Shtypi turk 27.08.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e hënë, 27 gusht 2018:

Shtypi turk 27.08.2018

Yeni Şafak” – Presidenca publikon video me rastin e Javës së Fitores

Me rastin e 947-vjetorit të Fitores së Malazgirtit në llogarinë zyrtare të Presidencës në Twitter është publikuar një video, e cila tregon historinë e Malazgirtit, që simbolizon edhe hyrjen e turqve në Anadoll. “Me rastin e Javës së Fitores evokojmë me respekt dhe mëshirë të gjithë dëshmorët dhe kujtojmë me mirënjohje të gjithë veteranët”, shkruhet në mesazhin që shoqëron videon, e cila brenda një kohe të shkurtër ka thyer rekord në klikime.

Haber Türk” – Industria turke e mbrojtjes shënon arritje rekord

Sistemi me shumë shtretër për lëshimin e raketave “Jobaria”, i cili është prodhuar nga firma turke ROKETSAN për Emiratet e Bashkuara Arabe, ka hyrë në librin e rekordeve Guinness si “Artileria më e madhe e botës me raketa për nga numri i grykave”. Mekanizmi lëshon raketa artilerie 122 mm dhe pranohet si sistemi më i fuqishëm në botë. Sistemi ka 4 shtretër për lëshimin e raketave 122 mm të vendosur mbi një gjysmërimorkio me 10 rrota dhe ka kapacitet që për 2 minuta të dërgojë në objektiv 240 raketa. Sistemi mund të shkatërrojë një hapësirë me madhësi 4 km2.

Vatan” – CEO-ja gjerman u bën apel patronëve dhe investitorëve për Turqinë

“Ajo që do t’u rekomandoja investitorëve është që vendimet (për investime) të mos i marrin nga tavolina, por të vijnë këtu (në Turqi) dhe të shikojnë dhe njihen nga afër me këtë vend, ambient e infrastrukturë”, ka thënë shefi ekzekutiv (CEO) i shoqërisë ajrore “SunExpress”, Jens Bischof, ndërsa shton se kompania e tij ka konstatuar një ‘kërcim’ të madh në turizmin turk dhe fuqinë tërheqëse të vendit. “Nëse e shikojmë çështjen me syrin e turistëve evropianë në veçanti, vendi duket sërish shumë i fuqishëm. Vitin e kaluar (2017) ne kemi transportuar për në qendrat turistike të Turqisë gjithsej 8,8 milionë pasagjerë. Raporti i shfrytëzimit (të ulëseve të avionit) ka qenë 84% dhe kemi siguruar 1,15 miliardë euro të ardhura. Viti 2018 do të jetë një vit më i mirë si për turizmin turk, edhe për “SunExpress”,- ka thënë Bischof sipas ditores turke “Vatan”.

Star” – Fushat naftëmbajtëse në Turqi tani përcaktohen nga ajri

Edhe në Turqi është praktikuar për herë të parë metoda e kërkimit sizmik të naftës nga ajri, një metodë që përdoret në shumë vende të botës, kryesisht në Afrikë. Ndërmarrja shtetërore e hidrokarbureve të Turqisë (TPAO) ka filluar punimet në këtë drejtim në zonat lindore dhe juglindore të vendit. Avioni i TPAO-së me një ekip specialistësh (10 vetë) në bord sapo fillon të zbardhë dita ngrihet në ajër nga aeroporti i Batmanit dhe vazhdon të skanojë e regjistrojë pëllëmbë për pëllëmbë të gjithë zonë. Avioni identifikon ndryshimet lidhur me forcën e rënies së lirë dhe konstaton zonat e mundshme naftëmbajtëse.

Sabah” – Muğla është gati për Kampionatin Botëror Rally

Edicioni i 10-të i Kampionatit Botëror Rally-2018 (World Rallycross Championship-WRC) në Turqi do të organizohet ndërmjet datave 13-16 shtator në qytezën turistike të Marmarisit. Rruga që do të përshkojnë pilotët do të jetë 896 km e gjatë dhe do të ketë 17 etapa me vështirësi të ndryshme me gjatësi totale 317 km. Edicioni do t’ju dhurojë çaste emocionuese miliona shikuesve. Ekipet do të ulen në timon në orën 09:25 (me orën lokale) më 16 shtator, që është edhe dita e fundit e Rally-it dhe do ta përfundojnë garën me “Power Stage” (që është etapa e avantazhit).



Lajme të ngjashme