Turqi – “Gobeklitepe” përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s

“Gobeklitepe” | Një sit arkeologjik në juglindje të Turqisë, konsideruar si tempulli më i vjetër në botë, “Gobeklitepe” është shtuar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, njoftoi të dielën Ministria turke e Punëve të Jashtme. Përmes një komunikate të shkruar në faqen e saj të internetit, MPJ turke bëri me dije se vendimi është marrë gjatë sesionit të 42-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në kryeqytetin Manama të Bahrejnit. Turqia mburret tashmë me 18 site arkeologjike të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

“Gobeklitepe”

Zbuluar fillimisht në vitin 1963, gjatë kërkimeve sipërfaqësore të realizuara nga arkeologë të Universitetit të Stambollit dhe Universitetit të Çikagos në Lagjen “Orencik” të rrethit Sanliurfa, 18 km nga qendra e qytetit, gërmimet intensive në këtë sit të rëndësishëm të Turqisë vijojnë prej më se gjysmë shekulli. Që prej vitit 1995 e këtej, në kuadër të projektit të përbashkët të Institutit Gjerman të Arkeologjisë në Berlin dhe Muzeut të Sanliurfas, në “Gobeklitepe” janë zbuluar dhjetëra obeliskë të periudhës neolitike me trajtën e germës “T”, përmasat e të cilëve ndryshojnë nga 3 deri në 6 m dhe peshat nga 40 deri në 60 tonë, të zbukuruar me figura kafshës të egra. Në këto gërmime arkeologjike janë zbuluar po ashtu rrënojat e tempullit më të vjetër në botë, me trajtë drejtkëndore dhe rrethore me diametër 8-30 m. Ky objekt kulti parahistorik, i cili mendohet të ketë një të kaluar rreth 12.000-vjeçare, ka në inventarin e zbulimeve edhe vepra historike të ndryshme, përfshi këtu disa statuja njerëzore 65 cm të larta.


Fjalët Kyçe: Turqi , Lista e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s , obelisk , sit arkeologjik , Gobeklitepe