Shtypi turk 16.08.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e enjte, 16 gusht 2018:

Shtypi turk 16.08.2018

“Vatan”: Anglezët tregojnë interesim të madh ndaj lirës turke

Pas deklaratës së drejtorit të përgjithshëm të “Akbank”, Hakan Binbasgil se në tregjet ndërkombëtare tregohet interesim i madh për lirën turke, një lajm tjetër i rëndësishëm erdhi edhe prej Anglisë. Gazeta britanike “The Guardian” bëri të ditur se në kasafortën e kompanisë së shquar të devizave “ICE” nuk ka mbetur lira turke. Kompania e devizave deklaroi se blerjet e lirave turke nëpërmjet internetit janë rritur në nivel 24 mijë për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Sabah”: Faber: Tani është koha për të investuar në pasuritë turke

Investitori i famshëm Marc Faber, i njohur edhe për parashikimin e krizave në tregjet financiare ndërkombëtare, tërhoqi vëmendjen se luftërat tregtare globale të filluara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mund të jenë shkatërruese. Gazeta citon Faber të ketë thënë se “Luftërat tregtare janë çmenduri. Ato vazhdojnë në një periudhë kur është ngadalësuar ekonomia globale”. Faber e vlerësoi si kohë e duhur blerjen e aksioneve turke, ndërsa shtoi se tani është koha të investohet në pasuritë turke.

“Yeni Safak”: Lufta tregtare mes Turqisë dhe ShBA-së shkaktoi ulje të bursës amerikane

Administrata e Trumpit, e cila e filloi një luftë tregtare me Turqinë, u bë shkaktare e uljes së bursës amerikane. Kanali amerikan, “CNN International” bëri të ditur se kjo luftë shkaktoi ulje të dukshme në bursën amerikane. Në një analizë të Fadi Hakura të transmetuar në këtë kanal thuhet se “Perëndimi do të paguaj kosto të lartë për humbjen e Turqisë”.

“Star”: Rusia lehtëson marrjen e vizave

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu në fjalimin e tij të mbajtur gjatë Konferencës së 10-të të Ambasadorëve në Ankara tha se Turqia dhe Rusia kanë arritur në marrëveshje për liberalizimin e pjesshëm të vizave. Gazeta citon ministrin Çavusoglu të ketë thënë se “Rusia ka hequr vizat për biznesmenët dhe bartësit e pasaportave zyrtare. Me Rusinë kemi arritur në marrëveshje në parim në lidhje me heqjen e vizave për biznesmenët, posaçërisht të ngasësve të maunave dhe kamionëve”. Ai gjithashtu uroi që vizat me Rusinë të liberalizohen plotësisht.

“Haberturk”: Rritet shitja e banesave për shtetasit e huaj

Shitja e banesave për shtetasit e huaj shënoi rritje me 65,6 për qind në krahasim me një vit më parë dhe doli në 2 mijë e 858. Në mesin e vendeve ku janë shitur më së shumti banesa për të huajt gjatë korrikut zë vendin Stambolli me 956 banesa. Stambolli pasohet me radhë nga Antalya me 641 banesa, Bursa me 176, Yalova me 167 dhe Sakarya me 132 banesa. Gjatë muajit korrik më së shumti banesa kanë blerë irakianët, iranianët, sauditët, rusët dhe shtetasit e Kuvajtit.  



Lajme të ngjashme