Shtypi turk 05.09.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e mërkurë, 05 shtator 2018:

Shtypi turk 05.09.2018

“Hürriyet”Erdogan: Do të ishte masakër e madhe

Pas kthimit nga Kirgizia, ku mori pjesë në Samitin 6. të Këshillit Turk, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, bëri deklarata të rëndësishme në lidhje me operacionin e mundshëm në provincën Idlib të Sirisë. “Nëse raketat bien mbi Idlibin, kjo do të ishte një masakër e madhe”, paralajmëroi ai duke shtuar se në Idlib po ndiqet një proces shumë i pamëshirshëm. “Atje jetojnë 3,5 milionë njerëz dhe nëse ndodh një fatkeqësi, atëherë Turqia është sërish vendi i parë ku mund të strehohen këta njerëz”, u shpreh Presidenti Erdogan.

“Yeni Şafak”Goditje e rëndë për terroristët në Ikiyaka

Forcat turke të sigurisë, të cilat po vazhdojnë pa ndërprerje operacionet në malet Ikiyaka, të konsideruara nga terroristët si “të padepërtueshme”, kanë neutralizuar 16 anëtarë të PKK-së në 3 javët e fundit. Forcat Speciale të Turqisë i kanë dhënë një goditje të rëndë strukturës së kësaj organizate separatiste terroriste në zonën e lartpërmendur.

“Star”Dy ushtarët grekë pohojnë se kaluan ilegalisht kufirin turk

Mediat në Greqi raportojnë se 2 ushtarët grekë, të cilët u mbajtën 5 muaj e gjysmë nën arrest në Edrene me akuzën e shkeljes së kufirit turk, janë marrë në pyetje edhe nga eprorët e tyre në Forcat e Armatosura të Greqisë. Sipas shtypit grek, 2 ushtarët në fjalë kanë pohuar të jenë futur ilegalisht në territoret e Republikës së Turqisë.

“Sabah”ASELSAN-i ngre bazë në Qipro

Kompania e Industrive Ushtarake Elektronike (ASELSAN), lidere në sektorin turk të mbrojtjes, do të ndërtojë një qendër kërkim-zhvillimi dhe testimi në Republikën Turke të Qipros së Veriut (RTQV). Themeluar për të zhvilluar industrinë vendore të armëve, pas embargos që iu vendos Turqisë në vitin 1974 për shkak të Operacionit të Paqes në Qipro, ASELSAN-i e konsideron këtë nismë si “shpërblim besnikërie” për popullin dhe qeverinë e RTQV-së.

“Vatan”Dyndje turistësh në “Parajsën e Bardhë”

Pishina e Kleopatrës, një pellg natyror që është formuar pas një tërmeti të fuqishëm në vitin 60 të erës sonë, në “Parajsën e Bardhë” apo “Magjinë e Pambuktë” të Pamukalasë në Denizli, ka rezultuar vendi më i preferuar i turistëve që kanë vizituar atë zonë të Turqisë këtë vit. Turistët e huaj, por edhe ata turq, vazhdojnë të dynden për të notuar në ujërat e ngrohta dhe kuruese të kësaj pishine natyrore plot rrënoja historike, ku thuhet se bënte banjë edhe Kleopatra, mbretëresha e fundit e Egjiptit të lashtë.



Lajme të ngjashme