Shtypi turk 04.06.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e hënë, 04 qershor 2018:

Shtypi turk 04.06.2018

Sabah” – Turqia merr ftesën zyrtare për avionët F-35

Autoritetet përkatëse turke kanë marrë ftesën zyrtare për dorëzimin më 21 qershor të Avionit Luftarak të Përbashkët (Joint Strike Fighter), F-35A, një gjuajtës supersonik i gjeneratës së pestë që disa senatorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë t’i jepet Turqisë si reagim ndaj blerjes së sistemit rus të mbrojtjes ajrore, S-400. “Si ‘Lockheed Martin’, ne do të jemi të lumtur që t’ju kemi pranë në Ceremoninë e Dorëzimit të Avionit F-35 për Republikën e Turqisë, të cilën do ta realizojmë në Fort Worth, më datë 21 qershor 2018”, thuhet në ftesën zyrtare të kompanisë “Lockheed Martin”, prodhuesja kryesore e avionëve luftarakë në fjalë.

Vatan” – Simsek: Burimet nga jashtë filluan të rrjedhin

I ftuar në emisionin e një kanali televiziv privat, zëvendëskryeministri turk për Ekonominë, Mehmet Simsek, ka bërë me dije se rrjedhja e burimeve ka nisur sërish pas takimeve të zhvilluara me investitorët jashtë shtetit.

Haber Türk” – Dyndje turistësh në gjiret e Bodrumit

Rreth 4.000 turistë nga Rusia, Ukraina, Suedia dhe Norvegjia, që kanë mbërritur në Bodrum të enjten e kaluar, janë dyndur në gjiret përrallore të zonës turistike. Duke qenë se temperatura e ajrit ka arritur në 32oC dhe ajo e deti në 20oC, turistët po marrin pjesë gjithnjë e më tepër në shëtitjet njëditore me motobarka në parajsat e fshehura të Bodrumit.

Sabah” – Ura e Justinianit në Listën e Përkohshme të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s

Ura e Justinianit, e cila është një prej monumenteve historike më të vjetra të Sakarias dhe daton në të njëjtën kohë me Shën-Sofinë e famshme të Stambollit, arriti të hyjë në Listën e Përkohshme të Trashëgimisë Botërore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).

Star” – Turqia, një parajsë e vërtetë për investitorët

Presidenti i Dhomës së Tregtisë Iran-Turqi, Reza Kami, e ka cilësuar Turqinë si “një parajsë të vërtetë” për investitorët duke ftuar veçanërisht biznesmenët iranianë që të përfitojnë nga kjo klimë shumë e favorshme.



Lajme të ngjashme