Shtypi turk 28.02.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e martë, 28 gusht 2018:

Shtypi turk 28.02.2018

Yeni Şafak” – Dollari po humbet besueshmërinë

Ministri i Thesarit dhe Financave të Turqisë, Berat Albayrak, shkoi në Francë për një sërë kontaktesh zyrtare. Ai u takua fillimisht me ministrin francez të Ekonomisë dhe Financave, Bruno Le Maire. Në një konferencë të përbashkët shtypi pas takimit në fjalë, Albayrak bëri me dije se kanë marrë në shqyrtim vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sanksione tregtare. “Vendosëm që Turqia dhe Franca të veprojnë së bashku kundër sanksioneve amerikane”, deklaroi ai duke theksuar se dollari po humbet aftësinë e tij si një instrument i besueshëm në tregtinë globale.

Sabah” – Industria turke e mbrojtjes në median kineze

Një lajm i transmetuar në kanalin televiziv kinez, “Fenghuang”, informoi opinionin publik të vendit me popullsinë më të madhe në botë rreth kontributit financiar që industria turke e mbrojtjes siguron për ekonominë e Turqisë. “Eksportet e industrisë së mbrojtjes së vendit kanë mjaft popullaritet në tregjet ndërkombëtare dhe ndoshta janë një faktor gjallërues i brendshëm për rritjen ekonomike të Turqisë. Edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqen të mbërthejnë në darë Turqinë ekonomikisht, për t’u vlerësuar në veçanti është performanca ekonomike që Turqia po demonstron në industrinë e mbrojtjes. Kjo duket qartë në rritjen e vazhdueshme të shitjeve dhe në popullarizimin çdo ditë e më tepër të produkteve të suksesshme të industrisë turke të mbrojtjes në tregjet ndërkombëtare”, thuhet mes të tjerash në lajmin e televizionit kinez.

Star” – Ekonomisti amerikan: Turqia në shënjestër të atentatorëve financiarë

Ekonomisti amerikan, John Perkins, autor i librit të titulluar “Rrëfimet e një Atentatori Ekonomik” (Confessions of an Economic Hit Man), deklaroi se nuk ka “asnjë dyshim mbi ekzistencën e atentatorëve ekonomikë që shënjojnë ekonomitë në zhvillim, siç është Turqia”. Sa i përket përpjekjeve të kohëve të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të krijuar presion ekonomik mbi Turqinë, Perkins u shpreh me këto fjalë: “I propozoj dhe këshilloj Ankarasë zyrtare që t’i qëndrojë larg Fondit Monetar Ndërkombëtar.”

Haber Türk” – Çifti Nicolas Sarkozy dhe Carla Bruni për pushime në Bodrum

Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy dhe bashkëshortja e tij, Carla Bruni, të cilët i kaluan pushimet verore në Turqi, fluturuan në klasin ekonomik të linjës Bodrum-Stamboll gjatë kthimit të tyre në Francë. Teksa po hipte në avionin e Linjave Ajrore Turke (THY), Sarkozy përshëndeti të gjithë pasagjerët dhe u shpreh mjaft i kënaqur nga pushimet në Turqi duke biseduar i buzëqeshur me disa prej pasagjerëve. Ish-kreu i Pallatit “Elysee” nuk ngurroi as që të fotografohet me njerëzit përreth. Ndërsa Carla Bruni, e cila u duk e fokusuar në leximin e një libri gjatë tërë fluturimit, postoi në median sociale këtë mesazh: “Turqia e bukur, si një ëndërr!”

Vatan” – Lista qyteteve më të shëndetshme në botë, 4 nga Turqia

Uebfaqja “Numbeo”, një portal me informacione rreth shteteve dhe qyteteve, publikoi një ditë më parë indekset shëndetësore të 211 qyteteve botërore. Qytetet turke që janë përfshirë në këtë listë janë Stambolli, Ankaraja, Bursa dhe Izmiri. Vlerësimi i qyteteve më të shëndetshme në botë është bërë duke marrë për bazë 10 kritere të ndryshme, siç janë hapësirat e gjelbra, cilësia e komplekseve sportive, pastërtia e ajrit dhe ujit, parashikimi i jetëgjatësisë mesatare, shkalla e obezitetit dhe ekuilibri ndërmjet punës dhe jetës private.



Lajme të ngjashme