Shtypi turk 18.07.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, të cilat janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e mërkurë, 18 korrik 2018:

Shtypi turk 18.07.2018

“Sabah” – Trumpi: Vetëm Erdogani e bën punën e tij siç duhet

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u përball me shumë vështirësi për të bindur liderët e vendeve anëtare të NATO-s që të angazhohen për të bërë më tepër shpenzime ushtarake, gjatë samitit të Aleancës javën e kaluar në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës. Ai ua shfaqi zemërimin e tij të gjithëve, me përjashtim të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. “Këtu veçoj vetëm Erdoganin. Ai e bën punën e tij siç duhet”, deklaroi Trumpi duke e kthyer shikimin e tij nga kreu i shtetit turk.

“Star” – “Hurjet” i prezantohet botës për herë të parë nga Anglia

Avioni “Hurjet”, projektuar dhe prodhuar nga Kompania e Industrisë Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TAI) në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Avionit Reaktiv të Trajnimit dhe Asistencës së Afërt, u bë epiqendër e vëmendjes së panairit “Farnborough Airshow” në Angli.

“Sabah” – Investitorët e huaj panë stabilitetin dhe erdhën të blejnë shtëpi

Investitorët e huaj, të cilën e shohin Turqinë si port të sigurt, iu kthyen sërish trendit të blerjeve të shtëpive, gjë që tregon se ata kanë dalë tashmë nga situata “prit-shiko”. Sipas rezultateve të publikuara në raportin e fundit të Indeksit të Çmimit të Banesave të Reja (REIDIN-GYODER), investitorët e huaj kanë blerë 10% të projekteve markë të banesave gjatë muajit qershor 2018.

“Vatan” – Thyhet rekordi i udhëtarëve në Kapikule

Teksa vijon fluksi i udhëtimeve të turqve rezidentë në Evropë, të cilët vijnë në Turqi për të kaluar pushimet, në Pikën Kufitare Kapikule të Edrenesë u regjistrua rekordi historik i kalimeve brenda një dite. Siç bëjnë të ditur autoritet kufitare turke, plot 37 mijë e 138 pasagjerë kanë hyrë në Turqi të martë nga kjo pikë kufitare.

“Yeni Şafak” – “Hëna e Përgjakur” do të shihet më qartë nga Turqia

Turqia është vendi nga ku do të shihet më qartë sesa kudo tjetër eklipsi i Hënës së Kuqe, njohur më gjerësisht si “Hëna e Përgjakur”. Në Turqi, ky fenomen qiellor i datës 27 korrik do të nisë në mbrëmje, rreth orës lokale 20.10. Eklipsi i Hënës së Kuqe do të vijojë 5 orë e 40 minuta.



Lajme të ngjashme