Shtypi turk 16.07.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e hënë, 16 korrik 2018:

Shtypi turk 16.07.2018

“Hürriyet” – I premë tentakulat oktapodit të rritur nga i mallkuari në Pensilvani

Me rastin e dyvjetorit të përpjekjes së dështuar për grusht shteti në Turqi, ndërmarrë më 15 Korrik 2016 nga organizata terroriste gyleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY), Presidenti Recep Tayyip Erdogan mbajti një fjalim madhështor në Urën e Dëshmorëve të 15 Korrikut (dikur Ura e Bosforit), ku të pranishëm ishin qindra-mijëra qytetarë. “Le të dihet që i kemi prerë tentakulat oktapodit të rritur nga i mallkuari në Pensilvani”, deklaroi Presidenti Erdogan duke siguruar se lufta e Turqisë kundër FETO/PDY-së do të vazhdojë derisa të japë llogari edhe tradhtari i fundit anëtar i kësaj organizate djallëzore.

“Sabah” – Avioni luftarak pa pilot, në qiell më 2023-shin

Turqia ka bërë hapin e parë për avionin luftarak pa pilot, një prodhim turk i teknologjisë së avancuar. Siç bëjnë të ditur burime të industrisë turke të mbrojtjes, këto mjete ajrore të telekomanduara, të cilat janë përfshirë tashmë në inventarin e Forcave të Armatosura të Turqisë dhe konsiderohen nga autoritetet ushtarake ndërkombëtare si më të mirat në botë, do të fluturojnë në vitin 2023.

“Star” – Rritja ekonomike u përshpejtua, investimet s’u ndalën

Pavarësisht tentativës tradhtare për grusht shteti më 15 Korrik 2016, ekonomia turke u rimëkëmb me shpejtësi brenda 2 vitesh dhe i tregoi gjithë botës fuqinë e saj. Me shifrat e rritjes ekonomike të regjistruar së fundmi, Turqia jo vetëm që la gojëhapur tërë botën, por vuri në zbatim edhe një sërë projektesh gjigante duke i hapur rrugën zhvillimit të qëndrueshëm.

“Haber Türk” – Shënohet rekordi i të gjitha kohërave

Provinca mesdhetare e Antalias, e konsideruar si kryeqyteti i turizmit bregdetar të Turqisë, është vizituar nga 5 milionë e 832 mijë 894 turistë të huaj që nga fillimi i vitit e deri më datë 14 korrik, shifër kjo e cila rezulton një rekord historik për këtë qytet.

“Vatan” – Përcaktohet kryepehlivani i ri në Kirkpinar!

Në finalen e edicionit të 657-të të Mundjes Historike me Vaj, organizuar në Kirkpinar të provincës perëndimore Edrene të Turqisë, Orhan Okulu ka mposhtur me 6 pikë diferencë kundërshtarin Saban Yilmaz duke fituar Brezin e Artë dhe titullin e kryepehlivanit.



Lajme të ngjashme