Shtypi turk 11.01.2019

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e premte, 11 janar 2019:

Shtypi turk 11.01.2019

Yeni Şafak” – Times: Erdogani ka të drejtë në çështjen e YPG/PKK-së

Në një analizë publikuar në faqen e internetit të gazetës angleze “Times” i jepet e drejtë Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) për YPG-në. Ndërmjet PKK-së dhe YPG-së nuk ka asnjë dallim,- thekson “Times” në analizën e saj, ndërsa shkruan se është e pakuptueshme se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), që sot janë fuqia më e madhe kapitaliste e botës, lideri i NATO-s dhe aleancës Perëndimore, vazhdojnë të mbështesin YPG/PKK-në, një organizatë terroriste kjo, bindjet e të cilës lëkunden mes Marksizmit, një ideologji demode, dhe Murray Bookchin, një filozof anarkist jo shumë i njohur.

Vatan” – Delegacioni amerikan vjen për shitjen e raketave Patriot

Në datat 15-16 janar një delegacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) do të vijë në Turqi për të negociuar shitjen e sistemeve të mbrojtjes raketore “Patriot”. Javën e ardhshme delegacioni amerikan do të ketë kontakte në Presidencën e Industrisë turke të Mbrojtjes. Kushti paraprak i palës amerikane për shitjen e sistemit “Patriot” është të heqë dorë nga blerja e raketave ruse S-400. Vetëm se Turqia është e vendosur të blejë nga Rusia sistemin S-400. Kurse në fund të janarit një delegacion turk do të vizitojë Uashingtonin.

Sabah” – Programi kompjuterik kombëtar dërgon mesazhin e parë

Në punimet, që zhvillohen me qëllim sigurimin e transmetimit në mënyrë të sigurt të informacionit taktik ndërmjet platformave ushtarake dhe qendrave komanduese, është arritur një sukses i rëndësishëm. Firma turke MilSOFT, e cila vepron në fushën e teknologjisë së programit kompjuterik, ka zhvilluar programin vendor dhe kombëtar të linkut për transmetimin e të dhënave taktike. Programi është tërësisht kombëtar dhe në standardet e NATO-s. Programi do të mundësojë edhe krijimin e një rrjeti (kompjuterik) me link kombëtar ndërmjet platformave ushtarake, që do të punojnë me radiot dhënëse-marrëse, modemet dhe sistemet e shifrimit (të informacionit), pajisje dhe sisteme këto që janë prodhuar në Turqi. Testi i programit u realizua me sukses dhe mesazhi i parë që transmetoi linku kombëtar turk ishte “Përshëndetje moment historik”.

Haber Türk” – Objektivi është 70 milionë turistë, 70 miliardë dollarë të ardhura

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Ersoy mori pjesë në edicionin e 49-të të panairit të turizmit në Utrecht të Holandës, ndaj të cilit profesionistët turq të sektorit treguan një interesim të madh. Në deklaratat që bëri këtu, ministri Ersoy tha se turizmi turk në vitin 2018 fitoi një shtysë serioze. Në aspektin e numrit të turistëve,- vijoi Ersoy,- në vitin 2019 ne presim të kemi një rritje deri në 18-20%. Në vitin 2019, kam bindjen se do të kapim shifrën e 52 milionë turistëve. Objektivat i kemi rritur. Objektivi i ri është 70 milionë turistë dhe 70 miliardë dollarë të ardhura”, shtoi ai.

Star” – Profesionisti i turizmit hallall krenohet me çmimin që mori

Hoteli me 5 yje “Adin Beach”, i cili ndodhet në parajsën e turizmit turk, Alanya/Antalya, një kompleks pararojë në Turqi në fushën e turizmit hallall dhe që u ofron mysafirëve një shërbim të përkryer dhe të shkëlqyeshëm, ka arritur ta shkruajë emrin në listën e çmimeve që krijohet duke marrë për bazë pikët që 8 milionë pushues kanë dhënë për 900 mijë hotele në mbarë botën. Hoteli “Adin Beach” ka fituar çmimin e hotelit të rekomanduar “HolidayChek 2019”.



Lajme të ngjashme