Shtypi turk 30.05.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e mërkurë, 30 maj 2018:

Shtypi turk 30.05.2018

Yeni Şafak” – Erdogani bisedon në telefon me Putinin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoogan, zhvilloi të martën një bisedë telefonike me Kreun e Shtetit të Federatës së Rusisë, Vladimir Putin. Dy liderët theksuan rëndësinë e arritjeve të fituara në procesin e mekanizmit të Astanës për një zgjidhje politike në Siri. Ata bënë të ditur se regjimi dhe opozita duhet të veprojnë në mënyrë konstruktive për procesin e përparimit në kuadër të OKB-së, si dhe theksuan rëndësinë e integritetit territorial të Sirisë. Gjatë bisedës telefonike, homologët Erdogan dhe Putin u shprehën gjithashtu të kënaqur nga përparimi i projekteve strategjike, siç janë Centrali Bërthamor “Akkuyu” dhe Gazsjellësi “Rryma Turke”.

Haber Türk” – Çavusoglu mbajti fjalim në Gjermani!

Në selinë e Kancelarisë së landit gjerman të Renanisë Veriore-Vestfalisë, në qytetin e Dyseldorfit, u organizua një ceremoni përkujtimore për 5 anëtarët e Familjes Genç, që humbën jetën  25 vite më parë në qytetin e Solingenit si pasojë e një zjarri të ndezur në shtëpinë e tyre nga një grup racistësh. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, Kancelari i Renanisë Veriore-Vestfalisë, Armin Laschet dhe shumë të ftuar. Në fjalën e rastit, shefi i diplomacisë turke tërhoqi vëmendjen mbi tragjedinë e Familjes Genç dhe problemet e qytetarëve të tjerë me origjinë turke, që bëhen pre e sulmeve raciste në Gjermani. “E vetmja gjë që presin këta njerëz, që e konsiderojnë Gjermaninë si atdheun e tyre të dytë, është të bëhen individë të barabartë të kësaj shoqërie”, tha ministri Çavusoglu.

Star” – Sistemi ASIST i ASELSAN-it fillon misionin në nëndetëse

Sistemi hidrolokalizues, ASIST, prodhuar nga Kompania Turke e Industrisë Elektronike Ushtarake (ASELSAN), ka filluar të përdoret në nëndetëse. Ky zhvillim është njoftuar nga ASELSAN-i vetë përmes një komunikate për shtyp. ASELSAN-i e ka projektuar ASIST-in në përputhje me standardet ushtarake për të përmbushur nevojat e Komandës së Forcave Detare të Turqisë duke përdorur aftësi dhe pajisje tërësisht vendore e kombëtare, nga direktoria e sensorëve akustikë e deri tek njësitë brenda anijes. Forcat Detare të Turqisë e testuan sistemin ASIST në nëndetëse dhe rezultoi i suksesshëm. Ai u vu në përdorim menjëherë në disa lloje nëndetësesh.

Sabah” – Turistët dynden në Antalia!

Numri i turistëve që kanë mbërritur në Antalia vetëm nga aeroportet, ka arritur në gati 3 milionë deri më 28 maj, ndërkohë që synimi i këtij qyteti është të presë 14 milionë turistë në vitin 2018. Kjo shifër ka lënë pas vitet 2015, 2016 dhe 2017 duke iu afruar shumë nivelit të 2014-s, që vlerësohet si viti më i suksesshëm i Turqisë në aspektin e turizmit.

Vatan” – Zbulohet në Stamboll një varr pagan 1.700-vjeçar

Një varr pagan, i cili mendohet të jetë rreth 1.700-vjeçar, është zbuluar gjatë restaurimit të xhamisë historike të Sheik Sulejmanit në Lagjen “Zeyrek” të Stambollit, në katin e nëndheshëm të objektit. “Në hapësirën e nëndheshme të ndërtesës mbi të cilën është ngritur xhamia, ka edhe dy kate të tjera që i përkasin periudhës Romake. Kati i parë i nëndheshëm është një varr i shumëfishtë me 8 ndarje. Në terminologji arkitekturore, ai njihet si arkosol (arcosolium), një lloj sarkofagu postklasik. Arkosolët janë varre me arkitekturë të periudhës së besimeve pagane”, bëri me dije Mursel Sari nga Drejtoria Nr.1 e Fondacioneve.



Lajme të ngjashme