Shtypi turk 07.08.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e martë, 7 gusht 2018:

Shtypi turk 07.08.2018

Haber Türk” – Turqia, vendi evropian me rritjen më të shpejtë në Tregun e Qendrave Tregtare

Janë publikuar rezultatet e Raportit Evropian për Zhvillimin e Qendrave Tregtare për gjysmën e parë të 2018-s. Sipas raportit në fjalë Turqia vazhdon të kryesoje në madhësinë e sipërfaqes (me metra katrorë) të shtuar në gjysmën e dytë të vitit 2017 duke e rritur me 500.000 m2 sipërfaqen totale të qendrave të saj tregtare.

Vatan” – Në Konya do të ndërtohet centrali diellor më i madh në botë

Centrali më i madh me energji diellore në botë vazhdon të ndërtohet në qytezën Karapınar të Konya-s. Centrali gjigand do të prodhojë në vit 1,7 miliardë kilovat-orë (kWh) energji elektrike dhe do të përballojë nevojën për energji elektrike të 600.000 shtëpive. Parashikohet që investimi të arrijë në 1,3 miliardë dollarë.

Star” – Rruga Moderne e Mëndafshit do të rrisë (ekonomikisht) Kinën dhe Turqinë

Bashkëpunimi me Kinën zë një vend të rëndësishëm në programin e Kabinetit Presidencial për 100 ditët e para të punës. Projekti i ‘Rrugës Moderne të Mëndafshit’ përfshin ndërtimin dhe përmirësimin e rrugëve tokësore, hekurudhave, porteve dhe linjave energjetike. Hapat e parë për realizimin e këtij projekti ishin hedhur vitin e kaluar. Përmes këtij projekti pritet që tregtia ndërmjet Kinës dhe Turqisë të shumëfishohet disa herë. Një pjesë e burimeve financiare të nevojshme për investimet e reja që do të bëhen në Turqi do të përballohen nga bonot (turke) që do të eksportohen në tregun kinez. Krahas eksportit të bonove shtetërore, afrimi me Kinën do të vazhdojë duke u forcuar edhe në sektorët e turizmit dhe tregtisë. Në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me Kinën do të përdoren monedhat kombëtare, Lira turke dhe Juani kinez, si masë kjo kundër sulmeve që i bëhen Turqisë dhe Lirës turke përmes kursit të këmbimit valutor dhe agjencive financiare të klasifikimit të kredive.

Yeni Şafak” – Vjen avioni luftarak kombëtar

Industria Turke e Aeronautikës dhe Hapësirës (TUSAŞ) do të bëjë një seri investimesh për “procesin e dizenjimit paraprak” dhe investimet për ndërtimin e “komplekseve të prodhimit” në kuadër të Projektit të Avionit Luftarak Kombëtar, i cili synon prodhimin e avionëve luftarakë që do të zëvendësojnë avionët e tanishëm në përdorim F-16. Investimet në fjalë do të mbështeten fuqishëm me anë të ndihmës shtetërore, e cila cilësohet edhe si “superstimulim”. Punimet janë drejt fundit në dizenjimin konceptual të avionit dhe në kuadër të programit të punës së qeverisë për 100 ditët e para do të kalohet në fazën e “dizenjimit paraprak” dhe pastaj do të fillojë të zbatohet kalendari i realizimit fizik të projektit.

Sabah”Paris Hilton mrekullohet me mëngjesin turk

Modelistja, këngëtarja, aktorja dhe autorja amerikane me famë botërore, Paris Hilton ishte në Republikën Turke të Qipros së Veriut për të marrë pjesë në një aktivitet. Në llogarinë e saj në Instagram Hilton postoi videon e mëngjesit turk që i ishte servirur në dhomën e hotelit ku qëndronte. Pëlqimin e saj Hilton e shprehu me fjalët “është koha për të bërë mëngjesin turk” që shoqërojnë postimin e videos. Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve Hilton tha se i pëlqen të shëtisë dhe ndjehet e lumtur që viziton Republikën Turke të Qipros së Veriut. “Kam dëshirë të vij përsëri nëse do të ketë ndonjë aktivitet tjetër”, shtoi ajo. Kur gazetarët e pyetën se do të preferonte ta kalonte muajin e mjaltit në Qipro, Hilton tha: “Përse jo”.



Lajme të ngjashme