Zgjohet sërish Vullkani Fuego i Guatemalës

Vullkani Fuego 2018 | Shpërthimet për herë të dytë brenda këtij viti në Vullkanin Feugo, rreth 40 km në jug-perëndim të kryeqytetit të Guatemalës, kanë prekur më shumë 1,7 milionë njerëz. Shtëpitë e fshatit El Rodeo janë mbuluar nga llavët.

Vullkani Fuego 2018

Me dhjetëra persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë u plagosën nga shpërthimi i Vullkanit Fuego në Guatemalë, raportojnë zyrtarë të Agjencisë Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive.

I ndodhur rreth 40 km në jug-perëndim të kryeqytetit të Guatemalës, vullkani u riaktivizua të dielën duke hedhur në qiell gurë, tym të zi dhe hi.

Një lumë llave goditi fshatin El Rodeo, duke shkatërruar shtëpi dhe duke djegur njerëzit brenda.

Fanuel Garcia, drejtor i Institutit Kombëtar të Shkencave Ligjore, tha se deri tani janë gjetur 69 trupa të pajetë, nga të cilët 17 janë identifikuar.

"Është shumë e vështirë për ne që të identifikojmë kufomat, pasi mungojnë fytyrat, shenjat e gishtërinjve të disa prej të vdekurve. Do të na duhet të përdorim metoda të tjera për identifikimin e tyre dhe nëse do të jetë e mundur do të marrim mostra të ADN-së për të bërë identifikimin”,- sqaroi Garcia.

Presidenti Jimmy Morales ka shkuar në zonën e fatkeqësisë dhe ka bërë inspektime. Ekipet e emergjencës shpëtuan me helikopterë të paktën 10 persona që kishin mbetur në mes të llavës vullkanike.

Autoritetet theksojnë se nga shpërthimet e vullkanit janë prekur në total 1,7 milionë njerëz.

Kjo është hera e dytë brenda këtij viti që shpërthen Vullkani Fuego, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje për evakuim të banorëve që jetojnë pranë vullkanit.

Sipas ekspertëve, ky është shpërthimi më i madh që nga viti 1974.


Fjalët Kyçe: llavë vullkani , Fshati El Rodeo , Guatemala City , Vullkani Fuego