’i fuqizuar çdo ditë e më tepër marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Erdogan gjithashtu vuri në dukje se Turqia dhe Kazakistani duhet të punojnë së bashku për të rritur dhe forcuar më tej lidhjet e tregtisë dypalëshe ndërmjet dy vendeve. Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit Islam do të fillojë punimet të dielën, më datë 10 shtator, me pjesëmarrjen e rreth 70 delegacioneve nga 57 shtete të botës.

Gjatë kësaj vizite, Presidenti Erdogan shoqërohet nga zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë, ambasadori Ibrahim Kalin, zëvendëskryeministri Hakan Çavusoglu, ministri i Ekonomisë, Nihat Zeybekci, ministri i Shkencës, Industrisë dhe Teknologjisë, Faruk Ozlu, ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, si dhe ministrja e Familjes dhe Politikave Sociale, Fatma Betul Sayan Kaya.


Fjalët Kyçe: marrëdhëniet Turqi-Kazakistan , EXPO 2017 , Organizata e Bashkëpunimit Islam , bisedimet e Astanas , Astana , Akorda , Nursultan Nazarbayev , Presidenti Recep Tayyip Erdogan