Shtypi turk 24.09.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e hënë, 24 shtator 2018:

Shtypi turk 24.09.2018

Hürriyet” – Përfundojnë procedurat, hapet Ambasada e Turqisë në Paraguai

Turqia ka përfunduar procedurat ligjore për hapjen e ambasadës në kryeqytetin Asuncion të Paraguait dhe ka emëruar znj. Armagan Inci Ersoy si ambasadore të parë në këtë vend. “Në këtë kontekst, ministri Mevlut Çavusoglu është takuar me homologun e tij paraguaian, Luis Alberto Castiglioni, në Nju-Jork, me rastin e sesionit 73. të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Gjatë takimit është konfirmuar vullneti politik reciprok për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Turqisë dhe Republikës së Paraguait”, thuhet në një komunikatë me shkrim të Ministrisë turke të Punëve të Jashtme.

Sabah” – Fillon numërimi drejt zeros për dorëzimin e “Hurkus”

Dorëzimi i partisë së parë të avionit stërvitor, “Hurkus”, projektuar dhe prodhuar nga Kompania e Industrisë Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TAI) për t’iu përgjigjur nevojave të Komandës së Forcave Ajrore të Turqisë, planifikohet të realizohet në muajin nëntor. Siç bën të ditur TAI, dorëzimi i gjithsej 15 aeroplanëve “Hurkus” planifikohet të përfundojë në gjysmën e parë të vitit 2019.

Star” – Inxhinierët turq fitojnë çmimin e madh

“F-MAX”, koka tërheqëse e re e kompanisë “Ford Trucks”, projektuar nga inxhinierët turq, është vlerësuar me Çmimin Ndërkombëtar të Kamionit të Vitit, më i madh në Panairin Ndërkombëtar të Automjeteve Tregtare (IAA) – Hanover 2018. “Me anë të kokës tërheqëse të re ‘F-MAX’, ne do të hapim rrugë të reja eksporti për të kontribuuar më shumë në ekonominë e vendit tonë”, ka deklaruar Ali Y. Koç, president i bordit ekzekutiv të kompanisë “Ford Otosan” dhe njëherësh zv/president i bordit ekzekutiv të “Koç Holding”.

Vatan” – Destinacione të reja

Kërkimi i destinacioneve alternative në turizmin turk ka hyrë edhe në Programin Ekonomik Afatmesëm të qeverisë. Sipas programit në fjalë, sektori publik dhe ai privat do të bashkëpunojnë për të zhvilluar projekte të reja në lidhje me vendet e Lindjes së Largët, me fokus të veçantë mbi Kinën, Indinë dhe Japoninë. Ky synim do të fuqizojë edhe më shumë imazhin e Turqisë në tregjet e lartpërmendura. Presidenti i bordit ekzekutiv të Shoqatës së Agjencive Turistike të Turqisë (TURSAB), Firuz Baglikaya, ka theksuar se Programi Ekonomik Afatmesëm i qeverisë u ngarkon operatorëve turistikë një mision të rëndësishëm, për realizmin e të cilit do të punojnë me të gjitha forcat.

Haber Türk” – Së shpejti edhe tri qytete të qeta

Bashkitë Koycegiz, Ahlat dhe Kemaliye, të cilat ndodhen respektivisht në provincat Mugla, Bitlis dhe Erzincan, do të bëhen zyrtarisht “Qytete të Qeta” brenda një kohe të shkurtër. Në qytetin Torino të Italisë është mbajtur Mbledhja e Këshillit Koordinues të Cittaslow (Qytet i Qetë). Tunç Soyer, zv/president i Cittaslow, koordinator i Zyrës së Cittaslow në Turqi dhe njëherësh kryetar i Bashkisë Seferihisar të Izmirit, ka bërë me dije se bashkitë Koycegiz, Ahlat dhe Kemaliye kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e rrjetit të Cittaslow në Turqi dhe dosjet e anëtarësimit të tyre i janë dorëzuar Këshillit Koordinues të Cittaslow. Sipas tij, ato do të jenë shpejti tri qytetet e qeta të reja të Turqisë.



Lajme të ngjashme