Shtypi turk 13.09.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e enjte, 13 shtator 2018:

Shtypi turk 13.09.2018

“Hurriyet”: Dekreti i Presidentit Erdogan për valutën e huaj

Është botuar në Fletoren Zyrtare dekreti presidencial në lidhje me mbrojtjen e lirës turke (TL). Sipas kësaj brenda 30 ditëve çmimet e kontratave të shitblerjes dhe qiradhënies së pronave të luajtshme dhe të paluajtshme që janë bërë në valutë të huaj do të konvertohen në lira turke.

“Sabah”: Hapet Qendra Tregtare Turke në Londër

Ministrja e Tregtisë, Ruhsar Pekcan në kryeqytetin Londër të Anglisë bëri përurimin e Qendrës Tregtare Turke. Ministrja Pekcan u informua në lidhje me kompanitë turke, të cilat japin shërbime në Qendrën Tregtare Turke në sektorët e qeramikës, ndërtimtarisë, konstruksionit, arkitekturës dhe dizajnit. Qendra Tregtare Turke, e cila ndodhet në lagjen Clerkenwell të Londrës ku janë zyrat e kompanive të mëdha që veprojnë në shkallë ndërkombëtare, mirëpret 13 kompani turke.

“Vatan”: Zgjidhja e problemit të Idlibit kalon nëpërmjet bashkëpunimit me Turqinë

Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Sheik Muhammed bin Abdurrahman bin Xhasim Al-Thani, bëri të ditur se zhvillimet në rajonin e Idlibit në Siri janë shqetësuese. Al-Thani deklaroi se rruga për të spastruar Idlibin nga elementet terroriste dhe mbrojtja e jetëve të civilëve kalon nëpërmjet bashkëpunimit me aleatët rajonalë siç është Turqia. Duke shprehur shqetësimin nga tentativa e regjimit sirian për të kryer masakra ndaj popullit të tij, Sheiku Al-Thani theksoi se bota nuk është duke bërë përpjekje të mjaftueshme për ta penguar këtë.

“Yeni Safak”: Gara e raketave bëri që Turqia të ndjehet krenare

Turqia për herë të parë organizon një garë të raketave. Në këtë garë, e cila organizohet vetëm në Turqi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, morën pjesë 157 ekipe turke. Dje 5 garues i lancuan raketat të prodhuara nga ana e tyre. Ndërkohë që raketat e 5 ekipeve u lancuan me sukses ato arritën në një lartësi prej 2 mijë e 800 metra.

“Star”: Festivali i Aeronautikës në Stamboll (Teknofest) fillon më 20 shtator

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në fillimin e Festivalit të Aeronautikës, Hapësirës dhe Teknologjisë në Stamboll (Teknofest). Festivali do të mbahet mes datave 20-23 shtator dhe do të mirëpresë edhe garat që do të organizohen në mbarë botën dhe do ti mbledhë në Turqi emrat e shquar nga vendet e ndryshme të botës. Shfaqjet dhe aktivitetet aeronautike do të vazhdojnë gjatë gjithë kohës së festivalit. Në këtë festival, që organizohet bashkërisht nga sektori privat dhe ai shtetëror, do të mbahen edhe garat në 12 fusha të teknologjisë, në mesin e të cilëve ndodhen raketat, sistemet autonome, inteligjenca artificiale dhe dronët. Gjatë Teknofestit do të mbahet edhe gara për kupën botërore të dronëve ku do të marrin pjesë 64 garues nga 25 vende të ndryshme të botës.



Lajme të ngjashme