Shtypi turk 06.12.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e enjte, 6 dhjetor 2018:

Shtypi turk 06.12.2018

“Haber Türk” – Avioni luftarak kombëtar në testin e erës

Avioni luftarak kombëtar i Turqisë, TF-X, projekti më i avancuar në Evropë për aeroplanët luftarakë të gjeneratës së pestë, po iu nënshtrohet testeve në tunelin e erës. Turqia, e cila aspiron ta përfundojë këtë avion shumë shpejt, është duke i dhënë formën përfundimtare konfiguracionit të tij. Synimi është që në vitin 2033 të nisë prodhimi në seri i avionit dhe deri atëherë të merren 400 porosi.

“Yeni Şafak” – Turqia bën histori në aviacionin civil

Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI), ku janë të anëtarësuar rreth 2 mijë aeroporte nga 176 vende të ndryshme të botës, ka publikuar raportin që përfshin periudhën 2008-2018. Sipas këtij raporti, Turqia ka rritur me 191 për qind numrin e pikëmbërritjeve direkte të fluturimeve ndërkombëtare në dekadën e fundit. “Gjatë të njëjtës periudhe, Turqia ka rritur gjithashtu me 130 për qind numrin e pikëmbërritjeve indirekte të fluturimeve ndërkombëtare, me 157 për qind lidhjet e aeroporteve dhe me 534 për qind lidhshmërinë e rrjetit duke u bërë vendi që e ka zgjeruar më shumë rrjetin e fluturimeve në Evropë.

“Star” – Afrohet me 1 vit dorëzimi i anijes ushtarake më të madhe të Turqisë

Janë përshpejtuar aktivitetet e ndërtimit të Anijes Sulmuese Amfibe Multifunksionale “TCG Anadolu”, e cila do të jetë më e madhja deri më sot në inventarin e marinës turke. Ky është projekti më i madh i industrisë turke të mbrojtjes dhe njëherësh shembulli më konkret i synimit të Turqisë për t’u bërë fuqi globale. “TCG Anadolu”, anija e parë kombëtare aeroplanmbajtëse e Turqisë, ka gjithashtu një kapacitet prej 6 fregatash “F358”, 4 helikopterësh “ATAK” (prodhim turk), 8 helikopterësh transporti të mesëm, 2 helikopterësh multifunksionalë “Seahawk” dhe dy mjetesh fluturuese të telekomanduara. Luftanija “TCG Anadolu” do t’u dorëzohet Forcave Detare të Turqisë në tremujorin e fundit të 2020-s, një vit më herët sesa ishte planifikuar.

“Sabah” – Izmiri, qyteti më i vizituar nga turistët gjermanë në 2018-n

Ndërkohë që numri i turistëve të huaj që kanë vizituar Turqinë në muajin tetor 2018 është rritur me 25,5 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë duke arritur në 3,8 milionë, shumica e turistëve gjermanë kanë preferuar Izmirin. Qytet i konsideruar si “perla e Egjeut”, Izmiri ka pritur mbi 966 mijë vizitorë të huaj kryesisht nga vende si Rusia, Franca, Anglia dhe Gjermania. Në renditjen e shteteve që kanë dërguar më shumë turistë në Turqi gjatë muajit tetor, vendin e parë e ka zënë Rusia me 604 mijë e 73 turistë, të dytin Gjermania me 589 mijë e 626 turistë dhe të tretin Anglia me 265 mijë e 217 turistë.

“Vatan” – Turqit kërkojnë të blejnë klubin e famshëm britanik

Është bërë e ditur se Newcastle United, një prej klubeve më të rëndësishme të futbollit në premierligën angleze, ka shanse të mëdha që t’i shitet një konsorciumi turk. Të interesuarit kryesorë për të blerë klubin britanik janë tre dhe një prej tyre është turk. Konsorciumi turk në fjalë, emri i të cilit mbahet sekret, është duke bërë përpjekje dhe bisedime serioze që prej fillimit të sezonit për të blerë klubin bardhezi. Përveç turqve, Newcastle United kërkohet të blihet gjithashtu nga një multimiliarder anonim dhe nga Arthur Blank, pronar i klubit amerikan të futbollit, Atlanta United.



Lajme të ngjashme